E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngujohen profesorët që do të hartojnë tezën e provimit me zgjedhje

Kur ka mbetur vetëm një javë nga provimi me zgjedhje për maturantët që duan të vazhdojnë studimet e larta për vitin akademik 2009-2010, hartuesit e 12 testeve u ngujuan në mjediset e AVA-s, për të përpiluar pyetjet të cilave do t'u nënshtrohen maturantët më 10 korrik. Gjatë këtij "ngujimi", ekspertët do të hartojnë 12 teste përkatësisht për lëndët Matematikë, Gjuhë Shqipe, Fizikë, Kimi, Biologji, Histori, Gjeografi, Njohuri për Shoqërinë, Ekonomi-Filozofi, Anglisht, Frëngjisht, Italisht, Gjermanisht, Spanjisht. Teza e provimit do të jetë e kombinuar ndërmjet pyetjeve me alternativa dhe atyre me zhvillim. Gjatë ngujimit, hartuesit e testit nuk lejohen të dalin nga godina e AVA-s, ambientet e të cilës ruhen nga forcat e policisë. Ata do të mund të dalin nga aty vetëm ditën e provimit, pasi teza të jetë hapur nga maturantët. Maturantët, me anë të formularit A1, kanë përcaktuar vetë dy lëndët në të cilat duan të testohen. Specialistët kanë përcaktuar tashmë edhe skemën e vlerësimit që do të aplikohet për të gjitha lëndët. Korrigjimit do të bëhet nga specialist të përzgjedhur, që konsiderohen ndryshe si vlerësues të jashtëm, ku përfshihet çdo mësues i shkollës së mesme, pedagog ose specialist me përvojë në mësimdhënie, në lëndën që zhvillohet provimi. Për renditjen e kandidatëve fitues pas përfshirjes në procesin e përpunimit të të gjithë komponentëve të Maturës Shtetërore, përdoret një program i posaçëm kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi, sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë, pas plotësimit të kuotave të miratuara, hiqet vija e fituesve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›