Rihapet hetimi për dosjen "9 Janari"
TRAGJEDIA/ Gjykata e Apelit të Vlorës ka pranuar kërkesën e familjarëve për rihapjen e dosjes
Dyshimet e ngritura nga të afërmit e viktimave ishte se ditën e tragjedisë janë nisur dy gomone, jo një
VLORË - Rihapet dosja e "9 Janarit", ndërkohë që nga ana e prokurorisë do të duhet të vërtetohet fakti i pretenduar prej 5 vjetësh nga familjarë të viktimave se ditën e tragjedisë kanë qenë dy gomone të nisura drejt Italisë dhe jo një.
Për më tepër, kërkohet që përpara gjykatës të dëshmohet se përse të dhëna të siguruara nga të afërmit e viktimave janë mbajtur të fshehura, si dhe të paraqiten si dëshmitarë ish-zyrtarë të lartë të asaj kohe, mes të cilëve edhe ministri i Rendit Publik.
Vendimi për rihapjen e dosjes së 9 Janarit erdhi pas kërkesës së familjarëve të 8 personave të humbur që prej 5 vjetësh, të cilët nuk u quajtën si të zhdukur në këtë tragjedi.
Trupi gjykues i cili vendosi pro kërkesës kryesohej nga vetë kryetarja e Gjykatës së Apelit në Vlorë, e cila lidhur me pretendimet e paraqitura u shpreh se fakti ishte i dukshëm dhe ekzistonte, si rrjedhojë çështja kishte nevojë për hetime të mëtejshme për të realizuar zbardhjen e plotë të saj. Kështu, Apeli ka hedhur poshtë vendimin e dhënë nga Gjykata e Faktit e cila më parë kishte vendosur rrëzimin e kërkesës për rihapjen e hetimeve.
Një vit më parë, prokuroria e Vlorës firmosi pushimin e çështjes dhe dosja "9 Janari" u mbyll me pretendimin se fakti penal nuk ekzistonte (çka nënkupton se ngjarja e pretenduar nuk ka ndodhur).
Pas vendimit të firmosur nga dy prokurorë të Vlorës, në 29 janar 2008, familjarët depozituan një ankimim, por ky i fundit nuk u pranua nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Në gusht të vitit 2008 familjarët e apeluan vendimin dhe seanca përfundimtare vendosi dje rihapjen e dosjes, ku edhe vetë Prokurori i Apelit të Vlorës është shprehur pro rihapjes së hetimeve. Sipas tij, kërkesa e familjarëve të viktimave është e pranueshme.
Në emër të familjarëve të viktimave në këtë tragjedi, përfaqësuesi ligjor Dodë Mehmetaj tha se është kërkuar të evidentohen të gjitha faktet, në të cilat përfshihen emra dhe njerëz të veshur me pushtet apo që kanë qenë në drejtimin e institucioneve të atëhershme.
Sipas tij, nuk është marrë informacioni për këtë ngjarje, por është fshehur dhe deformuar, për të fshirë të vërtetat. Mehmetaj tha se është tentuar fshehja e gjithë ngjarjes dhe mosrealizimi i operacionit është pasojë e kësaj.
"Është shumë e dyshimtë, - tha ai, - si deklarohet se në 10 janar 2004 në gjirin e Dafinës është gjetur një gomone e dytë, deklaratë që bëhet nga Sokol Bizhga, ish-shef i Krimeve të Rënda të atëhershme, çka hedh dritë për ngjarjen".
Në tragjedinë 9 janarit të 5 viteve më parë humbën jetën 28 persona, të gjithë nga qyteti i Shkodrës.
Avokati mbrojtës: Të zbulohet ku janë zhdukur tetë trupa
Pyetur pas seancës, Dodë Mehmetaj, përfaqësuesi ligjor i familjarëve të viktimave të 9 janarit tha se kjo është një dritë jeshile për çështjen, e cila duhet të zbardhet.
Ndër emrat, pozicioni i të cilëve duhet të bëhet i qartë, ai ka renditur shefin e shtabit të asaj periudhe, ish-drejtuesin e policisë së Vlorës, si dhe ish-ministrin e Rendit Publik.
Sipas tij, duke iu referuar dëshmive në prokurori, rezulton se në datën 10 janar është parë një gomone në gjirin e Dafinës.
Pranë saj ka pasur një nga mjetet e Interforcës dhe sipër ka qenë helikopteri. Në gomone ka pasur tetë trupa të mbytur. Por askush nuk ka folur më pas për këtë gomone dhe asnjë nuk e di ku janë çuar trupat. Hetimet e tanishme priten të zbardhin ndër të tjera nëse nga brigjet e Vlorës, 9 janarin e 2004-s janë nisur një apo dy gomone.
Nikollë Mhillaj, kryetari i shoqatës së familjarëve të viktimave të 9 janarit pohon se janë katër familjarë të viktimave, trupat e të cilëve nuk janë gjetur, të cilët kanë hyrë në grevë urie.