E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duam vërtet integrim të shpejtë?

Ka disa kohë që qeveria Shqiptare ka shprehur qartë dëshirën dhe vullnetin e saj, për t'i dorëzuar BE-së kërkesën për anëtarësim.

Ndërsa vjet, pak a shumë, si në këtë kohë, një numër organizatash, opozita, por edhe analistë dhe studiues, i kërkonin asaj ta ndërmerrte një hap të tillë, përgjigja ishte gjithmonë e gatshme; vetëm pasi të konsultohemi me miqtë tanë europianë. Sivjet, gjërat duket se kanë ndryshuar me shpejtësi, në drejtime të ndryshme.

Europa, përveç "sikletit" që e ka "mbërthyer" prej vitesh, atë të reformës institucionale, e cila duket akoma e vështirë pas jo-së irlandeze të traktatit të Lisbonës, sot po jeton ndër ditët e saj më të vështira, si rezultat i krizës ekonomike, që pasoi menjëherë atë financiare.

Nga ana tjetër, Shqipërisë po i afrohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, një standard demokratik asnjëherë i përmbushur dhe njëkohësisht, një kusht integrimi historik për ne. Në këto kushte, nën ndikimin e një sërë rrethanash të tjera, miqtë tanë europianë, janë të prerë në lidhje me kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim; ajo duhet të shtyhet.

Çudia në këtë rast, ndodh në Shqipëri. Qeveria Shqiptare, e cila vetëm një vit më parë ishte e prerë për të mos bërë asnjë kërkesë për anëtarësim pa u konsultuar me miqtë tanë, sot është po aq e prerë që të mos konsultohet me ta dhe të mos dëgjojë kërkesat e tyre për shtyrje. Ç'ka ndodhur? Vërtet është kaq e "përvëluar" për një integrim të shpejtë?


Natyrisht, është tashmë e qartë për të gjithë se, që një vend të integrohet, duhet të përqafojë dhe realizojë në praktikë vlerat dhe standardet, mbi të cilat bashkohet Europa.

Të koncentruar, në ato që tashmë i njohin të gjithë, si kriteret e Kopenhagenit, në vija të përgjithshme, mund të thuhet se vendi anëtar duhet të jetë një demokraci, ku të sundojë ligji, shteti i të drejtës, një ekonomi tregu e rregulluar dhe, sigurisht, kapacitete të mjaftueshme për t'u përfshirë në strukturat europiane.

Për realizimin e tyre, prej vitesh, shteti shqiptar ndërton plane, matrica pune të përditshme, koncepton reforma institucionale, legjislative, negocion në formate të ndryshme me BE-në.

Pra, në një farë mënyre, duket që ekziston një vullnet i qartë për një integrim të shpejtë.
Mirëpo, pikërisht këtu fillon dhe zë fill dyshimi ynë. Sidomos, në mënyrën sesi qeverisjet e vendit e kanë prezantuar atë, sot dhe dje.

Në fakt, prej vitesh, nëpërmjet një "bombardimi" mediatik të paparë, për asnjë çështje tjetër, qeveritë e këtij vendi ia kanë dalë ta prezantojnë atë, si një proces i cili zhvillohet nën formulën, bëj-e bëra. Nga çka do të përshkruajmë më poshtë, duket se një zgjedhje e tillë, nuk ka qenë e paqëllimshme, e aq më pak naive. Për të mos thënë, e kalkuluar mirë.

Kështu, sipas qeverive shqiptare, i gjithë ky proces bazohet në një numër kërkesash, madje "të pafundme", nga ana e BE-së dhe nga ana jonë, nga realizimi i tyre, vit pas viti, si rezultat i vullnetit të palëkundur të qeverive, për të mbyllur me sukses këtë proces historik të shqiptarëve.

Dhe, në këtë drejtim, qeveria e sotme nuk bënë dallim në synimin e saj për t'u vetëprezantuar si kampione e integrimit. Por çfarë ndodh në realitet? Le të ndalemi në ndonjë shembull, për të kuptuar më mirë.


