E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeqo: Më shumë më gëzoi këmba e Daniel Xhafajt

Nga LEONARD TREBICKA

Presidenti deklaron se Skënderbeu po rikthehet, por të vërtetin do ta shikojmë pas 2-3 javësh dhe shumë afër kreut të renditjes

Skënderbeu është rikthyer te fitorja numër dy për djemtë e Levit, ndërkohë që me këtë tripikësh kampionët janë ngjitur në kuotën e 10 pikëve, duke pasur një distancë 6 pikë me kreun. Fitorja ndaj krutanëve kishte vlera, sepse në Korçë u ndal një skuadër pretendente, siç është Kastrioti.

Katër ndeshjet e ferrit për Skënderbeun filluan që të hënën që kaloi dhe tashmë kanë mbetur edhe tri të tjera, duke filluar që këtë javë ndaj Tiranës në kryeqytet dhe për të vijuar më pas me Flamurtarin në Korçë dhe në Loro Boriçi ndaj Vllaznisë. Atmosferën e fitores së fundit korçarët po e përjetojnë akoma, edhe për atë se fitore të tilla në këtë superligë Skënderbeu i ka me pikatore.

Presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo, ka mbetur shumë i kënaqur nga kjo fitore dhe duhet theksuar se ai ka gëzuar shumë në tribunë pas golit të Xhafajt, duke qenë edhe ai pjesë e festimeve jo vetëm të golit të fitores, por veçanërisht të golit të munguar të vlonjatit.

Zeqo për Xhafajn Në radhë të pare, dua të them se fitorja ishte shumë e rëndësishme. Ne e dinim shumë mirë që në këtë 90-minutësh na duhej vetëm tripikëshi dhe këtë e arritëm në fushë, me lojë dhe rezultat. Pa diskutim që të gjithë u gëzuam për këtë tripikësh dhe falënderoj në mënyrë të veçantë edhe sportdashësit, të cilët ishin më të shumtë në numër në shkallët e stadiumit. Ky tripikësh merr vlera më të mëdha edhe për atë se erdhi nga këmbët e Xhafajt.

U gëzova shumë për të dhe tani them se vlonjati nuk ka për tu ndalur më. Të njëjtën gjë pres tani vetëm nga Muzaka, sulmuesi tjetër, i cili akoma nuk e ka fituar besimin dhe prandaj nuk shënoi edhe ndaj Kastriotit, pavarësisht se rastet nuk i munguan. Gjithsesi, pavarësisht se ne u kënaqëm të gjithë pas kësaj fitore, dua të shtoj se nuk është akoma ajo skuadër që unë pretendoj. Pas 2-3 javësh them se keni për të parë një Skënderbe totalisht tjetër.

Tirana Të dielën që vjen, në ndeshjen e radhës, kampionët do të kenë provën e vërtetë të këtyre 8 javëve të para, pasi do të udhëtojnë për tu ndeshur me Tiranën, që kryeson superligën me plot 6 pikë larg Skënderbeut. Është e vërtetë që këtë javë kemi një ndeshje shumë të vështirë për të luajtur ndaj Tiranës, por jam i sigurt që në kryeqytet do të shohim për herë të parë futboll të bukur, mes dy skuadrave pretendente.

Ndaj Tiranës do të shkojmë me të vetmin objektiv për të mos dalë pa gjë, ndërkohë që këtë do ta tregojë fusha e lojës. Me bardheblutë kemi për të marrë edhe një hak, pasi na morën Superkupën në Korçë dhe ne shkojmë për tu kthyer vizitën dhe për ti mundur në kryeqytet, – mbyll prononcimin e tij të djeshëm presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo.

Levi: Ftohtë në Korçë, por më ngroh ekipi

Trajneri çek thotë se skuadra e tij nuk është akoma në ditët më të mira, pasi edhe sulmuesit nuk shënojnë

Pas plot 21 ditësh, ose ndryshe tri javësh në krye të stolit korçar, për çekun e Skënderbeut, Stanislav Levi, ka ardhur edhe fitorja e parë në kampionat. Në fakt, Levi, në krye të Skënderbeut në tri javë ka zhvilluar 5 ndeshje, por dy prej tyre për kupë, teksa të dyja, ndaj Besës dhe Kastriotit, i ka fituar.

