Materniteti i parë privat në vend, gati në fillim të vitit 2009
Në mars të vitit 2009 do të hapet materniteti i parë privat në vendin tonë. Pjesë e spitalit amerikan "Balkan Alliance" godina është drejt përfundimit. "Do të jetë një godinë spitalore e veçantë, ndërtimi i të cilës është duke mbaruar me gjithë specialitetet e një materniteti modern ku do të trajtohen të gjitha terapitë dhe ndjekjet gjinekologjike, onkologjike, fertilizim invitro dhe pediatri", bëjnë me dije drejtuesit e këtij spitali. Spitali amerikan "Balkan Alliance", aktualisht po operon në fushat e kardiologjisë, kardiokirurgjisë dhe transplanteve të veshkës, duke realizuar më shumë se 2 000 koronarografi dhe rreth 500 ndërhyrje në zemër dhe aortë. Ndërhyrje këto të cilat realizohen me metodat dhe aparaturat më moderne. "Shumica e ndërhyrjeve by pass në enët e gjakut në zemër realizohen me mënyrën off pump, pa ndaluar zemrën dhe pa përdorur pompë, por duke ulur vetëm ritmin e zemrës. Kjo mënyrë aplikohet vetëm në qendra të caktuara dhe në vendet perëndimore", sqarojnë drejtuesit. Sipas tyre, është shumë komode për pacientët dhe i bën ata që periudhën post operative ta kalojnë më shpejt dhe pa probleme. Në këtë qendër janë trajtuar më shumë se 30 pacientë me infarkt akut, të cilëve në shumicën e rasteve ju është bërë hapja e enëve të bllokuara. Ndërhyrje, kjo e cila shpëton zemrën nga dëmtimi në rast se bëhet 6 orët e para të infarktit. "Kjo ndërhyrje u realizua për herë të parë në këtë qendër dhe ende realizohet vetëm aty. Po ashtu elektrofiziologjia është unike dhe e vetme, madje dhe në rajon (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi), studimi elektrofiziologjik dhe ablacionet është një procedurë e përdorur për kurimin e problemeve të ritmit në zemër si aritmia", nënvizojnë specialistët. Spitali amerikan, tashmë dhe me mbështetjen e aksionerëve të rinj amerikanë "Bedminster Capital Management Fund", vazhdon zgjerimin dhe zhvillimin e mjekësisë në Shqipëri në të gjithë fushat e tjera mjekësore me staf të kualifikuar, aparatura shumë moderne dhe ambiente komode dhe të pastra. "Në këtë kohë kur nga shëndetësia jemi mësuar të dëgjojmë vetëm probleme dhe korrupsion, zhvillimet në këtë qendër private duhet të jenë inkurajuese dhe shembull dhe për spitalet publike", pohojnë drejtuesit. Disa muaj më parë amerikanët kanë blerë pjesën dominuese të aksioneve në spitalin turk "Balkan Alliance Medical Center", i ndërtuar pranë ambienteve të Spitalit Ushtarak. Pas lidhjes së kontratës planifikohen investime deri në 100 milionë dollarë në mjekësinë shqiptare. Fondi i investimeve "Bedminster Capital Management" me qendër në New York, përbëhet nga fonde të OPIC (Korporata e Investimeve Ndërkombëtare të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara) dhe disa investitorë të njohur amerikanë.