Le të marrim për ilustrim, korrupsionin. Për ta luftuar atë, BE-ja kërkon reforma të mëdha e të gjithanshme. Qeveria e sotme tregohet më se e gatshme, madje e shndërron atë në "kalin" e saj të fitores. Por ç'ndodh, më pas?

E "legjitimuar" nga një kërkesë e tillë, kjo "luftë e drejtë", shndërrohet në një mjet të jashtëzakonshëm përfitimi politik të brendshëm.

Kështu, për t'i realizuar ato, qeveritarët tanë veshin "gunën" e ngrohtë të një demokracie ende në formim, e cila vlen si një "justifikim" në sytë e Europës, i qindra pushimeve, të cilat, në shumicën e tyre, janë në kundërshtim me ligjet që rregullojnë administratën publike.

A mund të "kënaqen" miqtë tanë europianë nga kjo lloj reforme, e cila vijon më pas me zëvendësimin e tyre me qindra qytetarë të tjerë "të ndershëm" e të "pastër", pa konkurs?

Sigurisht, është e qartë: as evropianët nuk binden për vullnetin e qeverisë, e sigurisht, as qeveria jonë nuk gënjehet për këtë. Në Europë, kjo quhet shkelje e ligjit, e pastër dhe, sigurisht, ata nuk e pranojnë këtë.

Një tjetër shembull. Këshilli i Europës miraton rezolutën për dekomunistizimin e shoqërive ish-komuniste. Edhe kësaj radhe, vullneti i qeverisë është maksimal.

Veçse, çuditërisht, për ta realizuar këtë kërkesë të Europës, kjo shumicë premediton, koncepton, harton, aprovon një ligj, i cili bie në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e vendit dhe një numër ligjesh organikë të një rëndësie të veçantë.

E, më së fundi, sikur të mos mjaftojë kjo, bën çmos për ta kaluar, duke përdorur metoda të sofistikuara presioni, boll të rrezikshme ndaj Gjykatës Kushtetuese. Europianët e kuptojnë qartë edhe këtë rast. Dhe, sigurisht, mbajnë shënim.

Ata konstatojnë me habi, se edhe pas njëzet vitesh, një forcë apo koalicion politik, është i aftë të jetë kaq i rrezikshëm për demokracinë, e cila kuptohet, pavarësisht nga ç'thuhet, në një rast të tillë, duket se është mjaft e brishtë.

Ka edhe shumë raste të tjerë të ngjashëm, të cilët kanë rrezikuar, këto vitet e fundit, përthyerjen e shumë prej shtyllave të demokracisë, si, ndarja e pushteteve, pavarësia e gjyqësorit, pavarësia e institucioneve të pavarura, të drejtat e njeriut.
Dyshimi këtu vjen dhe merr formë të plotë.

A e dinë qeveritarët tanë, se sa të rrezikshme janë këto forma pune, të cilat, duket sheshit se janë një simbiozë e çuditshme midis kërkesave legjitime të Brukselit dhe interesave të tyre politiko-elektorale të brendshme. E dinë dhe s'ka pikë dyshimi.

Qeveritarët tanë e dinë, gjithashtu, se shembujt që përmenda më lart, janë më të rëndësishëm dhe më elokuentë në pasqyrimin e gjendjes dhe nivelit të demokracisë në vend, sesa "realizimet" e "detyrave të shtëpisë".

Ata e dinë, gjithashtu, se çdo progres në negociata me BE-në, mund të minohet në çdo çast nga ngjarje e dukuri të tilla. Sepse Europa, nëse ka probleme, të cilët nuk mund t'i pranojë, janë pikërisht shkelja e ligjit, autoritarizmi, kontrolli absolut i pushteteve nga një dorë e vetme, etj.


