E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia ndryshon stafin, ikin Plori e Dani dhe vjen Sinani

Nga GJERGJ KOLA

Ndryshimi i trajnerit ka sjellë edhe lëvizje të tjera në stolin kuqeblu, teksa sulmuesi Sinani do të bëjë edhe rolin e ndihmësit të Vatës

Emërimi i një trajneri të ri në krye të Vllaznisë ka sjellë edhe ndryshime të tjera në pankinën shkodrane. Kështu, Elvis Plori dhe Avenir Dani nuk do të jenë më zëvendëstrajneri dhe trajneri i portierëve të kuqebluve. Ky është vendimi që është marrë nga Vata, pasi është konsultuar edhe me drejtuesit e klubit. Në vend të Plorit ka ardhur Vioresin Sinani. Sulmuesi i njohur, ndonëse në aktivitet, ka pranuar të bëjë edhe detyrën e zëvendëstrajnerit.

Me sa duket, ka qenë një kërkesë e Vatës për ta pasur përkrah goleadorin e njohur, ajo që ia ka prishur mendjen këtij të fundit. Sinani, në fakt, ndonëse është në fund të karrierës, nuk ka shfaqur asnjëherë interes për tu bërë trajner. Pikërisht në lidhje me këtë gjë, vetë Vata ka thënë dy fjalë për gazetarët:

Sinani do bëjë dy detyra, atë të zëvendëstrajerit dhe atë të futbollistit. Dy detyra të tilla nuk i bën kushdo, por një njeri me vlera të rralla, siç është Sinani. Fjalë të goditura dhe mbase ky binom do të bëjë gjëra të mirë së bashku. Nëse Viori ka pranuar këtë herë të punojë përkrah Vatës, e ka bërë këtë gjë për të mirën e Vllaznisë.

Trajneri i portierëve Por nëse është gjetur zëvendëstrajneri, ende nuk dihet se kush do jetë trajneri i portierëve. Largimi i Danit ka lënë një vend vakant dhe drejtuesit e klubit janë duke parë të gjitha mundësitë që të gjejnë një trajner të ri. Emri më i mundshëm dhe i vetmi në Shkodër i këtij zanati është ai i të mirënjohurit Paulin Ndoja.

Ai, ndonëse 65 vjeç, pak ditë më pare, gjatë dekorimit nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë Mjeshtër i Madh, deklaroi: Jeta ime pa futbollin nuk është asgjë. Nuk do ndihem mirë nëse nuk kthehem edhe një herë te Vllaznia për të kontribuar për të, ashtu siç kam bërë për vite me radhë. Dëshirën e ka dhe ndoshta tani ka mbetur vetëm të bisedohet më konkretisht nëse Vata e ka dëshirë ta ketë në stafin e tij.

Përvoja e Ndojës është shumë e madhe, pasi prej duarve të tij kanë dalë të gjithë portierët e Vllaznisë këto 25 vitet e fundit. Madje edhe drejtori sportiv i emëruar së fundi nga klubi shkodran, Armir Grima, është produkt i tij. Kjo ndoshta do të çojë në emërimin e Ndojë sërish si trajner i portierëve të kuqebluve.

Përgatitësi atletik Por nëse kjo është dilemë, një risi në stafin shkodran është edhe emërimi i Arben Parmezës në postin e trajnerit të përgatitjes fizike. Parmeza ka punuar edhe më parë me ekipet e futbollit në këtë post, fillimisht tek Akademia Vllaznia dhe së fundi ka qenë trajner i ekipit të femrave The Door.

Në fakt, para se të vinte Parmeza, Vata bëhet e ditur se ka dashur të marrë me vete një trajner të përgatitjes fizike, me të cilin ka punuar në Skoci e që së fundi ka qenë në detyrë tek Aston Vila, por kërkesat e larta financiare të tij e kanë bërë të pamundur këtë gjë. Epoka Vata në këtë mënyrë ka nisur me ndryshime në stafin e tij.

Ndryshime në fakt të pritshme, duke pasur parasysh idenë e trajnerit të ri për të sjellë përvojë të re te skuadra. Rudi është prezantuar dje pasdreke para skuadrës nga administratori i klubit Kujtim Shaba dhe drejtori sportiv Armir Grima. Në ato pak fjalë që ka thënë trajneri i ri para lojtarëve, u ka kërkuar atyre të kenë dëshirën për të punuar të gjithë së bashku për të ndryshuar situatën te Vllaznia.

Vata e nis me vrap: Të mos humbim kohë!

Trajneri i ri i Vllaznisë u ka kërkuar të gjithëve të bashkëpunojnë për të ngritur ekipin që do Shkodra

Ka mbërritur në fushën sportive të Shtojit aty rreth orës 14.00, i shoqëruar nga Sinani. Ka hyrë në dhomën e zhveshjes dhe menjëherë ka filluar të bëhet gati për stërvitje. Rudi Vata e ka marrë me shumë dëshirë detyrën e trajnerit të Vllaznisë. Vishet me kostum sportiv, më pas, përshëndetet me ata tifozë që janë të pranishëm pranë fushës dhe që i urojnë suksese dhe bëhet gati të nisë stërvitjen.

