E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lutaj: Vasili favorizoi kushëririn në tendera

30/08/2010 Reagimi i PS-së për LSI-në

Socialistët hodhën dje poshtë pretendimin e ardhur nga Lëvizja Socialistë për Integrim, e cila kërkoi që të jetë vetë Partia Socialiste, ajo e cila të dërgojë në Komisionin e Venecias kërkesën e saj për rinumërimin e fletëve të votimit. Kështu, në replikat e shkëmbyera në distancë me njëra-tjetrën këto dy parti jo vetëm që nuk kursejnë akuzat mes tyre, por shkojnë deri aty sa këto akuza drejtohen dhe në emra konkret. Pas deklaratës së ardhur nga LSI-ja, ku ishte vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ai i cili bëri publik një qëndrim të tillë, lidhur me fletët e votimit, e menjëhershme ishte kundërpërgjigja e kampit rozë. “Zoti ministër fatmirësisht Komisioni i Venecias është një arbitër ndërkombëtar vërtet i pavarur, që funksionon në bazë të rregullave të qarta. Ju z. Ministër pjesën e rregullave nuk e kuptoni dot dhe s’keni faj, pasi shërbeni në një qeveri, që nuk njeh as rregulla e as ligje. Një parti politike nuk i drejtohet dot Komisionit të Venecias, prandaj nëse pushteti ka vullnet për të zgjidhur krizën le ta fillojmë me ngritjen e komisionit hetimor, hapjen e kutive të materialeve zgjedhore e më pas, Kuvendi ose Presidenti t’i drejtohen për fletët e votimit Komisionit të Venecias”, u shpreh deputeti i PS-së, Piro Lutaj, gjatë deklaratës së tij. Nga ana tjetër, Lutaj nuk harroi të bënte publike dhe pyetjen e radhës për ministrin Vasili, sa i takon lidhjes së tij me aferat korruptive. “Ndërkohë z. Ministër meqë flisni për luftën ndaj korrupsionit kemi një pyetje edhe për ju: Sa tendera ka përfituar një kushëri juaj këtë vit qeverisës në ministrinë që Ju drejtoni, dhe pse qysh se jeni bërë ju drejtues i këtij dikasteri, shpalljet e tij fitues në tenderat e ministrisë janë shumëfishuar?”, vuri në dukje Lutaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›