Përse atëherë, kur këto janë kaq evidente, qeveritarët tanë, ndërsa betohen dhe përbetohen për integrimin, negociojnë dhe na bombardojnë çdo ditë mbi sukseset e tij, realizojnë akte, të cilat e shndërrojnë këtë proces kaq të rëndësishëm, në një mundim të pandërprerë Sizifi?


Ka një shpjegim; nuk u intereson një proces integrimi i shpejtë. Më saktë, u intereson një proces integrimi i ngadaltë dhe kjo për dy arsye:


Së pari, sepse vetë procesi është një "gur i çmuar" që prodhon lojë politike. Në të vërtetë, rrallë mund të gjendej, në një hapësirë kaq të varfër sa Shqipëria dhe një popull kaq i izoluar sa shqiptarët, një mundësi e tillë për të tërhequr masat.

Në fakt, nga nevoja për një jetë më të mirë, integrimi në Europë po shndërrohet çdo ditë në një, gati-gati, ideologji, të ngjashme për nga forca gravitacionale me atë të nacionalizmit.

Çdo arritje e tij, çdo deklaratë, çdo premtim i dhënë në kohën e duhur, është për qeverisjen tonë një mundësi e jashtëzakonshme për të tërhequr njerëzit, për të korrur votat. Pra, për të qëndruar në pushtet.


Por, kur vjen fjala për pushtetin, dhe për këtë nuk ka nevojë për shembuj, qeveritarët tanë nuk kanë të njëjtin koncept me europianët. Në Shqipëri, pushteti të bën aq të pasur në aq pak kohë, sa do ta kishin zili edhe europianët më të pasur.

Mirëpo, një integrim i shpejtë i Shqipërisë në strukturat europiane, pa ekzagjerim, do të "vriste" një mundësi të tillë. Sepse, që në fillim, do të ishte e pamundur të manipuloje zgjedhjet, pra, të merrje e mbaje pushtetin në mënyrë të pandershme. E, në këto kushte, nëse humb, do t'i liroje karrigen një tjetri, jo të rrish në politikë, gati-gati sa diktatori.

Në Europë, do të duhej të kishte një shtet të së drejtës dhe, në këto kushte, do të ishte e pamundur të kontrolloje me dorë të hekurt gjithçka, duke përfshirë edhe drejtësinë.

Mundësi kjo që, sot, të ndihmon të vjedhësh dhe mos dënohesh. Do të kishte, gjithashtu, rregulla të rreptë të ekonomisë së tregut dhe jo dukuri si ajo e naftës D2. Do te kishte, ndërkohë, shtet ligjor, pra e pamundur të pushosh e rekrutosh në mënyrë të paligjshme.

Pa dyshim që, integrimi në Europë, do të stoponte një pushtet të tillë. Më saktë, do ta stoponim vetë atë, nëse do të duam të integrohemi realisht. E, bashkë me të, edhe përfitimet marramendëse, që ai sjell sot për mbajtësit e tij.

E sa e sa të tjera "privime" si këto. Qeveritarët tanë i dinë këto. Por a janë të gatshëm ata të sakrifikojnë të gjitha të mirat që u sjell pushteti, për t'u dhënë shqiptarëve një mundësi të jashtëzakonshme për një jetë më të mirë?

A janë gati për këtë, këta njerëz që na udhëheqin?
Padyshim që jo. Ndaj, bëjnë ç'është e mundur ta mbajnë atë në stadin e një procesi me përparime të pakta, të ngadalta.

Të aftë, përsosmërisht, të tërheqë "turmat" në mbajtjen mbi shpatullat e stërmunduara, gjithë shpresë, të një pushteti, i cili ekziston veçse për të pasuruar në mënyra të jashtëligjshme mbajtësit e tij.

Dyfytyrësi që ndeshet edhe sot, ndërsa përkundër këshillave të të gjithëve, kërkohet me ngulm aplikimi për anëtarësi. Duke shpresuar, ndërkohë, se retorika për një integrim të shpejtë të vendit, do të mbulojë dhe fshehë sadopak fajësinë e madhe reale të vonesës së tij në këtë proces.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›