E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanatoriumi, tani spital rajonal për Tiranën

Spitali universitar i mushkërive, "Shefqet Ndroqi", bëhet spital për qytetin e Tiranës. Kjo qendër spitalore do të vazhdojë të jetë terciare, por nuk do të trajtojë vetëm pacientët me sëmundjet e mushkërive. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje kthimin e spitalit në qendër spitalore për kryeqytetin. Spitali universitar "Shefqet Ndroqi", me kapacitet 300 shtretër, i nivelit terciar, do të shërbejë si qendër e mjekimit, mësimit dhe kërkimit shkencor për rajonin e Tiranës. Drejtimi administrativ i spitalit është në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Drejtimi institucional është në varësi të dyfishtë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit, si organe që bashkërendojnë veprimtarinë e spitaleve universitare. Qendra do të funksionojë në tre blloqet aktuale të spitalit të mushkërive dhe do të ofrojë kujdes shëndetësor të nivelit sekondar dhe terciar, me 300 shtretër. Shpërndarjen e tyre, sipas shërbimeve, do ta përcaktojë ministri i Shëndetësisë. Në spital do të funksionojë dhe pjesa e konsultave për vizitat ambulatore. Të treja blloqet e spitalit disponojnë shërbime bazë për përmbushjen e nevojave që lidhen me trajtimin mjekësor, shërbime diagnostikimi dhe mbështetëse, mjekësore dhe jo mjekësore. Roli i QSUT-së "Nënë Tereza" është i padiskutueshëm. Por, si rezultat i migrimit të brendshëm të popullatës me tendencë nga periferia në qendër dhe teknologjinë që ka në dispozicion, ky spital po funksionon si një poliklinikë e madhe për të gjithë vendin. Ngritja e një spitali të dytë të nivelit terciar do të lehtësojë ngarkesën në punët rutinë të QSUT-së, duke ulur fluksin e pacientëve. Po ashtu, spitali i Tiranës do t‘i ofrojë popullatës shërbim më të mirë dhe më cilësor. Sanatoriumi ofron shërbimin kirurgjikal vetëm për sëmundjet e mushkërive. Me miratimin e vendimit të ri do të shtohen disa shërbime të tjera në këtë spital, duke marrë statusin e një spitali të nivelit terciar, që do t‘i shërbej popullatës së Prefekturës së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›