Sadiku shndërrohet në “wanted”: Pres ofertën, dua të luaj në Gjermani
Lojtari shprehet se është ambientuar disi me vështirësi në Zvicër, por tani ka një lumë ofertash drejtuar klubit të tij, Lokarnos
Armando Sadiku është ylli më i ri që po shkëlqen në futbollin zviceran. I transferuar në Zvicër në muajin mars si një anonim, ai i ka pushtuar zemrat e tifozëve të Lokarnos. Tani 20-vjeçari po shndrit edhe me përfaqësuesen U-21 të Shqipërisë. Paraqitjet e mira dhe golat e shënuar kanë bërë që elbasanasi të bëhet objektiv i shumë skuadrave nga Serie A, Bundesliga e Zvicra. Kur zbarkonte në FC Lokarno më 13 mars, nuk e njihte askush. Vetëm trajneri Davide Morandi dhe drejtori sportiv, Gabriele Gilardi, të cilët e kishin parë kur ka zhvilluar disa ndeshje miqësore në Itali. Futbollisti shqiptar ka befasuar menjëherë në Zvicër. Ai ka nuhatje për gol, i fuqishëm fizikisht dhe mbi të gjitha me dëshirë për të arritur diçka. I ka dhënë sinjalet e para në debutimin kundër Shafhausenit, ku ka kënaqur trajnerin Morandi, më 1 prill. Falë golit të tij në minutën e 63-të, Lokarno fitoi 2-1 si mysafir, për t’i rritur shpresat e mbijetesës. Nga ajo ditë, deri në fund të kampionatit, Sadiku shënoi 9 gola. Sigurisht, njerëzit pyesin se deri ku do të mund të arrinte po të luante nga korriku i vitit 2010. Ndërsa në 14 ndeshjet e para të sezonit të ri në Challenge League (liga e dytë zvicerane), ai ka realizuar 10 gola. “Me thënë të drejtën kisha shumë besim te vetja ime se do ecja mire, po kur erdha këtu mu desh pak kohë që të ambientohesha me ekipin. Po, të gjithë më kanë mbështetur shumë dhe çdo gjë pastaj shkoi shumë mirë”, ka thënë Sadiku për mediat kosovare. Përveç kësaj, sulmuesi nga Elbasani tani po shkëlqen edhe me përfaqësuesen U-21 të Shqipërisë. Në pesë ndeshje zyrtare të zhvilluara me shpresat kuqezi, Sadiku ka arritur të shënojë plot gjashtë gola. Golat e shënuar dhe dëshira për të arritur suksese, nuk u kanë shpëtuar syve të skuadrave si Xhenoa e Siena nga Italia, Munshengladbah e Freiburg nga Bundesliga, që kanë filluar të shprehin interesim për të. Mirëpo, këto nuk janë ekipet e vetme që e pëlqen futbollistin shqiptar. Ai është objektiv i Grasshopers, që, përmes Qirjako Sforzas ka bërë një ofertë të majme për ekipin e FC Lokarnos. E duan edhe skuadra të tjera të rëndësishme zvicerane si Thun, Jand Bojz e Servete, me këtë të fundit që po mendon seriozisht ta blejë talentin shqiptar. Edhe në jug të Alpeve, ekziston interesimi për Armando Sadikun. Belinzona ka bërë hapa të rëndësishëm, ndërsa Lugano po bën sondazh për të. “Të them të drejtën ka interesim nga këto klube, po tani duhet të presim që të shikojmë kush do të bëjë ofertën me të mirë. Nuk e di as vetë a do qëndroj apo jo. Jam duke e marrë me qetësi çdo ofertë që të bëj zgjedhjen e duhur bashke me menaxherin tim”, ka theksuar Sadiku. Ish-futbollisti i Elbasanit, tregon se do t’i pëlqente që karrierën ta vazhdoj në elitën e futbollist zviceran pasi tashmë është ambientuar me futbollin që zhvillohet në këtë vend. Por ai ka bërë të ditur se gjasat janë të mëdha që të transferohet edhe në Gjermani. Mirëpo, tifozët e Lokarnos janë të shqetësuar. Ata pyesin se çdo të ndodhë me ekipin e tyre të zemrës nëse largohet një lojtar që është i aftë të shënojë 15 gola në sezon.