E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: Nxënësit mbetës do ti japin provimet me gojë

Nxënësit, të cilët nuk arrijnë të marrin një nga provimet e lirimit, do të duhet t'i japin ato në sesionin e vjeshtës. Ministria e Arsimit ka përcaktuar si datë të parë për ridhënien e provimeve të lirimit, ditën e parë të muajit shtator. Më 1 shtator, mbetësit në lëndën e Gjuhës Shqipe dhe Leximit Letrar, do të rijapin provimin, në bazë të një teze të hartuar tashmë jo më nga AVA, por nga Drejtoria Arsimore, ndërsa më 5 shtator do të rijapin provimin mbetësit në lëndën e Matematikës. Lënia e datave të ridhënies së provimeve në fillim të muajit shtator nuk është bërë pa qëllim. Ministria e Arsimit ka vendosur të lejojë zhvillimin e provimeve në datat e mësipërme, me qëllim dhënien e mundësisë së fundit mbetësve për të filluar arsimin e mesëm, që nis në mesin e muajit shtator. Të tjera data ka vendosur Ministria e Arsimit për mbetësit në provimet e Maturës Shtetërore. Më datë 8 tetor do të rijapin provimin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe maturantët, të cilët kanë rezultuar mbetës në këtë lëndë, ndërsa më 15 tetor, ata që nuk arritën të jenë kalues në testimin e Matematikës. Për nxënësit e klasave të katërta të gjimnazeve dhe të shkollave social-kulturore, të klasave të pesta të shkollave teknike, të klasave të treta të shkollave profesionale (me kohë të plotë) dhe të klasave të pesta të gjimnazeve me kohë të shkurtuar, që kanë mbetur në klasë në një apo dy lëndë, me përfundime (nota) vjetore jokaluese, kanë të drejtë t'i japin ato provime me gojë në sesionin e dytë të po atij viti shkollor. Kur nxënësi vlerësohet kalues në provimet e klasës, ka të drejtë të pranohet në sesionin e dytë të provimit të lirimit dhe Maturës Shtetërore të po atij viti shkollor. Maturantët që kërkojnë të ndjekin arsimin e lartë publik, në vitin akademik 2009-2010, duhet të presin ende për të plotësuar Formularin A2. Ministria e Arsimit nuk ka përcaktuar ende një datë se kur do të shpërndajë formularin, në të cilin maturantët do të rendisin preferencat për degën e arsimit të lartë.  Ajo që bëhet e ditur, por që rezulton të jetë ende e pakonfirmuar, është se maturantët do të paguajnë më pak para se vitet e kaluara për të blerë Formularin A2. Kështu, nëse përgjatë historisë së zhvillimit të Maturës Shtetërore, maturantët kanë paguar 2.000 lekë për t'u pajisur me Formularin A2, këtë vit mendohet që ata të paguajnë 1.500 lekë. Afati i fundit kur MASH-i duhet të pajisë maturantët me Formularin A2 është data 9 korrik, një ditë përpara se ata të japin provimet me zgjedhje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›