E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapllanaj: Flamurtarin e shohim rival, ska më humbje për Bylisin

Nga AGIM METAJ

Presidenti i ballshiotëve, Besnik Kapllanaj, ka vënë premio për ndeshjen e sotme, duke kërkuar vetëm fitore

Ballshiotët, pas tri humbjeve radhazi në kampionat me skuadra rivale, përkatësisht me Teutën, Kastriotin dhe Tiranën, tashmë kërkojnë fitoren. Duke filluar që nga përballja e sotme, që do të zhvillohet në Adush Muça ndaj Flamurtarit.

Një ndeshje ndaj një rivali, por që për presidentin ambicioz të ballshiotëve, Besnik Kapllanaj, vlen vetëm tri pikë, sepse kjo skuadër e këtij sezoni nuk ka asnjë ndryshim me ekipet që sot kryesojnë superligën, qoftë në financa, staf apo përbërje lojtarësh.

Në një prononcim që ka dhënë dje për Sportin shqiptar, presidenti i Bylisit ka theksuar: Ndeshjen me Flamurtarin e kemi vlerësuar, sepse luajmë ndaj një rivali që, ashtu si ne këtë sezon, kërkon vendet e para të renditjes. Por, duke qenë se vijmë nga tri humbje radhazi, sot dua fitore.

Barazimi nuk më kënaq për objektivat që ne kemi dhe investimin që është kryer. Trajneri i ka vënë një gjobë skuadrës për humbjen që pësoi me Kastriotin në shtëpi, por unë premtoj se në rast fitoreje me Flamurtarin, do të hiqet gjoba, por do të ketë edhe premio për skuadrën, – u shpreh fillimisht njëshi i ballshiotëve, Besnik Kapllanaj.

Ambienti. Nuk ka tension në prag të ndeshjes me vlonjatët, absolutisht. Këtë sezon po e shohin të gjithë se jemi një skuadër që e do fair-play-n, edhe pse për hir të së vërtetës, jemi penalizuar në disa takime pa të drejtë. Këtë nuk duhet të na e marrin për dobësi. Sa u përket marrëdhënieve me Flamurtarin, çdo gjë është brenda normave mes drejtuesve. Ajo që ndodhi vjet ishte vetëm brenda kuadratit të fushës së blertë. Ballshi gjithmonë është shquar për mikpritje.

Përkundrazi, në Vlorë, kur ne i eliminuam vendësit për kupë, ngaqë nuk e gëlltitën disfatën, aty filluan incidentet. Gjithsesi, ato i përkasin së kaluarës, të gjithë në Ballsh janë përgatitur të shohin një Bylis ndryshe dhe me synimin e vetëm rikthimin te fitorja, – tha në mbyllje të prononcimit të tij, në prag të ndeshjes me Flamurtarin, presidenti i ballshiotëve, Besnik Kapllanaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›