E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis Festivali i Koreve të Dhomës

Nëntë kore të dhomës mbërrijnë në Tiranë. Artistë që vijnë nga Italia, Greqia, Holanda, Gjermania dhe Kroacia janë pjesë e programit të edicionit të tretë të Festivalit Evropian të Koreve të Dhomës, që do të zhvillohet njëherësh në katër qytete të Shqipërisë. Këtë vit festivali do të zhvillohet njëkohësisht në Korçë, Shkodër, Fier dhe Tiranë, nga data 8-10 maj. Festivali organizohet nga shoqatat "Syri Blu" dhe "Miqtë e muzikës" me mbështetjen e MTKRS dhe Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë. "Ky aktivitet nuk shërben vetëm për njohjen muzikore të vendeve të Evropës, por dhe si prezantim i Shqipërisë për turistët evropianë", u shpreh zëvendësministrja Suzana Turku në konferencën e djeshme për shtyp të këtij aktiviteti. "Në dy netët e para konkurruese do të shfaqen para publikut tre kore në aktivitetet që do të zhvillohen njëkohësisht në qytetet e Korçës, Shkodrës, Fierit dhe Tiranës. Koret do të qarkullojnë mes tyre nëpër qytetet e tjera, duke u ngjitur në katër skenat shqiptare. Kjo lëvizje e artistëve shërben dhe për prezantimin e turizmit shqiptar në Evropë", u shpreh Besim Petrela, drejtuesi i shoqatës "Syri Blu". Sipas Petrelës, repertori i koreve pjesëmarrës do të jetë i lirë dhe i larmishëm, në shfaqje që do të zgjasin nga 20-25 minuta, ku do të interpretohen pjesë nga muzika romantike, klasike, bashkëkohore, fetare, etnike, patriotike, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›