E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamza nis të shkruajë historinë, Sejdini paralajmëron largimin

Nga Tirana, ANDI MATRAXHIU

Ziambo shënon 2 herë në portën e vendëse dhe i jep fitoren Kamzës, që triumfon në derbin e parë. Kësaj radhe sishte arbitri fajtori për Dinamon

Dinamo Kamza    0-2

Shënues: Ziambo 12, 45

 

Dinamo: Osmani, Malota (Kapaj 82) Marku, Kraja, Hoti, Daja, Peqini, Imami, Arifaj (Lala 32), Asllani (Xhemalaj 65), Shtini. Trajner: F. Sejdini.

Kartonë të verdhë: Arifaj, Belçev, Imami, Malota

Kamza: Bytyçi, Hallaçi, Ndreka, F. Tafaj, Ardit Beqiri, Ishka, Belçev, Pema, Karapici (Mici 63), Manuka (Dalipi 85) , Ziambo (H. Tafaj 70). Trajner: E. Gjoka.

Kartonë të verdhë: Belçev (2), Ardit Beqiri, Hallaçi, Mici

Karton i kuq: Belçev

Gjyqtarë: L. Jemini (Tiranë), D. Sala, Gj. Bori (Shkodër)

Radiografia

12- Ishka kroson në zonë, topi preket pak nga ana e Ziambos dhe përfundon në rrjetë.

22- Peqini ekzekuton një goditje standarde në të majtë, por Bytyçi është i vëmendshëm, teksa grushton në goditje këndi topin që po i drejtohej trekëndëshit të majtë të portës së tij.

44- Ziambo gjendet i lirë brenda zonës së rreptësisë. Pas një goditjeje këndi, gjuan, por devijon njëri nga mbrojtësit. Topi kalon në këndoren e krahut të djathtë, pas krosimit të Manukës kërcen Belçev me kokë dhe topi kalon ngjitur me traversën.

45+1- Manuka, nga krahu i majtë, harkon për Ziambon që me kokë brenda zone shënon,  2-0 për Kamzën.

52- Pema depërton bukur nga e djathta, godet me të majtën, por grushton Osmani, topi kthehet tek Karapici, i cili tenton të godasë, por iniciativa e tij përfundon shumë larg portës blu.

56- Imami gjuan fort një goditje standarte dhe pret në dy kohë portieri mik.

58- Daja gjuan fort nga distanca, por topi shkon ngjitur me shtyllën e majtë pingule.

90+2- Lala shkëputet bukur nga e djathta dhe i vetëm përballë portës mike godet mbi tra.


Dinamo ka pësuar një tjetër humbje, sërish pa shënuar asnjë gol në portën kundërshtare. Nëse më parë blutë kanë gjetur si përkrahje arbitrimin kundër, apo kushtet e vështira stërvitore, ndaj Kamzës gjërat kanë shkuar në mënyrën e duhur, pasi kryesori Jemini ka qenë në lartësinë e duhur për të drejtuar blutë. Ndërsa problemet e kompleksit edhe mund të harrohen për 90 minuta.

Ndërkohë që trajneri Faruk Sejdini pas ndeshjes, tepër i pikëlluar nga humbja e të tijve, ka paralajmëruar dorëheqjen nga drejtimi i bluve. Por veç fajit të trajnerit dhe arbitrave më parë, fusha e blertë tregoi se disa nga lojtarët dinamovitë duhet të mendojnë më mirë për fanellën që mbajnë veshur dhe nuk janë shenjtorë në këtë ecuri të Dinamos.

Asnjë sakrificë për të treguar se vërtet këta lojtarë, të cilët edhe media i ka përkrahur për peripecitë që po kalojnë, kanë dështuar gjatë 90 minutave. Kamza, nga ana, e saj ka bërë një lojë racionale, duke marrë tri pikët në Qemal Stafa. Ndërkohë që Dinamo vazhdon të notojë në ujëra të thella dhe nuk dihet se kur Nëndetësja do të dalë mbi sipërfaqe.

Pjesa e parë Dinamo e ka nisur me mungesa këtë sfidë, siç ishin ato të paralajmëruara të kapitenit Kuli dhe mesfushorit Deliallisi. Kamza në krahun tjetër është në fushë me formacionin e saj më të mirë. Një gol i Ziambos, pas krosimit të Ishkës, u jep avantazhin kamzalinjve shumë shpejt. Teksa krosimi i ish-mesfushorit të Dinamos përfundon në rrjetë duke pasur si bashkëpunëtor Ziambon me një devijim të lehtë, por edhe mbrojtjen e bluve që hezitojnë duke mashtruar edhe portierin Osmani.

