E Diel, 1 Nëntor 2026

Lutaj nuk fiksohet pas rezultatit, kërkon lojë të mirë

Nga ELTON NIKA

Trajneri vlonjat thotë se pas lojërave të mira jashtë fushe, ka ardhur momenti që edhe fati të ndihmojë Flamurtarin

Flamurtari beson te fitorja në Ballsh. Trajneri i ekipit vlonjat, Edmond Lutaj, është shprehur i qartë se beson shumë tek ekipi i tij për ndeshjen e radhës me Bylisin, duke e cilësuar atë një nga takimet më të rëndësishme për Flamurtarin deri më tani në kampionat. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, pasi përballen dy ekipe që si objektiv kanë fitoren në këtë takim. Natyrisht, fakti që ekipi i Flamurtarit ka zhvilluar ndeshje të mira, më bën optimist për takimin në Ballsh.

Shpresoj dhe besoj shumë se do të dimë të shfaqim një ndeshje të mirë në fushën e lojës, duke mos u fiksuar te rezultati, por kryesisht te loja, pasi nëse luajmë ashtu si dimë dhe duam, jam i sigurt që do të marrim një rezultat shumë të mirë në Ballsh. Kundërshtari, sipas mendimit tim, është një ekip shumë i vështirë, por në futboll duhet të mendosh se nuk ka asgjë të pamundur për të fituar.

Gjendja e ekipit paraqitet e mirë dhe gjatë gjithë kësaj periudhe kam parë të futbollistët se janë në gjendje të zhvillojnë një ndeshje shumë të mirë. Në stërvitje kam parë optimizëm dhe kjo më bën edhe më të qetë për këtë ndeshje. Janë takime të tilla aty ku duhet të kërkosh të tregosh cilësitë e një ekipi që kërkon të jetë pretendentë dhe natyrisht besoj se kjo mund të ndodhë edhe në Ballsh.

Formacioni? Nuk do të ketë shumë ndryshime, duke u besuar futbollistëve që kanë dalë fitues në ndeshjet e fundit që kemi luajtur. Asnjë pikë për Flamurtarin në ndeshjet nën transfertë, kjo është e vërtetë, por unë kam thënë se, pavarësisht se nuk kemi marrë pikë në transfertë, ne kemi luajtur mirë dhe nuk i kemi merituar humbjet.

Ndoshta ka ardhur momenti i duhur që të hënën të marrim pikët edhe jashtë Vlore, pse jo, të fitojmë. Nuk është ky vetëm një objektiv për këtë ndeshje, por është një mendim i shprehur, duke parë gjendjen e ekipit që unë drejtoj. E vlerësoj maksimalisht kundërshtarin, pavarësisht momentit jo të mirë që po kalon dhe ndoshta këtë e shfrytëzojmë në favor. Besoj se do të jetë një takim  i bukur, – përfundon Lutaj, trajneri i Flamurtarit.

I aksidentohen prindërit, në dyshim Rajoviç
I aksidentohen prindërit në një aksident mbrojtësi malazes Rajoviç dhe ai është në dyshim për ndeshjen ndaj Bylisit. Mbrojtësi malazes është larguar për të parë nga afër gjendjen e prindërve të tij, të aksidentuar në një aksident automobilstik dhe, sipas informacioneve të fundit të përcjella nga klubi vlonjat, duket se Rajoviç mund ti bashkohet ekipit vetëm sot pak përpara takimit. Nëse Rajoviç nuk arrin të jetë pjesë e ekipit për këtë sfidë delikate, trajneri Lutaj ka në dispozicion tashmë mbrojtësin laçian Julian Brahja, i cili është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe mund të luajë nga minuta e parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›