Avokati i Shtetit dorëzon padinë për Delijorgjin
Kreu i "Albademil" duhet t'i paguajë viktimave të tragjedisë 16 milionë euro, aq sa ka shpenzuar shteti për ta
TIRANË- Paraditen e djeshme, edhe zyra e Avokaturës së Shtetit e ka dorëzuar pranë Gjykatës së Lartë kërkesë padinë civile ndaj shoqërisë "Albademil" dhe administratorit të saj, të pandehurit Mihal Delijorgji, duke i kërkuar të shpërblejë dëmin e shkaktuar ndaj shtetit me një vlerë prej 2.2 miliardë lekë të reja.
Pritet që në ditët në vazhdim, pranë Gjykatës së Lartë, të fillojë procesi penal ndaj 29 të pandehurve të akuzuar si përgjegjës të tragjedisë së Gërdecit, por, këtij procesi do t'iu bashkëngjiten edhe kërkesë paditë civile të Avokaturës së Shtetit e 18 familjarëve të viktimave të kësaj tragjedie.
Sipas kërkesë padisë së Avokaturës së Shtetit, shuma që do të kërkohet të paguhet nga përgjegjësit e këtij shpërthimi është vlera e dëmit të nxjerrë nga Prokuroria e Përgjithshme gjatë hetimit, dëm të cilin qeveria është detyruar të paguajë ndaj të dëmtuarve.
"Vlera monetare që kërkohet të paguhet, është ajo e nxjerrë nga Komisioni i Vlerësimit të Dëmeve që prokuroria tashmë e ka bërë të ditur dhe që është rreth 2.2 miliardë lekë të reja, afërsisht rreth 16 milionë euro. Kjo shumë tashmë është paguar nga autoritetet shtetërore, ndaj të dëmtuarve nga shpërthimi",- thuhet nga burimet pranë Avokaturës së Shtetit.
Sipas prokurorisë, nga hetimi 12- mujor i dosjes është provuar se ngjarja e 15 marsit 2008 ka shkaktuar vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31 personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm personash të tjerë.
Ndërsa, si pasojë e shpërthimit, në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore.
Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vlerësimi paraprak, i akt-ekspertimit kontabël të datës 16 prill 2008, të Entit Kombëtar të Banesave, kap vlerën e 2.2 miliardë lekë të reja apo rreth 16 milionë euro.