E Diel, 1 Nëntor 2026

Pisha: Skënderbeu, e mundim dhe mbetemi të parët

Nga ERJON SALIU

Mbrojtësi me eksperiencë Arjan Pisha, i cili shënoi golin në Fier dhe u dha tri pikët bardhebluve në sfidën e javës që shkoi, është optimist në prag të përballjes me Skënderbeun. Goli në Fier javën që shkoi ka qenë jo vetëm merita ime, por edhe e Erjon Dushkut. Në shumë takime, ne kemi treguar forcë karakteri dhe e kemi kthyer rezultatin në fund.

Gjithsesi, kemi filluar të mendojmë për ndeshjen me Skënderbeun. Sfida e radhës duhet vlerësuar, sepse luajmë me kampionët në fuqi, por për mua të gjitha ekipet janë njësoj. Të tilla ndeshje janë të veçanta për tifozerinë. Ne do të mundohemi të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe do të synojmë që të fitojmë, pavarësisht se kë kemi përballë. Qëllimi është që të fitojmë ndeshjen, të marrim tri pikë duke kënaqur tifozët tanë dhe ta ruajmë kreun deri në fund të kampionatit.

Qysh kur erdha te Tirana, verën e këtij viti e dija se do të luaja për një skuadër me objektiva të qarta që gjithnjë synon të shpallet kampione. E njoh mirë mentalitetin e Tiranës, sepse kam luajtur edhe më parë me këtë skuadër. Si rivalë shoh vlonjatët ashtu dhe durrsakët, janë dy skuadra shumë të mira dhe me ambicie, qoftë në fushën e vet ashtu edhe në transfertë, të denjë të luftojnë për trofe në krah të Tiranës.

Dinamo Më vjen shumë keq që Dinamo ndodhet në këtë situatë jonormale. Përpara këti sezoni, për vite me radhë, Dinamo ka qenë një ekip dinjitoz dhe me pretendime që i ka dhënë tonin kampionatit. Më duket se po humbim edhe një tjetër skuadër me traditë, siç është Dinamo, dhe më vjen vërtet keq që pas Partizanit, e pësojnë edhe blutë, – pohoi Arjan Pisha.

Ahmataj, në dyshim aktivizimi

Mëngjarashi i bardhebluve, Julian Ahmataj, duket se është në dyshim për tu aktivizuar në ndeshjen e fundjvës me Skënderbeun. Këtë e pohojnë burime pranë stafit mjekësor të skuadrës kryeqytetase. Ahmataj u dëmtua në sfidën e javës që shkoi në Fier, ku Rubio e ndërroi për të mos rrezikuar. Ndeshja do të luhet ditën e diel dhe stafi mjekësor po bën të gjitha përpjekjet që Ahmataj të jetë gati ndaj korçarëve

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›