MANIPULIMI ME INTEGRIMIN
Në emisionin televiziv, Ministri tha: jemi më pranë se kurrë integrimit në BE. Kemi realizuar, një për një detyrat e shtëpisë. Kemi vënë në funksionim makinën x, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, kemi shpërndarë x karta identiteti, kemi aprovuar x ligje dhe vendime të Këshillit të Ministrave, është ngritur struktura x për regjistrimin e bizneseve, kemi dërguar në Prokurori x persona për korrupsion dhe do të dërgojmë shumë shpejt edhe x të tjerë. Pra, integrimin e meritojmë plotësisht.
Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, ministri firmosi një ligj si ai i lustracionit, në përbërje të të cilit ka një numër mjaft të madh shkeljesh kushtetuese.
Në publik, për të bërë të mundur kalimin e këtij ligji kushtetues, ai u shpreh: "Gjykata Kushtetuese nuk duhet të shprehet për këtë ligj, sepse anëtarët e saj janë në konflikt interesi". Për ministrin tonë, ishte më e rëndësishme që një ligj antikushtetues të kalojë.
Çfarë konkluzioni mund të nxjerrin miqtë tanë ndërkombëtarë përballë një situate të tillë, konkrete dhe reale? Në fakt, një dyzim i tillë, nuk është as i pari dhe as i fundit, qysh prej nga filloi procesi i demokratizimit të Shqipërisë, në atë dhjetor të largët të '90-ës. Përgjatë gjithë këtyre viteve, ndërsa ndërtonim struktura, miratonim dhe aprovonim ligje e akte të tjera, ndërsa bënim pra detyrat e shtëpisë, çuditërisht, gjithmonë, paralelisht me këto ndodhnin ngjarje po kaq të çuditshme. Pra, ndërsa ecnim kështu të sigurt drejt integrimit në BE, njëkohësisht, paralelisht me këtë zhvillim u dogjën redaksi gazetash, u rrahën deri në vdekje opozitarët, u gjymtuan pa drojë gazetarët, u pushuan pa ligj qindra njerëz, u vodhën prona dhe pasuri të qytetarëve, u formuluan akte antikushtetuese, u dhunuan zgjedhjet, u varën institucionet e pavarura, u "vra" konsensusi, etj.
Në fakt, e njëjta dukuri ndodh edhe sot me ministrin tonë. Ai nuk flet për demokracinë shqiptare, për ecurinë e saj, për progresin e saj. As ai e as kolegët e tij. Ky i fundit, pra progresi i demokracisë, sipas një formule të shpikur në Shqipëri e të shtrydhur nga përdorimi, deduktohet nga ecuria e procesit të integrimit. Sipas ministrit, nëse integrimi ecën, automatikisht ecën dhe demokratizimi i vendit. Ndaj, nuk ia vlen të flasim për këtë të fundit. E "ç'rëndësi" ka për të gjithë ai vullnet antikushtetues i qeverisë, që çoroditi shoqërinë Shqiptare dy muaj para ftesës në NATO, kur jo vetëm krijoi dhe hartoi me ndërgjegje të plotë e paramendim një ligj antikushtetues, por me të njëjtën forcë donte ta kalonte atë, duke bërë ç'është e mundur për të bllokuar të vetmin organ që 'mbron" Kushtetutën e këtij vendi? E "ç'rëndësi" ka, madje le ta harrojmë sa më shpejt, kur një shumicë është kaq e vendosur të aprovojë ligje me përmbajtje të tillë? E "ç'rëndësi" ka pushimi masiv, në kundërshtim me ligjin, i qindra funksionarëve publikë, i presionit të jashtëzakonshëm ndaj Gjyqësorit dhe Prokurorisë?
E "ç'rëndësi" kanë të gjitha këto, para inaugurimit të fillimit të punës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, të makinës x, të cilën na e "kërkonte" me aq ngulm BE-ja?
