E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojtarët vihen kundër trajnerit Roberto Donadoni

Humbja me Holandën ka shkaktuar shumë probleme në radhët e Italisë, ku shumë prej lojtarëve duket se janë kundër trajnerit Donadoni, i cili nuk ka pranuar fajin për disfatën e pësuar. Sipas "Gazzeta Dello Sport", disa prej futbollistëve, menjëherë pas ndeshjes, u kanë dërguar mesazhe dy lojtarëve që nuk janë përfshirë në grup, duke shprehur pakënaqësitë e tyre mbi mënyrën se si sillet trajneri i Italisë. "Fizikisht jemi shumë mirë, por hyjmë në fushën e lojës me frikë", ishte mesazhi që një lojtar i kombëtares i dërgoi një shoku të tij të skuadrës. "Ne e dimë se kush luan vetëm pak orë para ndeshjes. Po trajtohemi si fëmijë", ishte kritika tjetër që u dërgua nëpërmjet mesazheve. Mendohet se dy lojtarët, të cilët kanë marrë këto mesazhe, janë Masimo Odo dhe Filipo Inzagi, pjesëtarë të skuadrës që fitoi Botërorin dy vjet më parë, por të injoruar nga Donadoni në EURO 2008. Meqë këta dy futbollistë janë pjesë e Milanit, mendohet që mesazhet të jenë dërguar nga kuqezinjtë që u aktivizuan në sfidën me Holandën.

Megjithatë, Donadoni po mendon që të kënaqë kritikët, duke bërë ndryshime të rëndësishme në skemë dhe formacion. Materaci, Gatuzo dhe Di Natale pritet të ulen në stolin e rezervave, ndërsa vendin e tyre do ta zënë Groso, De Rosi dhe Del Piero. Një mbështetje e rëndësishme për trajnerin ka ardhur dje edhe nga paraardhësi i tij, Marçelo Lipi, i cili në një intervistë ka deklaruar se vazhdon të besojë te skuadra që shpalli kampione bote dy vjet më parë. "Humbja me Holandën sigurisht që nuk ishte një gjë e bukur. Nuk dua të bëj parashikime, por skuadrat më interesante deri tani janë Franca, Gjermania, Portugalia dhe Holanda. Por Italia mbetet në nivelin e tyre. Nuk them se në fund do të fitojë Italia, por mendoj se nuk ka realisht asnjë skuadër më të fortë se ajo e pasardhësit tim Donadoni", deklaroi Lipi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›