E Diel, 1 Nëntor 2026

Evropiani, formacioni ideal pas raundit të parë në grupe

Ky është formacioni ideal pasi kanë përfunduar ndeshjet e para në grupe në "Euro 2008". Gjithçka është bërë në bazë të paraqitjeve individuale nga futbollistët e përfaqësueseve të ndryshme, deri diku, pa marrë parasysh rezultatin (nuk ka vetëm lojtarë nga skuadrat fituese).

Van der Sar - Sulmi holandez ishte (si gjithmonë) gjëja më tërheqëse e ndeshjes, por "gardiani" i Mançester Junajted i dha më shumë siguri skuadrës. Grushtim spektakolar në tentativën e Andrea Pirlos, që mund të kishte ndryshuar rrjedhën e takimit me Italinë.

Van Bronkhorst - Fakti që mbrojtësi "tulipan" është në këtë listë tregon sesa e jashtëzakonshme ishte për të paraqitja përballë kampionëve të botës. Van Bronkhorst shërbeu në repartin mbrojtës, por e bëri këtë në mënyrën e preferuar të Holandës: duke ndihmuar sulmin dhe shënuar golin e tretë.

Pepe - Ylli i ditës së parë të Evropianit në Austri dhe Zvicër nuk ishte Kristiano Ronaldo, por shoku i tij te Portugalia, mbrojtësi Pepe. Barrierë e pakalueshme për kundërshtarët dhe një gol i shënuar me një aksion të pabesueshëm (pak më parë i ishte anuluar edhe një tjetër gol për pozicion të dyshimtë jashtë loje).

Dorin Goian - Mbrojtja e fortë rumune në barazimin pa gola me Francën u realizua falë gjithë skuadrës, por Goian spikati mbi të tjerët. Jo tërësisht i saktë në ndërhyrje, rumuni shkaktoi një faull të qëllimshëm, por në këtë mënyrë frenoi një aksion të pastër goli të "Gjelave".

Hoze Bosingua - Përkrah shokut të tij në mbrojtjen portugeze, Pepe, Bosingua ka kontrolluar çdo aksion të turqve dhe ka ndihmuar mirë skuadrën në fazën ofensive. Në të majtë, të besuarit e Fatih Terim nuk sulmuan asnjëherë rrezikshëm dhe kjo për meritë të 26-vjeçarit.

Lukas Podolski - Paraqitjet e mira gjatë kompeticioneve të verës duket se janë shndërruar në zakon për Podolskin. Pas Botërorit 2006, ku u shpall "Lojtari i Ri më i Mirë", në sfidën e parë të turneut kontinental ai shënon dy gola në portën polake. Pikë ekstra për klasin që tregoi, duke refuzuar të festojë rrjetat kundër vendit të lindjes.

Orlando Engelar - Kapiteni i Tuentes është "blerja e re" e Holandës, por i tregoi Evropës atë që tifozët "portokalli" tashmë e dinë: është një prej mbrojtësve difensivë më të mirë në kontinent. Thuajse i padukshëm në triumfin përballë Italisë, por me vlerë të paçmueshme për balancimin e skuadrës së Van Basten.

Torsten Frings - Frings ishte i kudondodhur në fushë: asistonte në fazën sulmuese dhe mbyllte çdo tentativë të polakëve. Padroni absolut i mesit të fushës. Zakonisht ylli i gjermanëve është Balak, por këtë herë Frings e la kapitenin e tij në hije.

Kazim Kazim - Në një skuadër që vuajti të vendoste në vështirësi serioze Portugalinë e yjeve, Kazim ishte rreziku i vetëm turk. Vrapimet e tij në krahun e djathtë tërhiqnin vëmendjen e dy, ndonjëherë edhe tre mbrojtësve. Për fatin e tij të keq u ndihmua shumë pak nga pjesa tjetër e skuadrës.

Van Nistelroi - Polemikat nëse ishte apo jo në pozicion jashtë loje, apo nëse goli duhej dhënë apo jo, vazhdojnë. Ndërkohë, sulmuesi i Realit rri në qetësi, duke shijuar rrjetën që i hapi rrugë triumfit me Italinë. Rrezik konstant për mbrojtjen "axurre", duket se është rikthyer në ditët më të mira.

David Vija - I Jashtëzakonshëm. Të gjithë prisnin Fernando Torresin apo Çesk Fabregas, por në katedrën e "Furisë së Kuqe" hipën sulmuesi i Valencias. Rusët do ta kujtojnë gjatë sulmuesin spanjoll, që me tre golat e realizuar kandidohet për të fituar "Këpucën e Artë".

XI më i Mirë

4-4-2

Van der Sar

(Holandë)

Bosingua Goian Pepe Van Bronkhorst

(Portugali) (Rumani) (Portugali) (Holandë)

Kazim Kazim Engelar Frings Podolski

(Turqi) (Holandë) (Gjermani) (Gjermani)

David Vija Van Nistelroi

(Spanjë) (Holandë)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›