Ministri ynë nuk është, pa dyshim, një injorant. Ai ka studiuar dhe jetuar për një kohë të gjatë në një vend perëndimor. Ka qenë dhe nxënës i mirë. Ai e di shumë mirë, se thelbi apo themeli i ndërtimit të demokracisë, qëndron pikërisht, pa asnjë ekuivok, tek shpirti demokratik i shoqërisë dhe, në mënyrë të veçantë, i udhëheqësve të saj. Ai e di shumë mirë, gjithashtu, se ky shpirt është ai që do të bëjë të mundur demokratizimin e këtij vendit tonë të shtrenjtë, do të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë dhe, së fundi, do të na integrojë edhe në Europë dhe se kjo e fundit, nuk është veçse një mjet ndihmës në këtë drejtim dhe jo një qëllim në vetvete.
Por, ai di, gjithashtu, atë më të rëndësishmen, se ky shpirt apo mentalitet demokratik, quajeni si të doni, më parë se tek makina x, tek kartat e identitetit, testohet në vlera akoma më sublime të demokracisë. Ai testohet në qëndrimin ndaj Kushtetutës së këtij vendi dhe frymës së saj, në qëndrimin dhe respektimin ndaj drejtësisë dhe organeve të saj, në respektin ndaj ligjit dhe në zbatimin e tij, në respektimin dhe mbrojtjen e ndarjes së pushteteve, të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Miku ynë ministër e di mirë se, të gjitha këto "arritje" të qeverisë së tij, të konsideruara shpesh, si detyra të shtëpisë, (detyra të cilat, nëse e njeh demokracinë nuk ka nevojë të t'i vënë të tjerët) në rrugën e integrimit, edhe pse të rëndësishme, janë ku e ku më të vogla, përpara vlerave sublime të demokracisë. Pikërisht, të atyre vlerave, të cilat edhe pas njëzet vitesh, veçse na fanepsen në ëndrra apo fjalime të shkruara keq.
Ai i di këto. Ai nuk është një njeri injorant. Por, është, për fat të keq, një manipulues i vonuar dhe i vogël. I vonuar, sepse në lartësinë e gjithë këtyre viteve, janë tashmë të shumtë ata qytetarë të këtij vendi, të cilët dinë të dallojnë se çfarë është më e rëndësishme në një demokraci dhe çfarë presin miqtë tanë nga ne, në përshpejtimin e proceseve integruese. Ata e dinë tashmë, sa të pamundur e ka një ministër i tillë, bashkë me kolegët e tij, të ndërtojë një sistem demokratik, duke prodhuar të paktën njëzet iniciativa antikushtetuese, duke pushuar njerëz pa ligj, duke i bërë presion drejtësisë dhe Prokurorisë, duke synuar të kontrollojnë institucionet e pavarura, mediat, mendimet. Ata e dinë mirë që të gjithë, sa më i madh dhe më shkatërrimtar është për jetën e vendit dhe integrimin e tij ndërgjegjja antikushtetuese dhe antiligjore, aq e pranishme në këtë mandat, në krahasim nga e mira që na solli realizimi i ftohtë e "pashpirt" i detyrave të shtëpisë.
Por, është dhe i vogël, ndërsa zbavitet përpara gazetarëve profesionistë të këtij vendi, me buzëqeshjen e tij karakteristike. Tek mundohet t'u shpjegojë të kundërtën, atyre por dhe diplomatëve profesionistë, të djepeve të demokracisë në botë, se nuk ka gjë më të rëndësishme në këtë procesin e integrimit të Shqipërisë, sesa vendosja, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, të makinës çudibërëse x. Duke menduar kështu, me naivitet, se ajo, ndërsa do të mund të ndalojë kalimin në botën perëndimore të drogës, klandestinëve e gjithfarë trafiqesh, do të mund të frenojë gjithashtu, në të njëjtën kohë, informacionet alarmante mbi regresin e demokracisë në këtë vend. Tek ata, miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilëve, jeta dhe përvoja demokratike, ua ka bërë të lehtë dallimin e pranisë apo mungesës, përtej çdo "detyre shtëpie", të atij, pa të cilin, demokracia nuk rron dot as edhe një ditë; shpirtin demokratik.
Të cilin, duket prej së largu, këta njerëz që na udhëheqin, nuk e kanë. Duke penguar kështu, seriozisht, demokratizimin e Shqipërisë e, për rrjedhojë, dhe integrimin e saj.