Vetëdorëzohet pas 3 vjet arratisjeje ish-kreu i Hipotekës
PRONAT/ Alush Xhihani, 46 vjeç, u dënua një vit më parë me 2 vjet heqje lirie për "shpërdorim detyre"
DURRËS - Ish-kreu i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Alush Xhihani, ka vendosur t'i japë fund jetesës në ilegalitet prej 3 vitesh me radhë.
Dje ai ka vendosur të vetëdorëzohet në policinë e Durrësit, nga ku më pas janë kryer procedurat për dërgimin e tij në burg për shkak se Xhihani është i dënuar me 2 vjet heqje lirie për "shpërdorim detyre" në kohën kur drejtonte Hipotekën e Durrësit.
Vetëdorëzimi
Alush Xhihani, ish-kreu i Hipotekës, ka komunikuar me punonjësit e policisë nëpërmjet personave të autorizuar prej tij, për të negociuar lidhur me kushtet e vetëdorëzimit. Pas kësaj, ai është vetëparaqitur në ambjentet e Komisariatit të Durrësit.
46-vjeçari Xhihani, lindur dhe banues në qytetin e Shijakut, ishte shpallur person në kërkim tre vjet më parë, pasi mbi të rëndonte një masë dënimi prej 2 vjetësh burg për veprimtarinë e tij në kohën që drejtonte Hipotekën e Durrësit.
Sipas dokumentacionit të policisë, shtetasi Alush Xhihani ishte shpallur në kërkim që prej 06 marsit të vitit 2006 nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Durrësit, pasi duke qenë në detyrën e Drejtorit të Hipotekës së Durrësit kishte konsumuar veprat penale të "shpërdorimit të detyrës" në bashkëpunim dhe "falsifikimit të dokumenteve".
Pas një procesi gjyqësor që zgjati mbi dy vjet, Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar Xhihanin me katër vjet heqje lirie, por pas apelimit të këtij vendimi, Gjykata e Shkallës së Dytë përgjysmoi dënimin duke e çuar në dy vjet burgim për akuzën e "shpërdorimit të detyrës".
Abuzimi
Çështja ndaj ish-kryeregjistruesit të Durrësit nisi pas një denoncimi të kryer tre vjet më parë nga një shtetas nga Kavaja. Pas nisjes së hetimeve, nga ana e prokurorisë u arrit të vërtetoheshin edhe lidhjet me persona të tjerë, të cilët gjithashtu punonin në hipotekën e qytetit bregdetar.
Hetimet zbardhën abuzime të kryera me pronat përgjatë viteve 2002-2003 në Durrës, ndërsa ish-kryeregjistruesi u akuzua se kishte përfituar padrejtësisht prona, duke abuzuar me detyrën.