E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët e Vlorës përndiqen, akoma nuk janë pacaktuar degët në universitetin Ismail Qemali

Nuk kanë të mbaruar problemet e maturantëve vlonjatë këtë fund sezoni provimesh dhe kur u duhet të përgatiten për shkollën e lartë. Ndërkohë që ka mbërritur në këtë qytet formulari A2 që presupozon përzgjedhjen e degëve që do të vazhdojnë në shkollën e lartë ndonëse siç e kemi theksuar edhe më parë në universitetin Ismail Qemali të qytetit nuk kanë ardhur përgjigjet përfundimtare për degët e reja që do të hapen aty, problem mbetet për maturantët plotësimi i formularit A2. Në udhëzimet përkatëse për këtë formular përcaktohet fare qartë se mosplotësimi në rregull i tij sjell problem deri në mos marrjen e degës që dëshiron maturanti në shkollën e lartë. Mirëpo pikërisht plotësimi në rregull i tij po krijon problem me maturantët. Ata tashmë i kanë tërhequr formularët pranë shkollave përkatëse dhe i kanë bërë edhe dhjetëra kopje por plotësimi normal i tyre po u sjell vështirësi. Sipas drejtuesve të arsimit rajonal në qark kjo anomali vjen si rezultat i moskorrektesës së drejtuesve të shkollave sepse nga ana e kësaj drejtorie janë bërë deri tani tre seminare të rregullta me këta drejtues për mënyrën e plotësimit të këtij formulari por me sa duket mësimet e këtyre seminareve nuk janë përcjellë tek maturantët siç ka qenë detyra për tu bërë. Tashmë në qytet shikon me dhjetëra maturantë që rendin tek njëri tjetri apo tek specialistët e arsimit në qytet për plotësimin e tij ku duhet një korrektesë e madhe e ndërthurjes së kërkesës së maturanti dhe mundësisë që u jep nota mesatare dhe ato që kanë marrë në dy provimet e para të detyrueshme. Është një përllogaritje jo e lehtë që nëse nuk bëhet siç duhet mund të lejë pa shkollë të lartë edhe maturantë që kanë rezultate të larta në shkollën e mesme. Ndonëse u është lënë afati deri të shtunën për dorëzimin e këtyre formularëve, maturantët vlonjatë po e ndjejnë se e kanë të vështirë përllogaritjen e saktë të pikëve që kanë marrë dhe do të marrin në dy provimet me zgjedhje që janë të premten dhe degëve që do tu duhet të zgjedhin për shkollën e lartë. Jo vetëm për mënyrën e bërjes së provimeve të maturës por edhe për këtë mënyrë plotësimi formulari maturantët vlonjatë shprehen se është e domosdoshme ndërrimi i këtij sistemi mature për të mos komplikuar fare kot përzgjedhjen e shkollës së lartë.  

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›