E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, sdi të ndalet, Nica fajëson gjyqtarët për humbjen

Nga BUJAR RAMA

Bardheblutë sërish me fat në fund të ndeshjes, tashmë konsolidojnë pozitat në krye dhe mprehin shpatën para Skënderbeut

APOLONIA TIRANA     12

Shënues: Gërço 11/  Naçi 39 (autogol), Pisha 88

APOLONIA: Xhelilaj, Cimili, Mehmetaj, Ndoni, Naçi (Pasha 80), Ofoyen, Muçaj, Da Silva, Agastra, Gërço, Ribaj. Trajner: Dh. Papuçiu.

Kartonë të verdhë: Ndoni, Gërço, Mehmetaj

 

TIRANA: I. Lika, Sina, Pisha, Dushku, Ahmataj (Kalari 81), Karabeci,, Taku, Duro (Ferraj 46), G. Lika, Bala, Morina (Tushe 74). Trajner: H. Rubio.

Kartonë të verdhë: Sina, Tushe, Ferraj

Gjyqtarë: E. Hoxha, G. Koka, B. Vargu (Lezhë)

Radiografia

5- Gërço ka gjuajtur në drejtim të portës mike, Dushku, duke tentuar për ta larguar jashtë, për pak sa nuk shkakton autogol.

11- Goditje dënimi prej 30 metrash për skuadrën fierake, në një pozicion të prirët nga e majta e sulmit vendës. Është Gërço që gjuan fort, me të djathtën e tij, tokazi dhe topi pushton rrjetën e bardhebluve. Apolonia në avantazh dhe gjithë stadiumi në ovacion.

20- Tjetër goditje dënimi nga distanca për Apoloninë, atje ku kapiteni Gërço ka provuar sërish me një gjuajtje të vështirë për Likën e portës bardheblu, i cili pret jo shumë i sigurt.

32- Ofoyen ka nisur një top të gjatë nga thellësia e mesfushës fierake, drejt zonës kundërshtare, atje ku Ribaj ka kaluar në garë shpejtësie Dushkun, shfaqet i vetëm para Likës, po gjuan jashtë.

39- Kuqeziu Klodian Duro, vallëzon në prapavijën fierake, duke shmangur plot tre futbollistë nga krahu i majtë i sulmit bardheblu, provokon me një top të saktë drejt zonës te Gilman Lika dhe, ky i fundit, akoma më në thellësi drejt qendrës, duke detyruar mbrojtësin fierak Naçi që të mos ketë rrugë tjetër, por të shënojë në portën e tij, 0-1.

56- Da Silva, më i mirë në fushë për të dyja skuadrat, pasi është orientuar mirë nga e majta, ka pasuar në qendër te Gërço, i cili, në pozicion ballor, gjuan fort nga një distancë e konsiderueshme dhe Lika që bën një grushtim të vështirë, duke i bërë dhuratë Ribajt një top goli, që gjuan jashtë me kokë.

64- Mbrojtësi Naçi tregohet sërish jobindës në ndërhyrjen e tij dhe topi shkon te Sina, i cili kërkon të përfitojë nga gjuajtja e Xhelilajt, por nuk gjen kuadratin e portës fierake.

80- Da Silva ka nxjerrë blof Sinën, pason te Ribaj, por ky i fundit konfirmon edhe një herë se ndodhet larg mundësive të veta në kampionat.

88 – Dushku ka hedhur një top në zonën fierake, ka rrëmujë ndërsa sfera shkon e qetë drejt Pishës, i cili ndodhet bosh, ngjitur me vijën fatale gjuan me kokë dhe e shtyn topin në rrjetë. Apolonia-Tirana 1-2.

Apolonia ka humbur ndeshjen e tretë radhazi në kampionat, megjithëse këtë herë ka zhvilluar një lojë të mirë kundër bardhebluve dhe ka merituar më shumë. Fierakët kanë qenë një skuadër më kërkuese dhe e kanë zotëruar ndeshjen në pjesën më të mirë, por nuk kanë mundur të dominojnë përballë përvojës së bardhebluve, duke humbur një ndeshje në minutat e fundit, pikërisht atëherë kur nuk duhej. Kështu, fierakët ndërlikojnë pozitat në renditje, ndërsa bardheblutë konfirmohen edhe pas javës së shtatë në krye të tabelës së klasifikimit.

Pjesa e parë Trajneri Papuçiu bën disa lëvizje në formacion, duke vendosur si mbrojtës të djathtë mesfushorin Çimili dhe të riun Naçi në të majtë, për të shtyrë në mesfushë Ofoyen dhe Da Silvën. Fillimi i takimit ka qenë i shpejtë, i vrullshëm dhe më i mirë për fierakët, të cilët marrin iniciativën dhe lëvizin mirë nën dirigjimin e kapitenit Julian Gërço.

