Hyshmeri: Kam të tjerë gola me peshë për Teutën
Autori i dy golave për durrsakët, Renato Hyshmeri, pohon se më shumë rëndësi ka që ekipi është në krye
Jam i lumtur që kam shënuar gola me peshë për Teutën dhe po kështu do të vazhdoj edhe në të ardhmen. Kështu shprehet mesfushori i Teutës, Renato Hyshmeri, i cili përveçse është një nga lojtarët më të mirë të Teutës, ka shënuar një tjetër gol të rëndësishëm. Hyshmeri u ka dhënë fitoren durrsakëve në ndeshjen kundër Flamurtarit me një goditje nga distanca, ndërkohë që edhe kundër Tomorrit ka lëshuar një tjetër predhë që tronditi beratasit. Jam i lumtur që kam shënuar dy gola të bukur dhe me peshë për ekipin.
Nuk ndalem këtu, por do të vazhdoj me gola të tjerë që kam dëshirë të kenë po këtë peshë edhe në të ardhmen. Është e vërtetë që kam shënuar që të dy golat nga larg dhe më pëlqen goditja nga distanca në dinamikën e aksionit sulmues. Golin tim ia dedikoj stafit drejtues dhe të gjithë shokëve të ekipit, pasi me të vërtetë kam gjetur një ambient tepër të ngrohtë e miqësor në Durrës, madje me këtë rast përshëndes edhe tifozët durrsakë, që më kanë përkrahur vazhdimisht, vijon mesfushori elbasanas.
Vijëmësia Hyshmeri beson se ekipi mund të ruajë vazhdimësinë pozitive dhe në takimet e ardhshme, teksa thotë: Kemi një grup të konsoliduar dhe që është mjaft i uritur për rezultate pozitive. Jemi shumë të kënaqur që kemi nisur mbarë, por kemi shumë rrugë për të bërë deri në fund. Skuadra është përforcuar me shumë lojtarë, duke krijuar një grup të kompletuar në të gjitha repartet.
Tashmë të gjithë dëshirojmë që ky grup të funksionojë sa më mirë, ashtu siç ka ndodhur deri tani dhe Teuta të jetë mes skuadrave më të forta të sezonit. Deri tani besojmë dhe e treguam që jemi të fortë, por duhet të ruajmë këtë vazhdimësi pozitive dhe të mbajmë kreun dhe shpresojmë të mbetemi në krye, thotë në fund mesfushori i Teutës, Renato Hyshmeri.
