E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia zhytet në borxh tek BERZH për instalimin e ngrohjes në shkolla

Kryebashkiaku ka reklamuar prej kohësh sistemin e painstaluar të ngrohjes në institucionet e arsimit
Bashkia e Tiranës vazhdon me kredhjen e saj drejtë borxheve të majme. Megjithëse taksat për qytetarët janë rritur në mënyrë të tmerrshme si dhe fondet e dhëna nga qeveria kanë qenë të majme bashkia ka marrë hua aq të mëdha sa nuk dihet se si do ti shlyejë. Borxhet më të mëdha që ajo ka marrë janë siguruar nga BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim). Vetëm për ndërtimin e unazës së madhe në kryeqytet bashkia ka marrë një borxh të kripur nga BERZH që arrin në 10 milionë euro, tani ka marrë një tjetër borxh për ndërtimin e sistemit të ngrohjes në ambientet e kopshteve, çerdheve dhe shkollave, më parë ka marrë hua të tjera për ndërtimin e banesave sociale si dhe një sërë huash të tjera për fusha të ndryshme. Megjithëse qeveria i kishte dhënë bashkisë një fond pre 40 milionë lekëve për këtë vit vetëm për ndërtimin e sistemit të ngrohjes në ambientet shkollave të sistemit parauniversitar ajo kërkoi sërish hua nga BERZH. Akoma nuk është bërë e ditur se sa ka shkuar huaja që Bashkia e Tiranës i ka Bankës Evropiane për Zhvillim por një gjë është e sigurt që ajo është kredhur në borxhe tek ky institucion. Me sa duket kryebashkiaku Rama e ka vendosur që në momentin që do të lërë çelësat e zyrës së tij si kryetar bashkie do e lërë këtë institucion të zhytur në borxhe dhe bashkë me të edhe kryeqytetasit. Me sa duket ai i ka bërë mirë llogaritë që deri pas një viti që do e lërë poltronin e kryebashkiakut të ketë marrë sa më shumë lekë që destiancionin nuk ja ka bërë kurrë të ditur publikisht veçse ka lënë në borxhe të majme këtë institucion që e drejton prej vitesh.
Projekti i Bashkisë në bashkëpunim me BERZH
Një projekt i bashkisë së Tiranës në bashkëpunim me BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) synon ndërhyrje në sistemin e ngrohjes në një numër të konsiderueshëm çerdhesh, kopshtesh dhe shkollash në kryeqytet, por edhe në termoizolimin dhe reduktimin e lagështisë në këto objekte. Burime nga bashkia e Tiranës thanë se "këto projekte synojnë krijimin e një mjedisi të përshtatshëm dhe cilësor për një proces edukativo-mësimor, sipas standardeve që aplikohen në të gjitha vendet evropiane. Sipas burimeve, ekspertë të huaj që punojnë për Programin e Auditit të Energjisë dhe ekspertë shqiptarë, kanë realizuar vlerësimin e efiçencës së shfrytëzimit të energjisë në disa objekte publike arsimore, që kanë një sistem qendror ngrohjeje dhe në disa të tjera, ku pritet të ndërhyhet. Grupi i punës ka vlerësuar shkollat Hasan Prishtina, Mihal Grameno, Dora DIstria dhe Ismail Qemali, kopshtet 52, 56,18 dhe Nr. 6, si dhe çerdhet nr. 8, 10 dhe 50. Në këtë fazë, ky grup ekspertësh ka pasur takime me stafin që mirëmban sistemet e ngrohjes, Drejtorinë e Punëtorëve të Qytetit nr. 3, si dhe me drejtues të bashkisë së Tiranës. Në përfundim ekspertët do të dorëzojnë një raport vlerësues për këto objekte, raport që do të jetë baza e ndërhyrjes së mëtejshme e që pritet të sjellë një situatë krejt ndryshe të përdorimit të energjisë në to. Ndërkohë, bashkia e Tiranës po sheh mundësinë e instalimit të paneleve diellore në disa objekte me qëllim shfrytëzimin e kësaj alternative për ngrohje
Bashkia mburret me sistemin e ngrohjes, që nuk ekziston ose nuk punon
Në qytetin e Tiranës janë vetëm 18 shkolla që kanë ngrohje qendrore me naftë, por janë plot 32 të tjera që nuk kanë kaldajë dhe për të cilat bashkia nuk përgjigjet. Por edhe nxënësit e 18 shkollave me sistem ngrohje kanë të njëjtin fat si të tjerët, që mësojnë në shkolla ende të papajisura me ngrohës qendror. Sistemi i ngrohjes nuk punon se në disa raste nuk punon kaldaja, nuk ka punonjës mirëmbajtjeje për të, ska naftë, kaldaja pëson defekte teknike etj. Nga Bashkia e Tiranës është bërë me dije: Investimet në infrastrukturën arsimore iu kaluan si kompetencë pushtetit Vendor në vitin 2004. Me gjithë problematikën që u shfaq edhe si rezultat i varësisë së dyfishtë të sistemit arsimor, investimet e bëra nga Bashkia e Tiranës në këtë fushë kanë ardhur duke u rritur jo vetëm nga pikëpamja e masës së investimeve, por dhe e cilësisë së këtyre investimeve. Bashkia e Tiranës për herë të parë vendosi një standard të ri të detyrueshëm në projektimin e objekteve arsimore si dhe zbatimin e tyre, që është ai i ngrohjes qendrore. Përgjatë viteve 2004-2008 janë realizuar sistemet e ngrohjes në 32 shkolla, 17 kopshte dhe 15 çerdhe. Vetëm gjatë vitit 2008 janë realizuar sistemet e ngrohjes në 18 shkolla, 11 kopshte dhe 11çerdhe. Nëse u beson këtyre fjalëve, atëherë mendon se çdo gjë është shumë në rregull dhe tani nxënësit nuk kanë më ftohtë në orët e mësimit. Gjatë një vëzhgimi të kryer në shkollat e kryeqytetit, u vërtetua krejt e kundërta. Në shumicën e shkollave, qofshin ato nëntëvjeçare apo edhe të mesme, nxënësit vazhdojnë të qëndrojnë me xhupa dhe duke u dridhur nga i ftohti pasi sistemi i ngrohjes nuk funksionon edhe pse ai është i pranishëm.

Loja mes Ministrisë dhe Bashkisë, i ka lënë nxënësit në mëshirë të fatit
Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës janë ende duke zgjidhur problemin e kompetencave për këtë çështje. Nga Ministria e Arsimit bëhet e ditur se të gjitha fondet për ngrohjen dhe mirëmbajtjen u kalojnë si grand i pakushtëzuar bashkive dhe komunave, në bazë të numrit të popullsisë. Ndërkohë që nga Bashkia e Tiranës bëhet e ditur se përgjegjësia është e jona dhe e drejtorisë arsimore. Sa për fondet, ato janë shumë të vogla. Për shembull, për kopshtet buxheti i Shtetit na ka dhënë 40 milionë lekë për këtë vit, ndërsa nevojat janë më të mëdha. Gjithashtu ata shtojnë se përgjegjësia është e Ministrisë së Arsimit për funksionimin e kaldajave, pasi vendosja e tyre është në varësi të bashkisë, por mirëmbajtja është në varësi të Drejtorive Arsimore Rajonale. E kjo lojë fjalësh dhe mospranim i kompetencave i ka lënë shkollat pa një sistem ngrohje ose me një sistem që nuk funksionon. Nxënësve nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të bëjnë mësim pa i nxjerrë duart nga xhepat pasi i ftohti është i papërballueshëm në klasa.

Last Updated on Tuesday, 07 July 2009 18:39

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›