Lutaj stop euforisë: Para është Apolonia, smendoj për Skënderbeun
Trajneri vlonjat është i kënaqur nga ecuria e ekipit që drejton, por thotë se pikërisht tani duhet kujdes, për të vijuar kështu
Trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, dukej qartë se pas fitores me Bylisin ka qenë personi ndoshta më shumë i gëzuar për tri pikët në Ballsh. Jo vetëm për fitoren, por ajo që duket se e ka kënaqur Lutajn ka qenë loja e ekipit të tij. Sipas vetë trajnerit, ekipi ka treguar qartë se është në rrugë të mbarë. Tashmë, duke e analizuar ndeshjen me mjaft vëmendje, mund të shohim se kemi arritur një fitore me mjaft vlera, e cila tregoi se Flamurtari është aty ku e meriton të jetë.
Nuk ishte hakmarrje, nuk më interesojnë shumë këto gjëra, ishte një fitore me vlera, që do të na vlejë maksimalisht për ecurinë e sezonit, ndaj duhet të tregojmë se tri pikët në Ballsh nuk janë një rastësi. Jam i gëzuar edhe për të gjithë futbollistët, të cilët janë ndier mjaft mirë pas fitores, por në një mënyrë të veçantë dua të falënderoj futbollistin malazes Rajoviç, që ka sakrifikuar duke qenë pranë ekipit dhe në fushën e lojës.
Rajoviç ka luajtur me brengën e dëmtimit të prindërve në aksident, por si profesionist i vërtetë arriti në kohë dhe ishte pjesë e ekipit. Gjesti i tij tregon edhe frymën që mbizotëron në ekipin e Flamurtarit, një grup që është i bashkuar maksimalisht dhe natyrisht po tregon vlerat e tij ndeshje pas ndeshjeje, ka theksuar trajneri Lutaj.
Besimi Nuk mund që përpara takimit të mendonim për humbjen, pasi distanca me kreun shkonte në katër pikë, ndaj dua të them diçka. Kam besuar shumë edhe kur ishim në disavantazh dhe natyrisht kur ndeshja ka mbaruar, jam ndier i lehtësuar. Por ai takim përfundon me aq, tashmë stop euforisë dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës. Luajmë përballë Apolonisë dhe duhet të vijojmë në rrugën e suksesit.
Në Ballsh kam parë një ekip që ka ditur se çfarë kërkonte, futbollistët ishin të karikuar plotësisht për të dhënë më të mirën e tyre në fushën e lojës. Pavarësisht se kam ndonjë vërejtje për pjesën e parë, mendoj se në 45 minutat e dyta në fushë ka luajtur vetëm Flamurtari. E rëndësishme ishte që kemi kërkuar fitoren, nuk jemi demoralizuar asnjëherë, pavarësisht golit të Bylisit dhe kjo më gëzon.
Flamurtari pak nga pak po arrin atë që kërkojmë të gjithë dhe këtë e kemi shprehur edhe kur nisi sezoni se duhet të presim javë pas jave për konsolidimin e skuadrës. Flitet për transfertën e radhës, por unë as e mendoj, në prag është ndeshja me Apoloninë. Ndeshjet janë me radhë, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm, sepse duhet të vijojmë fitoret.
Këtë radhë do të luajmë në fushën tonë dhe, duke parë praninë e tifozëve në Ballsh, jam i bindur se numri i tyre në takimin e radhës do të jetë mjaft i lartë. Kjo fitore na jep shumë gëzim, moral dhe dëshirë për të vijuar në këtë rrugë, – përfundon trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj.
Vlonjatë, shpërblim për fitoren në Ballsh
Fitorja me Bylisin sjell edhe premio për futbollistët vlonjatë. Gjithçka ka qarkulluar dhe ndoshta është konfirmuar nën zë gjatë stërvitjes së ekipit. Nuk dihet shuma që mund të përfitojë çdo futbollist i Flamurtarit për fitoren në Ballsh, por duket se ndoshta premioja për këta të fundit mund të jepet në prag të takimit me Apoloninë.
Gjithsesi, edhe pse për fitoret jashtë fushe vlonjatët e kanë në kontratë vlerën e lekëvë që përfitojnë, duket se për fitoren në Ballsh mund të ketë edhe ndonjë ndryshim për futbollistët me premio të konsiderueshme për futbollistët e Flamurtarit.
