LZHK kërkesë në KQZ për zgjedhje të reja në 5 KZAZ të vendit
Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi ka shprehur propozimin e tij për zgjedhje të reja në disa qendra të vendit, ku ai pretendon se partisë së tij dhe koalicionit ku kjo parti bënte pjesë atë të Polit të Lirisë i janë vjedhur vota. Shehi deklaroi që në KZAZ-të numër 46, 52, 54, 56 dhe 58, të ripërsëriten dhe një herë zgjedhjet për faktin se në këto KZAZ i janë vjedhur votat partisë së tij nga dy partitë e mëdha.
Sipas Shehit nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa u bërë dhe një herë zgjedhje në këto KZAZ, në të cilat partia e tij e ka ndier më shumë manipulimin që i është bërë. Ai ka bërë dhe një ankimim pranë KQZ-së me qëllimin për të ripërsëritur dhe një herë zgjedhjet. Në këto KZAZ janë vjedhur votat, të ribëhen zgjedhjet në to, ka deklarua Shehi. Gjithashtu kjo kërkesë e Shehit është diskutuar edhe nga KQZ, e cila nuk ka marrë akoma asnjë vendim. Në lidhje me procesin e numërimit të votave dhe atë të manipulimit që ka patur gjatë këtij procesi, i janë bashkangjitur edhe parti të tjera, ku vetëm një ditë më parë Partia Republikane, me anë të kreut të saj Fatmir Mediu ka paraqitur një ankesë pranë KQZ, për manipulimet e votës që i janë bërë në qarkun e Beratit. Vendimi nga KQZ për të parë ankimimin e Partisë Republikane do të merret ditën e sotme. Procesi i numërimit të votave ka qenë procesi më i kritikuar, jo vetëm nga dy partitë e mëdha të cilat kanë akuzuar njëra-tjetrën, por edhe nga partitë e vogla të cilat në parlamentin e ardhshëm nuk mund të përfaqësohen, pasi nuk kanë marrë asnjë mandat. Shumë parti të vogla, duke filluar nga PDK, PAD, PDS, PSD, PLL, LZHK, dhe parti të tjera e kanë kontestuar këtë proces, pasi nuk kanë patur asnjë komisioner në qendrat e votimeve, pasi vetë ky proces është administruar nga dy partitë e mëdha.