E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lutaj: Emërimet antiligjore në Policinë e Shtetit, rritje e situatës kriminale

Deputeti i PS, Piro Lutaj ka vijuar akuzat, duke denoncuar drejtuesit e Ministrisë së Brendshme për zbatimin e ligjit nga ana e strukturave që ata kanë në varësi të tyre se nën ndikimin e tyre Policia e Shtetit ka rekrutuar dhe vendosur në poste kyçe punonjës policie, jashtë kritereve ligjore dhe militantë politikë. Patetizmat e Ministrit të Brendshëm nuk pinë ujë. Ai bën mirë të zbatojë ligjin, të dëgjojë vërejtjet dhe shqetësimet e opozitës, të mbajë shënim, të lexojë e të kuptojë vërejtjet e parashtruara  në vijimësi nga partnerët tanë ndërkombëtarë që jo vetëm monitorojnë, por dhe asistojnë strukturat ligjzbatuese, përfshirë dhe Ministrinë e Brendshme, u shpreh Lutaj. Deputeti Lutaj solli në vëmendje Raportin e DASH, ku thuhet shprehimisht, se Performanca e përgjithshme e organeve ligjzbatuese mbeti e dobët. Qëndrimet jo profesionale dhe korrupsioni mbeten pengesat kryesore për zhvillimin e një force policore efikase. Lutaj nënvizoi se vënia në poste drejtuese e delikate të policisë së shtetit të militantëve apo personave pa kualifikimin e nevojshëm për përmbushjen e detyrave funksionale me synimin e përdorimit të tyre gjatë fushatës elektorale apo si amortizator partiakë, jo vetëm që prish imazhin e Policisë së Shtetit dhe rrezikon integritetin e  zgjedhjeve të ardhshme por dhe reflekton në mënyrë të dëmshme në mungesën e rezultateve të pritshme. Lutaj ka paraqitur publikisht disa shembuj, ku sipas tij flasin qartë për politizimin e strukturave të Policisë dhe anashkalimin e ligjit për policinë e shtetit. Kështu është emëruar në Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të kufirit në Qarkun e Kukësit Ylber ZYBERI, pa arsim Policor, ka kandiduar për Kryetar të PD-së në Qytetin e Kukësit në vitin 2004 dhe aktualisht mban gradën Drejtues në kundërshtim me të gjitha kriteret ligjore. Specialist i SHKB-së në Drejtorinë e Policisë Qarkut Kukës Ritmir Bilali, pa arsim Policor, i ardhur nga repartet ushtarake të Xhenios dhe mban gradën policore Komisar gjithashtu në kundërshtim me kriteret ligjore.Kontrollor në pikën e kalimit të kufirit në Morinë të Kukësit Sokol Cena, pa arsim policor, i marrë në këto struktura në vitin 2005 në kundërshtim  me të gjitha kriteret ligjore. Shefi i Komisariatit të Policisë në Dibër Aledin Omuri, mban gradën e Kryekomisarit, jashtë kritereve të ligjit Për Policinë e Shtetit. Punonjës Policie në Drejtorinë e Qarkut Kukës Shpend Jaku, i përjashtuar në vitin 2004 nga Policia e Shtetit me motivacionin shpërdorim detyre dhe vjedhje,aktualisht mban gradën Kryekomisar. Në kuadër të këtyre emërimeve, Lutaj tha se Shqipëria vazhdon ende tranzitimi i lëndëve narkotike siç është rasti i Sekuestrimit të 16 kg drogë në Prizren, që vinte nga Shqipëria dhe publikuar më 16/02/2009. Ai solli shembull goditjen e një bande shqiptare të trafikut ndërkombëtar të heroinës, në fund të Muajit Janar 2009, e cila çonte në Itali çdo muaj rreth 30 kilogramë heroinë të një cilësie tepër të lartë. Sipas tij, mungesa e profesionalizmit në radhët e policisë ka bërë që treguesit e krimit për 2 muajt e parë të vitit 2009-të, të krahasuara me ato të të njëjtës periudhë të viteve 2007 dhe 2008, janë alarmante. Lutaj nënvizoi se Ministria e Brendshme, në statistikat e vrasjeve për vitin 2008, duhet të pasqyrojë edhe 26 jetët e shuara në tragjedinë shtetërore të Gërdecit, pasi janë disa persona nën hetim nga Prokuroria për vrasjen e tyre. Kështu numri i vrasjeve për vitin 2008 numëron të paktën 111 raste, sipas statistikave të deklaruara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›