Lypsët “pushtojnë” Prizrenin

Elez H. nga Kukësi i Shqipërisë, çdo ditë kërkon lëmoshë nga qytetarët në Prizren. Ai është i kënaqur me solidaritetin, që tregojnë qytetarët e Prizrenit. ”Çdo ditë dal me lypë. Jam shumë i kënaqur me solidaritetin e qytetarëve të Prizrenit”, shprehet ai.
Elezi tregon se për të kërkuar lëmoshë, udhëton nga Kukësi në Prizren. Ai thotë se me këtë “profesion”, merret që pesë vjet. ”Që pesë vjet lypi nëpër rrugë. Në Shqipëri nuk ka punë, kurse qytetarët pak janë solidar. Këtu është më mirë. Fitimi është më i madh”, tregon ai, shkruan Prizrenipress.
Në Prizren kohën e fundit është rritur numri i lypësve. Ata në kërkim të lëmoshës i shqetësojnë qytetarët, sidomos kur janë ulur në lokale. Policia e Kosovës, ndërkaq disa herë ka marrë aksion për largimin e tyre.
Zëdhënësi i PK-së në Prizren, Hazir Berisha tha se përkundër largimit, lypsët nga Shqipëria sërish po rikthehen në rrugët e Prizrenit. Ai kërkon nga qytetarët që të mos tregohen solidar ndaj lypësve, të cilët vijnë nga Shqipëria. “Ata në këtë mënyrë përfitojnë shuma të mëdha të parave”, tha Berisha.
Sipas tij, qytetarët mund t’i largojnë lypësve nga qyteti i Prizrenit, vetëm nëse nuk tregohen solidar. “Ata largohen nëse nuk fitojnë asgjë. Prandaj, ne kërkojmë nga qytetarët që të mos tregohen dorëlirë me lypsët”, tha Berisha./Indeksonline/