Ky i fundit është vënë në ndihmë të Ribajt dhe Agastrës në vijën e parë dhe e kërkon rrezikun drejt portës së Likës nga pozicione të ndryshme, sidomos përmes gjuatjeve nga distance. Kështu dhe në minutën e 11 – të, kur, nga një goditje dënimi në distancë, kapiteni i Apolonisë do të gjuajë saktësisht me të djathtën e tij dhe i kalon bardhejeshilët në avantazh. Goli u jep qetësi vendësve, të cilët, gjithsesi, vazhdojnë të mbeten të rrezikshëm.

Ndërkohë, nga ana tjetër, mesfusha mike fillon të tregojë gradualisht aftësitë e veta, duke bërë diferencën në fushë dhe duke marrë frenat e lojës. Duro, Karabeci e Lika fillojnë të bëhen ngacmues për mbrojtjen fierake dhe, në minutën e 39-të, përvoja e Duros do të gatuajë dhe golin e barazimit.

Pasi ka shmangur thuajse të gjithë mbrojtjen e Apolonisë, veterani do të pasojë në mënyrë të përpiktë në zonë dhe shkodrani Lika ka detyruar mbrojtësin e ri Naçi të shkaktojë autogol. Skuadrat sikur pajtohen me këtë rezultat për pjesën e parë dhe shkojnë të qeta në pushim të ndeshjes.

Pjesa e dytë Fraksioni i dytë i ndeshjes detyron trajnerin mik Rubio të hedhë në fushë Ferrajn për Duron, ndërsa Apolonia luan me të njëjtët futbollistë që mbyllën 45-minutëshin e parë. Janë fierakët që kanë më tepër epërsi, madje e përmirësojnë ndjeshëm lojën krahasuar më pjesën e parë. Da Silva dhe Gërço janë në formë të shkëlqyer dhe krijojnë panik të vazhdueshëm në zonën bardheblu.

Megjithatë, mbrojtja mike është në lartësinë e detyrës, e ndihmuar pse jo dhe nga forma e dobët e sulmuesve të Apolonisë. Janë disa aksione radhazi sa nga krahët drejt qendrës të fierakëve, por goli mbetet larg. Bardheblutë sikur nuk janë në fushë, por Rubio ndihet i qetë, pasi, me sa duket, ai u beson përvojës së të tijve. Minutat shtyjnë njëra-tjetrën dhe krijohet përshtypja se ndeshja shkon drejt një barazimi të përligjur.

Por në minutën e 88-të, pas një pakujdesie të radhës në mbrojtjen e brishtë të Apolonisë, Pisha vjen në ndihmë të sulmit për të shënuar një gol shumë të vlefshëm tripikësh. Miqtë nuk e besojnë as vetë, por realisht janë në avantazh dhe kanë sigluar një fitore shumë të çmuar e të mundimshme, me rezultatin 2-1.

Apolonia ka humbur, por nuk e ka merituar, pasi ka zhvilluar lojë më të mirë se bardheblutë dhe barazimi do të ishte rezultati më i paktë për bardhejeshilët. Por teoria e futbollit Po nuk shënove, do pësosh, është e njohur dhe Apolonia ka vuajtur edhe në këtë takim nga apatia e vijës së parë. Tirana kryesuese ia lë stafetën Flamurtarit dhe Apolonia do ta ketë edhe më të vështirë në transfertën e radhës në javën VIII.

TË VEÇANTA

- Nga presidenca fierake nuk ka qenë në ndeshje as Kokëdhima, as Zeqaj, ndërsa nga bardheblutë ka rënë në sy veç të tjerëve donatori Halili dhe prefekti Keltis Kruja.

- Julian Gërço dje nuk e ka pasur shiritin e kapitenit në krahun e tij.

- Apolonia ka fituar për herë të fundit kundër bardhebluve para tri sezonesh, pikërisht më 2008-2009, kur Agim Meto e Mlladen Brkiç do të vulosnin shifrat 2-0 për bardhejeshilët.

- Është e treta humbje radhazi në kampionat e Apolonisë. Fierakët kanë humbur meTeutën (0-1), Kastriotin (0-2) dhe Tiranën (1-2). Ndërkohë, duhet theksuar se, duke llogaritur edhe takimin e kupës, fierakët kanë tri ndeshje që nuk fitojnë në fushën e vet: me Teutën e Tiranën në kampionat dhe Laçin (1-3) në kupë.

- Gërço është një futbollist që shënon gola të rëndë. Pasi ka shënuar në javën e parë kundër Dinamos, mesfushori fierak e ka bërë diçka të tillë edhe këtë javë ndaj bardhebluve dhe, në të dyja rastet, përmes goditjeve të dënimit.

Nica: Gjykimi vendosi, po dëmton Apoloninë

Pas ndeshjes, trajneri i

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›