E Diel, 1 Nëntor 2026

Braktiset fëmija i porsalindur, mamitë e pagëzojnë Saranda

Ka qene ora dhjetë e ditës së shtunë, kur një bari, rastësisht ka ndeshur një çantë plastmasi, e cila i ka tërhequr vëmendjen nga  përgjakja e saj anash dhe grumbullimi i shumë insekteve, kryesisht miza, përreth saj. Bariu që nuk ka dëshiruar të identifikohej, ka  hapur plastmasin dhe pothuajse lakuriq, ka parë një fëmijë të porsalindur, e cila vazhdonte  të merrte frymë dhe të jepte shenja jete. Ai ka vrapuar me sa ka mundur drejt fshatit Pllakë, fshat rreth 10 km në Juglindje të Sarandës, pjesë e komunës Aliko, për  ndihmë. Aty ai ka kontaktuar me  kryeplakun, të cilit i është lutur të komunikojë me policinë dhe spitalin, për të nisur urgjencën në drejtim të  Pllakës, për të marrë dhe shpëtuar jetën e fëmijës në gjendje të rëndë dhe të mavijosur. Megjithatë, duke parë se fëmija rrezikohej, dy persona të tjerë që janë gjendur aty, e kanë mbështjellë fëmijën me teshat e tyre  dhe janë nisur drejt spitalit me një fugon të rastit. Në mes të rrugës janë takuar me autoambulancën e urgjencës dhe infermieret -mami të ardhura nga Saranda dhe kanë  dorëzuar fëmijën të gjallë tek personeli i kualifikuar. Laureta Muçi, kryeinfermiere në maternitetin e Sarandës, e pyetur për ngjarjen thotë: U njoftuam nga policia për gjetjen e një fëmije të porsalindur, të hedhur dhe të braktisur dhe u nisëm me një infermiere tjetër me urgjencë  me makinë. Fëmija ishte në gjendje të rëndë, por sa ka rënë në ngrohtësinë e pelenave që kishim marrë me vete, ka nisur të qajë, gjë që provoi se ishte gjallë. Nga vizita rezultonte se fëmija e seksit femër, kishte ardhur në jetë para 24 orësh, me peshë 2800 gramë dhe se një orë pas mbërritjes në maternitet ishte disi e qetësuar. Infermierja e përshkruan  momentin e gjetjes së fëmijës si shumë prekëse. Ishte gjendur në një grumbull dherash, e gërvishtur nga ferrat në fytyrë e trup, me gypin, kordonin lidhës, me   trupin e nenës të ndotur dhe gjithë dhera , që kishte nisur të qelbëzohej. Nga prezenca e mizave kishin filluar të lëviznin larvat e krimbave, të cilat ju nënshtruan ndërhyrjes mjekësore të menjëhershme. Fëmija i braktisur i është nënshtruar terapisë intensive, është vendosur në inkubator, është ushqyer me qumësht dhe ka filluar jetën normale larg gjirit të nënës, që e braktisi. Personeli mjekësor është kujdesur jo vetëm ti shpëtojë jetën, por po mendon dhe për vijimin e jetës së shëndetshme të kësaj fëmije të braktisur. Infermierja që e priti fëmijën, nxitoi që ta pagëzonte me emrin Saranda.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›