E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adela: E parandieja se do e prekja botën e spektaklit

Finalja e spektaklit të madh dhe ankthi i secilit banor nëse do të arrijë t‘i shkojë lojës në fund, mbush një pjesë të mirë të bisedave brenda shtëpisë së "Big Brother". Prova e javës ka sjellë momente emocionuese për banorët, të cilët kanë dashur të dalin të parët e garës.

"Gjithë Shqipëria flet si unë!"

Adelajda komenton të folurën e Bjordit dhe i thotë që t‘i shqiptojë mirë fjalët, ndërsa ai shprehet: "Do përshtatesh me gjuhën time, se e gjithë Shqipëria po flet si unë!" Ajo e pyet se pse e mendon një gjë të tillë dhe shton që gjysmën e fjalëve ia ka mësuar ajo, por ai e kundërshton, duke i thënë që ia ka mësuar Adi. Ata vazhdojnë duke folur me shprehje të ndryshme popullore. Adelajda i thotë: "T‘u bëfsha kurban!" Ai e pyet se çfarë kuptimi ka dhe shton se nëse do ia thoshte këtë shprehje dikujt në Itali, ai do të trembej.

"Bjordi duhet të dalë në pah"

Duke qëndruar në kopsht me Qetsorin, Ari shprehet se mendon që të shtunën do dalin 5 banorë në kandidim dhe shton: "Do dal unë!" Duke parë Adelajdën që po lahej në pishinë i thotë: "Zyshe gëzoji këto ditë!" Sipas tij, nëse do dilte Adelajda do kishin mundësi të shikonin edhe Bjordin, pasi ai fshihet pas saj. Ajo e kundërshton, duke i thënë që nuk ka pse të dalë ajo që Arjani të njohë Bjordin. Ai shton: "Nëse ikën ti, ai bie në depresion!" Adelajda mendon që ai i thotë këto gjëra pasi nuk dëshiron që të dalë Mimoza dhe Qetsori. Qetsori i thotë se nëse e pyet Arbana të shtunën se kush dëshiron të dalë nga tre të kandiduarit, çfarë përgjigje do të japë ai. Arjani thotë që për të janë njësoj të tre banorët dhe shton: "Mendoj që Bjordit i bën mirë java e fundit vetëm!" Arsyeja se pse mendon kështu është për faktin që Bjordi duhet të dalë më në pah, pasi, sipas tij, ai mund të jetë banori që mund ta fitojë dhe duhet të tregojë më shumë. Arjani vazhdon diskuton për të, duke thënë se çdo banor ka momente që acarohen, ndërsa ai jo. Sipas tij, kjo gjë vjen nga fakti që ka Adelajdën me të cilën puthet: "Ai e amortizon stresin, ndërsa ne e mbledhim!" Ai e shikon Mimozën si konkurrente të fortë për finale, pasi ka mbështetjen e Kosovës. Sipas tij, ajo nuk e meriton të fitojë, pasi ka banorë të tjerë të cilët e meritojnë më shumë. Qetsori e mbështet mendimin e tij. Ai bën shaka me Adelajdën, duke i thënë që ndërroi mendje dhe uron që të dalë Mimoza. Sipas tij, për sa kohë Bjordi qëndron me Adelajdën, ai humb individualitetin e tij.

Prova e javës

Këtë javë prova do të jetë e veçantë. Ari mbledh banorët për t‘u komunikuar provën e javës, e cila do të jetë në pistën e kartingut. Në ditën e parë të provës, në praninë e dy instruktorëve, banorët do të kenë mundësinë të njihen me cirkuitin e pistës, të mësohen dhe perfeksionohen në dhënien e makinës. Rezultati i kësaj prove do të ndikojë në buxhetin javor të banorëve, por jo vetëm kaq, "Big Brother" ka vendosur që për fituesin e kësaj gare do të ketë një çmim special, i cili do të jepet natën e spektaklit. Banorët dalin në pistë dhe takohen me instruktorët, të cilët fillojnë me mësimet e para.

