E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH: Doktorë, vetëm ata që botojnë jashtë shtetit

Titullin "Doktor i shkencave" do ta marrin vetëm ata që botojnë artikuj shkencorë në revista të huaja dhe që marrin pjesë në simpoziume ndërkombëtare. Ky është kushti i ri që ka ndërprerë procesin e diplomimit për 500 persona që po mbronin tezat e tyre në universitetet shtetërore dhe private. Lajmin e bën të ditur për "Shqip", Ministria e Arsimit, përmes zyrës së saj të shtypit. Pak kohë më parë gazeta botoi shqetësimin e ngritur nga rektori i UT-së, Dhori Kule, për bllokimin e doktoraturave. Por Ministria e Arsimit thotë se nuk janë bllokuar doktoraturat, por janë përforcuar rregullat dhe kriteret për marrjen e këtij titulli. Kjo sipas MASH-it bëhet për të rritur cilësinë e mësimdhënies në universitete, pasi pjesa më e madhe e atyre që mbrojnë doktoraturën janë kandidatë për pedagogë. Vendimi i qeverisë ka dalë që në janar të vitit 2007, më tej është përforcuar me një udhëzim të Ministrisë së Arsimit të janarit të 2008-s. Të gjithë ata profesorë që ishin në proces të mbrojtjes së doktoraturës dhe që nuk e kanë dorëzuar disertacionin në momentin e daljes së vendimit janë pezulluar. Kjo do të thotë se nuk kanë të drejtë të mbrojnë titullin, por t‘i nënshtrohen rregullave të reja. Një nga këto rregulla, është pika 5 e vendimit, nga ku citojmë se "përpara paraqitjes në provimin e doktoraturës, studenti duhet të ketë realizuar së paku tre referime ose paraqitje shkencore nga të cilat një referim duhet të jetë mbajtur në një veprimtari shkencore ndërkombëtare. Bëhet fjalë për një simpozium apo konferencë, ku punimi duhet të jetë i pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe i botuar në "Proceedings" të indeksuar me kod ISBN-je. Një kusht tjetër që ka dalë në udhëzimin e ri është ai që ka të bëjë me botimet. Sipas Ministrisë së Arsimit, një person para se të mbrojë doktoraturën duhet të ketë botuar si autor i parë së paku tre artikuj shkencorë në revista shkencore. Njëri prej artikujve duhet të jetë botuar ose pranuar për botim në një revistë shkencore ndërkombëtare me bord editorial. Ndërsa pika e tretë e udhëzimit që ka ndikuar në ndryshimin e mënyrës së diplomimit të doktorëve përcakton se "studentët duhet të kenë përgatitur dhe më tej paraqitur në Këshillin e Profesorëve të Fakultetit disertacionin së bashku me një përmbledhje të miratuar nga udhëheqësi shkencor". Ky duhet të jetë me patjetër i specializuar jashtë shtetit. Por shqetësimi i UT-së, më shumë se sa për kriteret e reja, është për udhëzimin që ndau në dy pjesë ata që ndiqnin studimet e doktoratës. Kështu, të gjithë ata që e kanë dorëzuar punimin pas janarit nuk janë pranuar. "Nuk janë pak, por afro 500 vetë, pjesa më e madhe e tyre të angazhuar si pedagogë, apo në pritje për t‘u punësuar në universitete, tha Kule, të cilët nuk e dinin afatin se kur duhet të dorëzonin disertacionin". Ata janë gjendur të befasuar kur janë ndeshur me udhëzimin e ri, nga i cili citojmë se "studentët që ndjekin studimet e doktoraturës, por që nuk kanë dorëzuar punimin e doktoratës deri në datën e hyrjes së këtij vendimi do t‘i vazhdojnë ato në ciklin e rregullt". Pra duhet të plotësojnë kriteret e reja. Ndërsa të gjithë ata që i kishin dorëzuar punimet para daljes së këtij udhëzimi, kanë arritur të marrin titullin shkencor Doktor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›