Në kampionat, Levi në stolin e Skënderbeut, ka barazuar ndaj Kamzës, ka barazuar sërish ndaj Teutës në Durrës dhe ja vjen së fundi kjo fitore 1-0 ndaj Kastriotit, duke bërë që çeku të gëzohet, pasi vërtet ka sjellë një ndryshim të madh në skuadrën korçare. Më vjen mirë që fituam dhe jam maksimalisht i kënaqur nga kjo fitore. Ndeshja e fundit ishte me shumë cilësi në fushë dhe me ritëm, gjë që u pa nga të gjithë. Në fushën e lojës ishim ne dhe vetëm ne ata që e meritonim fitoren.

Pas golit të parë dhe të vetëm të Xhafajt, doja që skuadra të ishte me agresive përpara portës mike, ndërkohë që rastet e tjera duhej ti shfrytëzonim. Për sa i përket uljes në stol të Vrapit, dua të them se ai është një lojtar me shumë kualitete, por në ndeshjet që ne kemi zhvilluar mbrojtja ka qenë në lartësinë e duhur dhe më vjen vërtet keq që Vrapi ndodhet në stol. Të gjithë duhet të punojnë më shumë dhe unë e kam theksuar edhe herë të tjerë që kush ta meritojë do të luajë në formacion, thotë trajneri çek.

Çeku për Korçën Banoj vetëm 100 metra larg stadiumit dhe e kaloj ditën me njerëzit më të afërt të mi, por në 24 orë që ka dita, unë 24 orë jetoj vetëm me futbollin. Edhe pas kësaj fitoreje ndaj Kastriotit më duhet të mendoj, të shikoj video dhe gjithçka tjetër vetëm për futbollin.

Gjatë javës që kaloi kam dhënë edhe një intervistë në gazetën më të madhe sportive në Çeki, teksa edhe atje jam shprehur se jam surprizuar nga Shqipëria dhe nga Korça në veçanti. Kam thënë se në Shqipëri e dashurojnë shumë futbollin, ndërkohë që nuk u kthehem asnjëherë vendimeve që marr. Në këtë qytet bën shumë ftohtë, por mua më ngroh më shumë Skënderbeu,” – mbyll fjalët e tij çeku Stanislav Levi.

Dje një seancë, sot dy, paradite e pasdite

Ndryshe nga herët e tjera, ekipi i Skënderbeut ditën e djeshme ka zhvilluar një seancë stërvitore, e cila u zhvillua në orën 11:00 të mesditës në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”. Kjo seancë mund të quhet shkrydhëse për të gjithë futbollistët, sepse nuk ka pasur ngarkesë të lartë, ndërkohë që qysh sot do të fillojnë sërish dy seancat ditore.

Sot, në orën 11:00, skuadra do të zhvillojë përsëri një seancë, ndërkohë që pasdite, në orën 15:00, do të kryhet edhe një tjetër, ku në orët e pasdites mendohet që ngarkesa të jetë më e madhe. Futbollistët e Skënderbeut nuk kanë më kohë që të çlodhen, pasi përpara kanë një ndeshje të rëndësishme, siç është ajo ndaj Tiranës dhe deri të shtunën, kur të kryhet edhe stërvitja e fundit, ngarkesa do të jetë e lartë për të gjithë kampionët.

Biskup, i vetmi që rrezikon ndaj Tiranës

Pas fitores ndaj Kastriotit në Korçë, kampionët kanë filluar të mendojnë menjëherë për Tiranën, ndërkohë që gjendja e futbollistëve duket se është e mirë, duke përjashtuar vetëm kroatin e mesfushës, Luko Biskup. Mesfushori u ndërrua në minutën e 80-të, teksa pësoi një dëmtim në këmbë dhe, sipas stafit mjekësor, lojtari nuk ka kryer as stërvitje ditën e djeshme. Mjeku Jorgo Pantazi ka theksuar se pritet që gjatë ditës së sotme Biskupit ti bëhet edhe një eko, në mënyrë që të shikohet shkalla e dëmtimit.

Nëse vetë ekoja do të tregojë se ka një tërheqje, atëherë qysh në këtë moment do të deklarohet mungesa e parë për Skënderbeun ndaj Tiranës. Për sa u përket të tjerëve, nuk ka asnjë problem, ndërkohë që në përballjen ndaj bardhebluve do të jenë katër korçarë me nga dy të verdha, duke rrezikuar ndeshjen pasardhëse ndaj një ekipi tjetër, si Flamurtari. Bratiç, Vrapi, Arapi dhe Biskup janë katër lojtarët që kanë deri tani dy kartonë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›