Mbi gënjeshtrën dhe të vërtetën

Ari akuzon Mimozën se është mashtruese, madje këmbëngul se e di dhe se kur ka gënjyer. Duke e vënë në lojë, i thotë të tregojë vetë se ku ka gënjyer. Mimoza e kupton se ai do t‘i nxjerrë ndonjë të fshehtë dhe i thotë se, do t‘i mbajë për veten e saj dhe nuk ka përse t‘i tregojë atij. Gjithashtu ndërhyn edhe Qetsori, duke e pyetur se ku ka gënjyer Mimoza? Mimoza nxehet dhe i thotë Arit të mbyllë gojën dhe të mos e thërrasë mashtruese. Biseda vazhdon mes Qetsorit dhe Anjezës, i cili i shpjegon se "gënjeshtra" ka bërë një rrugë më të shkurtër në sistemin nervor se e "vërteta" dhe se "gënjeshtra" gjithmonë del.

Xhirot e para

Banorët duken me të vërtetë shumë të entuziazmuar nga kjo provë javore. Ata mezi presin të vendosin skafandrat dhe të bëjnë xhirot e tyre të provës. Fillimisht xhiron e parë e bën instruktorja për t‘i treguar se si funksionojnë makinat. Më pas të gjithë banorët me radhë hipin nëpër makina për të provuar adrenalinën që të jep një pistë garash. I pari që e provon është Arjani, më pas Mimoza e kështu me radhë. Bie gongu dhe duket sikur koha e provës ka mbaruar sa hap e mbyll sytë. Banorët kthehen brenda shtëpisë për ta komentuar më pas këtë eksperiencë të re.

Ari: Nuk dal nga shtëpia

Mbetet vetëm një javë nga nata finale dhe banorët diskutojnë se kush prej tyre do të ketë fatin të shkojë deri atje. Anjeza thotë se nuk mendon që mund të jetë edhe javën tjetër dhe shprehet se do t‘i përgatisë gjërat e saj për çdo të papritur të mundshme. Të gjithë banorët janë të të njëjtit mendim, se sërish këtë javë do të ketë dy eliminime ose mund të jenë të gjithë të nominuar. Ari mendon se forma e eliminimit të dytë mund të jetë ndryshe nga ato që kanë qenë deri më tani dhe shprehet se edhe nëse ai do të jetë një ndër pretendentët për të dalë, nuk ka për ta lënë shtëpinë. Ai justifikohet se është një person pozitiv dhe ndaj ecën me këtë ide, duke iu kundërpërgjigjur kështu Anjezës, e cila thotë se Ari që sa hyri në shtëpi, këtë fjalë e ka thënë gjithnjë. Sori i bashkohet mendimit të Arit dhe e komplimenton për mënyrën se si e koncepton ai këtë gjë. "Unë nuk kam forcë të mendoj në këtë formë për veten time", shprehet ai.

"Po sillem si me miqtë"

Sjelljet dhe reagimet e Arit në situata të ndryshme, bëhen biseda të radhës së banorëve. Ata analizojnë sjelljet e tij në situata të ndryshme. Ari e klasifikon veten te njerëzit e urtë dhe aspak nevrikë, por nuk përjashton rastet kur sjelljet e tij nuk janë shembullore me të tjerët, sidomos kur ka krijuar një konfidencë me ta. Për Arin, kur ke konfidenca me një njeri, mund t‘i tolerosh sjellje që nuk bëhen me një person të panjohur. Ai thotë se të tilla sjellje dhe veprime i ka bërë dhe me Adin apo me ndonjë tjetër, gjithnjë duke menduar se po sillet brenda kufijve të miqësisë, ashtu siç do të bënte edhe jashtë. Anjeza sjell një shembull të sjelljes së Arit, e cila e kishte bërë të kuptonte se ai nuk ishte aq i qetë sa dukej, por Sori e kundërshton dhe i thotë se veprime të tilla janë më se normale, kur dikush e tepron me ngacmime. Për Adin duhet treguar kujdes, që kur je i acaruar veprimet të bëhen me masë, nisur edhe nga personat që ke përballë. Ai i jep të drejtë Anjezës kur thotë se u habit nga sjellja e Arit, madje shton se ajo, si vajzë, edhe mund të ishte trembur nga ai.