Natyrisht, nuk mund të mungojë një bisedë e shkurtër me gazetarët e pranishëm, me të cilët kërkon që ditën e parë të bisedojë për mënyrën si do ti ndërtojë raportet në të ardhmen, por duket qartë se është me këmbë në tokë.

Vërtet profesionist, por kërkon të përshtatet me realitetin. Jo më kot, në njëfarë mënyre bezdiset disi kur sheh disa futbollistë të tij të vijnë në stërvitje në orën 14.20 (vetëm 10 minuta para se të nisë seanca). Dje nuk ka bërë zë, e ka pranuar këtë situatë, por me shumë siguri, nuk do të zgjasë kështu më tepër sesa sot. Ai ka qenë gjithnjë shembull si futbollist dhe i tillë duket se do jetë edhe si trajner. Megjithatë, e ka marrë shtruar. Pak fjalë para skuadrës kur është prezantuar dhe shumë fjalë pastaj gjatë stërvitjes.

E ka nisur me vrap bashkë me futbollistët rreth fushës për të bërë nxemjen. Mbase për të kapur edhe formën e tij më të mirë. Nuk është çudi që në janar të jem gati për të luajtur edhe unë, – thotë ai me humor. E nis me vrap, si për tu thënë futbollistëve se do ta kenë gjithnjë përkrah, për të punuar së bashku për ta nxjerrë skuadrën nga situata ku ndodhet. Vllaznia e tanishme është basti i madh i Rudi Vatës trajner.

Nëse e kalon këtë provë të vështirë, rruga e tij hapet dhe mbase e ndritshme. Nëse është e kundërta, gjërat do të marrin rrjedhë tjetër. Megjithatë, dëshira është e madhe për të bërë gjëra të mira dhe për këtë ka kërkuar mbështetjen e futbollistëve. Vetëm së bashku mund tia dalim, – ua ka përsëritur shpesh këtë shprehje ai dje futbollistëve. Ka qenë vetëm seanca e parë. Sot natyrisht do të ketë fjalë të tjera.

Viori: Nuk mund ti thoja jo Rudit për ta ndihmuar

Që dje ka marrë përsipër edhe një mision tjetër. Ndoshta më të vështirë se atë të parin. Vioresin Sinani tashmë është edhe zëvendëstrajner i Vllaznisë. Ka qenë kërkesa e Rudi Vatës, trajnerit të sapoemëruar të kuqebluve, për ta pasur në krah, ajo që e ka bindur atë ti thotë po atij.

E pranon vetë Viori këtë gjë, teksa për Sportin shqiptar është shprehur: Ka qenë insistimi i Rudit që më ka bindur. Miqësia dhe raportet shoqërore që kam prej vitesh me të, më bindën për këtë gjë. Natyrisht, bëhet fjalë për të punuar për Vllazninë dhe, si rrjedhojë, kjo ishte një arsye tjetër pse nuk mund ti thoja jo atij.

Megjithatë, unë do të vazhdoj të stërvitem si më parë, sepse nuk dua ta lë futbollin. Kur Rudi të më kërkojë mendimet e mia, sigurisht që do tia jap. E rëndësishme është ta ndihmojmë Vllazninë për të dalë nga kjo situatë ku ndodhet tani. Dje ka qenë seanca e parë për futbollistin-trajner. Përvoja angleze ndoshta po vjen edhe në Shqipëri. Rudi Vata vjen prej Skocisë dhe një përvojë e tillë do të përsëritet edhe këtu.

Ai nuk ka gabuar aspak në zgjedhjen e tij. Vetë është një ikonë e futbollit shqiptar. Edhe Sinani një tjetër. Me të dy ata në pankinë, Vllaznia fiton shumë pikë. Njëkohësisht edhe reputacion dhe sigurisht që do jenë një nxitje për gjithë futbollistët për të bërë më të mirën në fushën e lojës. Vetë sulmuesi shton: Do na japë një ndihmë të madh edhe trajneri i përgatitjes fizike Parmeza

Të gjithë së bashku do bëjmë më të mirën. Vllaznia kishte nevojë për ne dhe nuk mund ta refuzonim. Ardhja e Vatës në krye të skuadrës është një sinjal i mirë se gjërat do fillojnë të ndryshojnë. Dëshira është e mirë. Shpresoj të vazhdojmë kështu. Në këtë mënyrë, ndeshja e kësaj fundjave me Bylisin do jetë e veçantë për Loro Boriçin. Vllazninë do ta drejtojnë nga pankina Rudi Vata dhe Vioresin Sinani

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›