E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Muzika, urë miqësie mes popujve"

Mjafton ta shohësh një herë të vetme të ulur mbi piano, për të kuptuar se nuk bëhet fjalë për një njeri të zakonshëm. Lëviz, preket dhe e shoqëron muzikën me gjeste emocionale. Duket sikur përkëdhel partiturat klasike. Përveçse ka një talent të rrallë, Lang Lang është edhe një djalë shumë i zgjuar dhe me botë të madhe. Është vetëm 27 vjeç dhe gjithë bota flet për të. Revista "Time" e ka përfshirë në listën e 100 njerëzve më me influencë në botë. Është thjesht i jashtëzakonshëm. "Jam i nderuar, tregon ai. Kjo do të thotë se të gjithë e kanë kuptuar se si muzika klasike mund t‘i frymëzojë dhe influencojë njerëzit". Lang tregon se me pianon ai do t‘i tregojë gjithë botës kulturën dhe muzikën kineze e do të bëhet një misioner popullor i muzikës, që me tingujt e pianos do të ngrejë ura miqësie midis popujve të botës. I veshur bukur, me një papion të kuq me pika të zeza, me një shikim plot gjallëri dhe flokët e rregulluar këndshëm, njëlloj si valëza rebele, Lang rrezaton mirësi. Pas pak kohësh, pianistin kinez me famë botërore e pret një tjetër eveniment i madh, kësaj here në Evropë, ku do të performojë bashkë me Herbie Hancock, pianistin dhe kompozitorin e madh të muzikës xhaz.

Çfarë mund të lindë nga një takim kaq i veçantë?

Në Evropë, përveç pjesëve të veçanta si solist, do të luajmë së bashku muzikat e Vaughan-Williams, dhe mbi të gjitha "Rapsodia in blue", të George Gershwin, që është saktësisht një pjesë ku takohen këto dy botë, të cilën mund ta përcaktojmë si një lloj xhazi klasik.

Nuk ju bezdis fakti që shumë ju cilësojnë më tepër një rockstar se sa një pianist të madh klasik?

E vërteta është se unë jam një muzikant klasik, por nëse jam më popullor për publikun, atëherë me siguri që shndërrohem në një popstar. Por, sigurisht që nuk ka lidhje me muzikën pop.

Shumë ju akuzojnë se jeni tepër i çlirët në interpretimet tuaja. Cili është kufiri që një pianist duhet të ketë?

Kufiri qëndron te respekti që duhet të kemi për kompozitorin. Nuk mund të improvizosh, mund të interpretosh dhe ky me siguri që është një kufi i rëndësishëm. Duhet të qëndrosh në formën dhe ritmin e duhur, por në të njëjtën kohë mendoj se ndjenjat duhet t‘i shprehim. Nuk e kam menduar kurrë se duke qenë një muzikant klasik, duhet të qëndroj sikur jam mbyllur në një kuti.

Cilat lloj muzikash ju bëjnë të ndiheni më i lirë kur interpretoni?

Do të thosha Rachmainnoff dhe Shopen, të paktën nga pikëpamja emocionale. Pastaj ka edhe pjesë shumë speciale, si "Variacioni Goldberg" i Bahut, ku na autorizojnë ta përdorim shumë imagjinatën dhe të jemi më të lirë.

Në Evropë do të provoni edhe të improvizoni diçka?

Pak, jo shumë. Ndoshta do të mësoj nga Herbie Hancock.

Keni studiuar më parë në Kinë dhe pastaj në Amerikë. Mund të na shpjegoni diferencën mes dy vendeve?

Është e vështirë, sepse në dhjetë vitet e fundit, si Amerika, ashtu dhe Kina, kanë ndryshuar shumë. Ajo që mund të them lidhet me edukimin tim. Në botën e muzikës, në Kinë, i kushtohej shumë rëndësi garës. Kur shkova të studioja në Amerikë, mësuesi im i parë më pyeti: "Çfarë të pëlqen të bëhesh"? Unë iu përgjigja: Dua të dal i pari. Ai mbeti i habitur dhe më tha: "Mendoja se doje të bëheshe një muzikant i madh. Garat janë për sportistët". Aty e kuptova. Herën e parë që u ktheva në Kinë, gjëja e parë që më pyetën ishte: "Dole i pari"? Atëherë arrita ta bëja ndryshimin.

Sipas legjendës, u "dashuruat" me pianon që në moshën 2-vjeçare, duke parë një seri të filmit me kartona, "Tomi dhe Xherri"?

Është shumë e vërtetë. Tom ishte duke luajtur pjesën "Rapsodia Hungarese N.2" të Listz. Më mbërtheu kjo gjë. Pastaj, kur u rrita, doja ta luaja edhe vetë atë pjesë. Shpresoj ta kem bërë më mirë se Tomi.

Nuk mendoni se duhet të ketë një rilindje në procesin muzikor?

Mendimi im është shumë personal. Mendoj se në muzikën pop ka shumë njerëz të talentuar. Shoh shumë videoklipe të bukura. Në muzikën bashkëkohore kemi kompozitorë akoma shumë aktivë, si Boulez, Glass, ose kinezi Tan Dun, por skena aktuale nuk është kaq e gjallë sa ajo e rokut. Nuk dua t‘i krahasoj këto dy botë, po flas vetëm për gjallërinë. Kemi nevojë për mendje më kreative.

Jeni joshur ndonjëherë për të bërë bashkëpunime me ndonjë artist të muzikës pop?

Në një farë mënyre e kam bërë kur shoqërova Andrea Bocelin. Pastaj ka edhe muzikantë shumë interesantë, si Kanye West, që ka një mendje shumë të ndritur dhe pëlqen muzikën klasike. Nuk ua mbyll derën këtyre mundësive, por nëse kjo do të ndodhë, duhet të jetë diçka që mund t‘i bëjë mirë muzikës klasike. Diçka që ka vlerë artistikisht, si koncerti me Herbie Hancock.

Në të kaluarën ka pasur një sfidë në largësi me Daniel Borenboim. Ai pranoi se ishte rikthyer për të luajtur në piano që të tregonte se ishte akoma numri një. Në çfarë pike është sfida aktualisht?

Tani është udhëheqësi im, trajneri im dhe pas pak kohësh do të takohemi në Milano. Ai ka një talent të madh, por më tepër ka eksperiencë dhe mendime të jashtëzakonshme. Është ndoshta njeriu më inteligjent që njoh. Mësimi i parë që më ka dhënë ishte: "Talenti nuk është gjithçka, por mund të të ndihmojë shumë nëse dëshiron të ecësh mbi rrugën e eksperiencës dhe ndërgjegjes".

Artisti

Pianisti kinez, Lang Lang, ka lindur në vitin 1982 në Kinë. Në 2001-shin ka debutuar në "Carnegie Hall", në një koncert madhështor, i shoqëruar nga Yuri Temirkanov



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›