E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubio: Tirana po bëhet nga e para, kthesa vjen në Krujë

Nga ERJON SALIU

Trajneri spanjoll vlerëson ardhjen e Duros, analizon humbjen me Teutën dhe situatën më të fundit në skuadër

Trajneri Hulian Rubio Sançez, dje ka folur për humbjen me Teutën, ardhjen e mesfushorit Klodian Duro, por edhe ndeshjen që do të luhet sot në Krujë në orën 16:00 me Kastriotin. Spanjolli, para mediave, në prag të transfertës së vështirë me krutanët pohoi: Po, jam i kënaqur nga afrimi i Klodian Duros. E njihja pak dhe do ta shohim edhe më tej performancën e tij. Nuk e di a do të jetë gati për takimin e ardhshëm. Është një përforcim i mirë.

Është folur shumë, por i vetmi që nuk kam dhënë opinion për afrimin e tij kam qenë unë. Madje është folur edhe për Situmën se është dëmtuar gjatë takimit, por nuk ka pasur asgjë të vërtetë. Heple ka qenë i dëmtuar para takimit me Teutën. Ku ka fjalë, ka edhe gënjeshtra, kurse ndeshjen me Kastriotin po e përgatis me formacionin dhe lojtarët më të mirë që kam për momentin.

Mendoj se humbjet dhe disfatat janë të rënda, por ekipit që fitoi në Korçë nga ai që luajti me Teutën, i mungonin 6 lojtarë. Ky është një ekip që po formohet për herë të dytë. Këta janë lojtarë shumë të rinj dhe po mundohen të përshtaten. Megjithatë, ky nuk është një justifikim. Ne luftuam dhe kërkuam gjatë gjithë kohës rezultatin në takimin e fundit.

Unë dua të shtoj dy gjëra: mendërisht dhe fizikisht ishim shumë mirë, krijuam raste, por nuk patëm fatin me vete,- u shpreh fillimisht trajneri Rubio.
Sulmi Ndër të tjera, trajneri spanjoll Hulian Rubio Sançez foli edhe për repartin e sulmit. Pavarësisht se luaj me një sulmues, unë aplikoj futboll sulmues. Me aq vite sa kam në futboll, nuk është tragjedi nëse dikush humb tre apo katër takime rresht.

Të jemi të qartë, kampionati është një turne shumë i gjatë dhe duhet luajtur i gjithi, nga takimi i parë tek i fundit dhe kur mbyllet kampionati secili është në vendin e tij, – tha në mbyllje të prononcimit të tij trajneri Hulian Rubio Sançez.

2 Humbje ka sigluar deri më tani në ndeshje zyrtare Rubio, me Spartak Trnavën (3-1 në Sllovaki) në Europa League dhe në kampionat me Teutën (0-1 në Qemal Stafa)

4 Ndeshje zyrtare e ka drejtuar spanjolli Tiranën, dy në Europa League, një në Superkupë dhe një në superligë, ku i ka provuar të tri rezultatet

Karabeci gati, mund të luajë një pjesë loje

Mesfushori i Tiranës, Erando Karabeci, është një alternativë më shumë për trajnerin Rubio, pasi e ka kaluar dëmtimin dhe është gati, madje edhe në ndeshjet e kontrollit ai është parë që të aktivizohet. Ka gjasa që edhe sot trajneri Rubio ta aktivizojë një pjesë loje. Rikthimi i Karabecit do të ishte një plus i madh për mesfushën, sepse largimet e Muçës dhe Pashajt kanë lënë jo pak boshllëqe.

Formacioni, spanjolli i ka të gjithë gati

Në ndeshjen që do të luhet sot në Krujë, në orën 16:00, trajneri spanjoll i bardhebluve, Hulian Rubio Sançez, i ka të gjithë lojtarët në dispozicion. Ka shumë gjasa që edhe në Krujë të ketë ndonjë surprise, ashtu siç ndodhi me Teutën. Në portë do të jetë Ilion Lika, në mbrojtie Sina djathtas, Pisha dhe Dushku në qendër dhe Dabulla nga e majta.

Në mesfushë Taku nga krahu i djathtë, Situma dhe Karabeci në qendër kurse nga e majta Ahmataj. Në sulm Bala i vetëm do të mbështetet nga bashkëpatrioti i tij G. Lika. Por nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen e sotme blerja më e re e bardhebluve, mesfushori elbasanas Klodian Duro, i cili vetëm dje është stërvitur nën urdhrat e trajnerit Rubio.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›