E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse nuk po e "mallkon" Berisha gjyqtarin e diktaturës?

Besnik Ymeri është një nga pesë gjyqtarët që u zgjodh me short për të gjykuar dosjen e Gërdecit. Ymeri është një ish-gjyqtar i kohës së komunizmit, të cilin e prek ligji i lustrimit të figurave, miratuar nga Kuvendi dhe që gjendet në sirtarët e Gjykatës së Lartë. Rreth dy muaj më parë, kur ky debat ishte shumë i nxehtë, kam shkruar se, pavarësisht fatit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, gjyqtarët ose prokurorët që preken nga ligji dhe që do të kenë shansin të gjykojnë dosjet e nxehta të korrupsionit të qeverisë, siç është ajo e Gërdecit, Fazlliçit apo Lulzim Bashës, duhet të japin dorëheqjen nga çështjet, pasi është e nevojshme që gjykimi mbi këto dosje të mos bëhet nën presionin e ligjit. E thënë ndryshe, "regjimi i duarve të pastra" duhet të gjykohet realisht nga duar të pastra.

Besnik Ymeri është një nga këta emra. Njësoj si Zamir Shtylla ai tashmë duhet të ishte anatemuar prej kryeministrit, Sali Berisha. Unë prisja që këto ditë gazetat RD ose "55" të botonin shkrime që ky njeri ka vrarë, përdhunuar apo masakruar disa njerëz. Prisja letra të hapura kundër tij, që t'i kujtonin se po shkel mbi gjakun e njerëzve të pafajshëm dhe duhet të japë dorëheqjen. Prisja fjalime të kryeministrit të posaçme, siç i mbajti për zotin Shtylla. Në fakt, asgjë e tillë nuk ndodhi. Nuk kam asnjë ide për çfarë ka bërë mirë apo keq gjatë kohës së komunizmit gjyqtari i sotëm i Gjykatës së Lartë, Besnik Ymeri, por di të them se si një subjekt i prekur paraprakisht nga ligji i lustrimit, është mirë të qëndrojë larg dosjeve që kanë të bëjnë me korrupsionin e qeverisë, me qëllim që gjykimi ndaj tyre të jetë i pacenuar.

Por lajmet që botoi shtypi dje janë dhe më interesante. Një studio e njohur ligjore në Tiranë për çështje penale, që mbron kryepërgjegjësin juridik të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgjin, ka të punësuar vajzën e tij. Më tej akoma, nëse heton mes lidhjeve të këtij gjyqtari dhe kunatit të Fatmir Mediut, Ilirian Celibashi, do të hetosh qartazi konsultat e pandërprera që kanë bërë bashkë më parë për këtë çështje dhe garancitë që kanë marrë prej tij për votën pro tyre. I gjithë ky 'rrethim' që i është bërë këtij gjyqtari nga njerëzit e ish-ministrit Mediu, janë arsyeja e vërtetë përse Sali Berisha dhe njerëzit e tij po heshtin për një gjyqtar të kohës së komunizmit, që ka marrë tashmë në dorë një dosje të nxehtë të qeverisë. S'e dëgjova dje Aldo Bumçin të dilte e të thoshte, siç thotë zakonisht, se "ka plot gjyqtarë të rinj që mund të gjykojnë aferat e qeverisë, dhe nuk kemi mbetur të na gjykojnë ata që kanë lyer duart me gjak"! (Të më falë zoti Ymeri që po imitoj Aldo Bumçin).

S'e dëgjova as zonjën Topalli që nuk lë rast pa folur për gjyqtarë të tillë të kohës së komunizmit. Askush nuk ka pipëtirë deri tani, edhe pse një gjyqtar i Lartë, i prekur nga ligji i lustrimit, po gjykon një dosje të tyre. Ky standard i dyfishtë që ata po përdorin ndaj njerëzve të drejtësisë që kanë lidhje me të kaluarën, zbulon qartë misionin e ligjit që miratuan, që nuk kishte të bënte me dënimin e krimeve të komunizmit, por fshehjen e krimeve në demokraci prej tyre. Ata bënë presionin e duhur mbi këta gjyqtarë dhe prokurorë, bënë një ligj të pazbatueshëm dhe tashmë janë të lirë të seleksionojnë kush nga gjyqtarët është i tyre dhe kush jo.

Është e njëjta gjë që po ndodh dhe me avokatin e zotit Mediu, Ardian Visha, për të cilin nuk kam asnjë mendim personal, por kam vetëm vlerësimet publike të kryeministrit Berisha, i cili e ka quajtur koka e bandës "Hakmarrja për Drejtësi" dhe njeriu kyç që ka dështuar ekstradimin e Orik Shytit në Shqipëri. Tashmë ky "djall" është shndërruar në engjëll dhe është konsulenti kryesor i Sali Berishës për dosjen e Gërdecit dhe shpresa e vetme se do t'ia dalë me lidhjet e tij brenda drejtësisë të mbulojë përfshirjen e djalit të tij në këtë skandal.

Keqkatandisja e kryeministrit Berisha në këtë histori është e dhimbshme. Ai tashmë duhet të heshtë për një gjyqtar të diktaturës, pse i ka dhënë garanci Fatmir Mediu se ka mbyllur pazarin me të, duhet të heshtë për konfliktin e tij të interesit (të cilin Berisha u betua që s'do ta falte kurrë për asnjë gjyqtar), dhe do të vazhdojë të presë lajme të mira për procesin gjyqësor nga ai, që vetë e ka quajtur "njeriu kyç" i "Hakmarrjes për Drejtësi".

Për t'i qëndruar asaj që kam shkruar dy muaj më parë, pa ditur në dorë të kujt do të binte kjo dosje, ftoj zotin Ymeri të largohet nga ky proces, ku miliona shqiptarë dëshirojnë të jetë një sprovë e drejtësisë shqiptare për t'u ringritur në këmbë dhe për t'i dhënë vendit shpresë se një ditë krimet dhe korrupsioni në këtë vend do gjykohen. Unë nuk e ftoj zotin Besnik Ymeri të ikë nga drejtësia dhe nuk kam asnjë rezervë për të shkuarën e tij të panjohur për mua, por dua si shumë shqiptarë të tjerë, që kjo tragjedi e dhimbshme e shkaktuar nga korrupsioni të gjykohet pa hijet e dyshimit dhe mëdyshjet e krijuara nga presioni i një ligji, të cilin Berisha e përdor vetëm kur dyshon se dikush nga drejtësia nuk është nën kontrollin e tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›