E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerikanët: Almir Rrapo do të ekstradohet

30/08/2010 Përpjekjet e ish-zyrtarit të Ministrisë së Jashtme për liri dalin pa sukses

SHBA shuan çdo shpresë për ta lënë të lirë, janë sjellë akuzat në Tiranë

TIRANE- Tentativat e Almir Rrapos, ish-sekretarit të Ministrisë së Jashtme për liri nga qelitë, duket se nuk do të japin asnjë efekt. Burime nga Prokuroria thanë se edhe pse përfaqësuesit e tij ligjorë bënë të ditur se kanë bërë gati kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë dhe do ta depozitonin në gjykatën e Tiranës ditën e djeshme, një gjë ë tillë nuk do të ndikojë në vendimin për ta ekstraduar në SHBA. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, pasi amerikanët tashmë e kanë sjellë dosjen dhe nuk do të lejojnë asnjë veprim që do ta mbante Rrapon në Shqipëri. Më 31 gusht përfundon dhe afati 60-ditor që Gjykata e Apelit kishte vendosur burg ndaj Rrapos, ish-punonjësit të Ministrisë së Jashtme, që kërkohet nga autoritetet amerikane për krime të rënda, të kryera në kuadër të organizatës kriminale. Sa i përket kërkesës për ekstradim, avokatët shprehen se ligjërisht duhet të njihen me dosjen dhjetë ditë përpara, megjithatë, deri më tani nuk kanë asnjë informacion për mbërritjen e një kërkese të tillë nga autoritetet amerikane. Almir Rrapo gjendet në qeli prej 2 korrikut 2010 dhe javën e ardhshme gjykata, pasi të shqyrtojë kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë, do të vendosë për fatin e tij. Pak ditë më parë u zbardhën dhe akuzat që rëndojnë mbi supet e Almir Rrapos dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit kriminal që drejtohej nga vëllezërit Krasniqi. Sipas aktpadisë prej 37 faqesh, dorëzuar në gjykatën Federale të Manhatanit nga prokurorët dhe oficerët e FBI-së, 27-vjeçari akuzohet se është anëtar i bandës së Krasniqit, një organizatë ndërkombëtare e krimit e akuzuar për vrasje, rrëmbim, trafik të lëndës narkotike dhe veprimtari të tjera të paligjshme në Shqipëri e SHBA. Në kohën kur ai u arrestua, kishte aplikuar për vizë në ambasadën amerikane, por një kontroll i imtësishëm i dokumentacionit dhe fotos së tij nxorën në dritë të gjitha këto akuza.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›