Ziambo: Bëra detyrën, keqardhje për Dinamon
Kamza në derbin me Dinamon ka arritur disa gjëra pozitive, si fitorja e parë në transfertë, triumfuese e derbit të parë blu, por të gjithë erdhën nga gjetja e rrugës së golit nga afrikani Januari Ziambo. Duhej të vinte java e 7-të që në listën e shënuesve të Kamzës të shohet edhe Ziambo. Sulmuesi ndihet i kënaqur me atë dygolësh që shënoi, por nga ana tjetër ndien keqardhje për ish-skuadrën e tij. Mosgjetja e golit më kishte stresuar disi, pasi rastet i kam pasur.
Fati deshi që golat e parë për Kamzën tia shënoj ish-skuadrës sime të preferuar, Dinamos. Më vjen keq për faktin se ku ka përfunduar një emër i madh si Dinamo, por nga ana tjetër jam i kënaqur që u zhbllokova, duke shënuar dy herë. Në futbollin shqiptar Dinamo është skuadra ime e zemrës, por në derbi isha me fat dhe e bëra si duhet detyrën si sulmues i Kamzës. Me këtë fitore në transfertë Kamza konfirmon momentin e saj të mirë dhe them se skuadra është në rrugën e duhur.
Si debutuese, Kamza paragjykohet si skuadër pa emër, por realiteti është ndryshe. Ekipi ynë ka plot lojtarë të konfirmuar, që superligën e kanë pasur shtëpinë e tyre me Partizanin dhe Dinamon, kështu që rezultatet në këto javë nuk janë rastësi,- u shpreh sulmuesi i Kamzës, Januari Ziambo.
