RRUDHA E SHKRUAR
Qerim SKËNDERAJ
Sytë mё mbetёn te rrudha e tij. Një rrudhe e thellё, sa disa rrudha bashkё. Ia ndante ballin pёr gjysmё dhe pastaj varej mbi faqe, duke u lidhur me vijën rrethuese tё gojës, e cila sa herё qeshte, i jepte një shkëlqim tё bukur, duke e treguar shumё mё tё ri se mosha qё kishte. Rrudha ishte e para qё binte nё sy nё fytyrën e tij. Dukej sikur brenda saj kishte diçka mistike a profetike, qё tё fuste nё mendime. Doja ta deshifroja atë rrudhё, tё zbuloja përmbajtjen e saj, sepse kurrë nuk e kisha parё thjesht si rrudhё pleqërie. Mё dukej se atje ishte shkruar e gjithë jeta e tij e gjatё dhe shumё e pasur. E ngulja veshtrimin brenda hijes gri qё krijohej nga thellësia, pёr tё lexuar udhën nga kishte ecur nёpёr vite. E dija se ajo udhё kishte qenё me ngjitje tё vështira, me thepisje tё rrezikshme, por shpesh edhe e sheshtё, e rehatshme pёr t’u çlodhur, gëzuar, argëtuar e jetuar. E kishte ndërtuar vetё me mundim tё madhё. Shpesh projektet ia kishin prishur, duke e futur nё labirinte pa shteg, por ai ia kishte dalё. Fjalën nuk e njollosi kurrë as nё tё zezё, as në tё kuqe. E ruajti tё bardhё si drita, tё dridhshme si shpirti. Nuk ia nënshtroi fjalës, por logjikёs. Fluturonte e lirё, e drejtuar nga kjo rrudhё qё mё ka ndezur sytë me dritën e vet. Gjatё fluturimit plagosej, rrёzohej, por prapë ngrihej e shëruar, si padronia e vetme qё rregullonte jetën e tij private.
E njihja prej 30 vjetësh. I kisha dëgjuar fjalё e bëma tё mençura qё mё ngrinin peshё. Mё pëlqente tё bisedoja me tё pa mbarim. Kur i rrija pranë, ndihesha me i qetё, mё gazmor, mё i mençur. Nuk ankohej kurrë. Tani ia kisha ngulur sytë e po hetoja atë rrudhё. Doja tё lexoja se cila ishte magjia qё e mbante kaq tё freskët edhe nё moshën e pleqërisë sё thelle?!..
Pёr një çast mё pëlqeu tё bёja paralelizëm, por ishte e pamundur. Nё atë rrudhё nuk lexoja asgjë tё njëjtë midis nesh. Unë dhe ai, dy njerëz me ndryshime tё thella nё moshё. Unë sapo kisha prerё shekullin nё mes, ai po i hipte nё majё. Kishte ardhur nё jetё dy orё përpara këtij shekulli dhe tani po e vinte nёn këmbё. Do tё jem banor i tre shekujve, thoshte. Ne kishim dhe ndryshime tё thella fizike; mё sё shumti nё pamje. Unë i kërrusur dhe i lëshuar nё ecje, ai i drejtё e sportiv. Unë i lëruar nga rrudha tё dendura si izoipset nё harta topografike, ai vetëm me një rrudhё qё e bënte mё fisnik. Unë lexoja me syze, ai pa to shkonte fillin nё gjilpërё. Vetëm flokët i kishim njësoj; si një kodrinё tё mbuluar me borё gjysmё tё shkrirё. Kishim mjaft ndryshime edhe nё formimin intelektual. Unë mbaja vetëm një diplomё, ai dy. Unë zotëroja vetëm një gjuhё tё huaj, ai tё gjitha gjuhёt kryesore tё Evropës. Unë nuk kisha asnjë titull shkencor, ai tre…
Këto ishin vetёm pasoja tё ndryshimeve tona, sepse shkaqet qëndronin gjetkё. Ato ishin shkruar bukur nё disa vija qё përfshiheshin nё atë rrudhё, tё cilёn po e vëzhgoja me shumё vëmendje. Duke i ngulur sytë mirё, vura re qё grija sikur bёhej transparente dhe mё lejonte tё pёr t’i lexuar mendimet. Sa shumё rrudha qё kishte. I gjithë truri ishte një pleksje rrudhash qё shtriheshin kryq e tërthor, ku ishte shkruar diçka qё nuk po e deshifroja dot. U përqendrova mё mirё dhe midis shumё shkrimeve lexova dy postulate me germa kapitale: ANGAZHIM I PROGRAMUAR; RUAJTJE E MASES. Ky ishte kodi i tij qё e zbatonte me shumё fanatizëm. Nuk lëvizte asnjë presje, sidomos te pjesa e dyte ishte i patolerueshёm. Punonte me masё, çlodhej me masё, urrente me masё, gëzohej me masё, trishtohej me masё, studionte me masё, shkruante me masё, stërvitej me masё, shëtiste me masё, dëfrente me masё, flinte me masё, hante me masё, pinte me masё. Vetëm dashurinë per njerëzit e mirё dhe pёr punën, e kishte pa masё.
Mё nё fund, e kisha gjetur çelësin e freskisë sё tij nё moshën e pleqërisë sё thellё. Ai çelës zor se mund tё vlente pёr portën e jetës sime tё paorganizuar, sidomos nё planin emocional. Unë tashmё isha formuar ashtu, i lëshuar me tepri. Ndodhte shpesh qё emocionet tё mё dilnin jashtë kontrollit dhe, nё vend t’i komandoja, mё komandonin. Megjithatë, mbretëria e tij mё pëlqente shumё. Mё pëlqente “kanuni” i shkruar nё atë rrudhё, qё e zbukuronte hijshëm gjithë jetën e tij. E kisha idhull.
Nё mbrëmjen e fundit tё shekullit, kur ndodhesha jashtë vendit, mësova se kishte vdekur. Vetëm pёr dy orё nuk u bё dot banor i shekullit tё ri. U përlota shumё, ashtu siç lëshohem unë nё hidhërime e gëzime. Nё ngashërim e sipër, ndjeva se ishte i tёri brenda meje. U nisa drejt shkallëve tё shekullit tё ri bashkё me tё. Nё ngjitjen e vështirё do tё ishte gjithmonë me mua. Sigurisht, do tё mё jepte dhe njё dorё…
Pistoia, 2000
9 Mars 2009