"Ari nuk më pëlqen"

Sori pyet Mozën nëse e bezdis sjellja e Arit kundrejt saj dhe ajo i përgjigjet se jo, madje se askush nuk e bezdis. Sori e pyet sërish nëse ajo e pëlqen sadopak Arin, duke pasur parasysh disa sjellje të Mozës që kanë lënë të kuptohet kjo gjë, por e përmban veten. Moza e kundërshton dhe thotë se Ari nuk i pëlqen, në të kundërt nuk do ta mohonte. Sori e sqaron se po e pyet në kuptimin shoqëror dhe Moza ia kthen se në këtë formë, e konsideron si një djalë të mirë, njësoj si të tjerët. Sori i thotë se nëse ajo ka konsideratë për të, atëherë nuk duhej t‘i ishte përgjigjur Arit në atë formë. Moza i shpjegon si ndodhi situata dhe shton se nuk i pëlqen që një njeri të bëjë shaka kur ajo është duke bërë një bisedë serioze, ashtu sikurse ndodhi dhe me Arin.

"E ndieja që do ta prekja botën e spektaklit"

Adela tregon se kur shihte televizor, ka pasur një ndjesi se herët apo vonë do të ishte pjesë e botës së spektaklit, apo do ta prekte disi. Ajo thotë se duke u nisur nga jeta që bënte, nuk i shkonte ndërmend që mund të arrinte ta realizonte këtë gjë. Në vazhdim ajo shton se gjithashtu ka pasur ndjesinë që herët ose vonë, ajo jetë që bënte, disa nga ato gjërat e përditshme që mbushnin jetën e saj, do të mbaronin. Sori mendon se ndoshta ajo e ka ditur që brenda vetes është personazh.

Të falësh dhe të të falin

Ari dhe Sori diskutojnë për faljen. Të dy mendojnë se të gabosh është njerëzore, por e rëndësishme është që të falësh dhe të të falin. Ari thotë se ka njerëz që nuk kërkojnë të falur, edhe pse e dinë se mund të kenë gabuar. Për të ka më shumë njerëz që nuk kërkojnë të falur, sepse nëse ndjesa është e sinqertë, të gjithë janë të prirur të falin. "Unë fal shumë, sepse e ndjej veten si një njeri me karakter të fortë", shprehet Sori. Ata vazhdojnë të bisedojnë mbi këtë çështje, duke thënë shprehje të njerëzve të mëdhenj.

"Bjordi ka vlera pozitive"

Ari përkëdhel Adin dhe ky i thotë se po tregohet dashamirës ndaj fituesit. Ai ia kthen me shaka se nëse Adi fiton vërtet, do t‘i japë atij 20 mijë euro. Adi vazhdon shakanë e Arit dhe e pyet se nëse fiton Bjordi, sa para do t‘i kërkojë. Ari i thotë se Bjordi është mashtrues, madje më keq se Sori, sepse në fillim kur hyri, tha se kishte firmë ndërtimi, ndërsa më pas se ka 20 mijë euro borxh dhe do t‘i duhen për të larë borxhet. Për Arin, kjo është kontradiktore, sepse ose ka firmë ndërtimi, ose borxhe. Adi i thotë se Bjordi e shikon jetën me syrin e një njëzetvjeçari dhe mund t‘i ekzagjerojë ato që thotë për veten, por Ari insiston se Bjordi i kishte folur seriozisht. Bjordi, i cili ndodhet pak më larg se ta, ngrihet dhe largohet. Adi i thotë Arit se Bjordi është një djalë me shumë vlera dhe ai nuk duhet të kapet veç pas disa fjalëve. Edhe Ari e pranon se Bjordi ka shumë vlera pozitive, por shton se ai e ka prezantuar veten keq. Adi ia kthen se me Bjordin ka krijuar një miqësi për atë që është dhe jo se është një drejtues firme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›