Kivu: Italia do të vuajë shumë përballë nesh
Kapiteni i Rumanisë, Kristian Kivu, ka deklaruar dje se skuadra e tij do të vështirësojë punën e kampionëve të botës të Italisë në takimin e këtyre dy skuadrave ditën e premte. "Ne do t‘ua vështirësojmë jetën. Ata do të na sulmojnë, por ne do të japim maksimumin për t‘i ndaluar", deklaroi Kivu, i cili në ndeshjen e parë kundër Francës u aktivizua në rolin e një mesfushori të mirëfilltë nga trajneri Piturka. Futbollisti që vesh fanellën e Interit në Serinë A duket se nuk e nënvlerëson aspak këtë skuadër, pavarësisht humbjes së saj 3-0 përballë Holandës. "Italia është kampione bote dhe vazhdon të jetë një kombëtare e madhe. Ata u mundën, por nuk mund të thuhet se tani ata janë një skuadër e dobët. Të gjithë mund të kenë një ditë të keqe", vijoi kapiteni i rumunëve. Futbollisti zbuloi se trajneri Piturka nuk i kishte kërkuar këshilla rreth kundërshtarëve që i njeh mirë falë përvojës në kampionatin italian. "Çfarë mund të them më shumë për Italinë? Të gjithë e njohin Italinë. Unë nuk i kam dhënë asnjë këshillë trajnerit. Kemi një trajner i cili po na përgatit shumë mirë dhe ai njeh mjaftueshëm lojën e ekipit kundërshtar. Ai do të bëjë maksimumin që ne të jemi gati për këtë sfidë. Sigurisht, do të mundohemi të krijojmë më shumë raste të rrezikshme se në ndeshjen me Francën. Por ne kemi një plan tonin, ku prioriteti është të mos mundemi. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm", përfundoi Kristian Kivu.