Më pas vjen edhe dyfishimi i rezultatit nga ana e Dinamos, ku Ziambo me kokë gjen golin ndaj ish-ekipit të tij për të dytën herë.  Përpiqet Dinamo, por është e pafuqishme të gjejë rrugën e rrjetës. Trajneri Sejdini ndryshon Arifajn me Lalën, por sërish simfonia e bluve nuk ndryshon. Me rezultatin e pastër 2-0 në favor të miqve mbyllet fraksioni i parë.

Pjesa e dytë Dinamo mundohet të ngushtojë diferencat, por veç një goditjeje të Imamit nga ence, sulmi blu është tepër apatik. Në krahun tjetër kamzalinjtë kundërsulmojnë bukur me Manukën nga e majta dhe Pemën nga e djathta, ndërkohë që Ishka-Belçev mbrojnë mirë në mesfushë, ndërsa Karapici mendon për fantazinë. E lehtë të ekzaminosh Kamzën edhe në mbrojtje, ku Ardit Beqiri, Ndreka, F. Tafaj dhe Hallaçi janë në formë dhe i japin siguri Bytyçit midis shtyllave.

Por tepër e vështirë të gjykosh një Dinamo enigmatike në fushën e blertë.  Është munduar trajneri Faruk Sejdini të bëjë disa zëvëndësime për të ndryshuar rrjedhën e lojës, por sërish blutë janë të pafuqishëm përpara portës kundërshtare, ashtu si në pjesën e parë. Ndeshja e djeshme nuk u ngrit asnjëherë në nivele mesatare. Tifozët e paktë në stadium dukeshin të përgjumur. Por sigurisht kamzalinjtë janë të kënaqur me këtë tripikësh, i cili shijon përballë Dinamos, një emër i madh i futbollit shqiptar, pavarësisht momentit të keq që po kalon.

Sejdini: Do të shikoj pozicionin tim pas humbjes

Eshtë e vërtetë që u bë në Qemal Stafa dhe nuk pati trysni. Nuk ka më justifikime për aq sa kemi bërë. Ky ekip ndoshta nuk bëhet më, edhe pse mungoi Kuli e Deliallisi, të cilët në këtë moment peshojnë shumë. Pra, problemi është s nuk ka frymëmarrje, pjesa tjetër është ajo  që u pa, ku unë u mundova ti aktivizoj për ti dhënë ekipit forca të reja. Është një kohë e gjatë dhe kemi shënuar një a dy gola.

Kjo ndeshje më bën të mendoj edhe për qëndrimin tim, sepse nuk më vjen mirë që kjo Dinamo të dalë nga kategoria me mua pjesëtar. Secili ka fajet e gabimet e veta, por duke marrë parasysh në historikun tim sportiv, ku kam kampionate dhe kupa, nuk dua që të mbetet kjo tek unë, pra doli Dinamo nga kategoria me mua në krye. Kjo më shtyn më shumë të shikoj pozicionin tim për më tutje.

Gjoka: Edhe pse e vuajtur, fitore e bukur
Një fitore e bukur dhe e vështirë, sepse Dinamo ka problemet e veta, por ne kemi qenë të stresuar gjatë javës, pasi duhej të fitonim. Ishim shumë të përqëndruar në lojë derisa shënuam. Pra, u çliruam dhe vazhduam lojën tonë. Fillimi i ndeshjes ishte pak i vështirë për ne. Morëm tri pikë të mira jo vetëm se fituam me Dinamon, por edhe se është një tripikësh transferte. U ndëshkuam me shumë kartonë dhe ky është një problem për ne.

Ne kemi objektivat tona, të jemi pjesë e superligës dhe të mos rrezikojmë. Ne po bëjmë detyrën për aq sa na takon. Do vazhdoj edhe më tej me fitore. Që tani kemi nisur të mendojmë për ndeshjen e radhës përballë Shkumbinit. Fitoret ndaj rivalëve janë tepër domethënëse, sepse si Dinamo edhe Shkumbini janë përfshirë në ethet e mbijetesës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›