E Diel, 1 Nëntor 2026

MASH: Pedagogët pensionistë, të mos punojnë në privat

Shpresa Mezini

Urdhri i çuditshëm nuk shpjegon arsyet e punësimit me kohë të pjesshme

Shpresa Mezini

Pedagogët e dalë në pension, por të punësuar nga universitetet private, qoftë me kohë të plotë apo të pjesshme, nuk do të mund ta ushtrojnë më profesionin e tyre. Kështu, të gjithë pedagogët që kanë mbushur moshën e pensionit do tu duhet tu thonë lamtumirë profesionit të tyre, ndonëse plotësojnë kushtet shëndetësore, fizike e psikologjike për të zhvilluar mësim ende. Duke mos përmendur përvojën e padiskutueshme, e cila është një thesar i çmuar për të rinjtë.

Burime për gazetën Shqip bëjnë me dije se vendimi është marrë nga Ministria e Arsimit, ndërsa urdhri i prerë në formën e një shkrese zyrtare është dërguar disa ditë më parë në të gjitha universitetet private. Nisur nga shkresa që ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, u ka adresuar universiteteve private, rektorët e këtyre institucioneve kanë nisur lajmërimet e para. Kështu, dje krerët e privatit në vend, pasi i kanë vënë në dijeni pedagogët e dalë në pension, ata të cilët punojnë me kohë të plotë, i kanë lajmëruar se me fillimin e vitit të ri akademik nuk do të jenë më pjesë e organikës së brendshme të këtyre institucioneve. Kjo do të thotë që mundësia për punësime me kohë të pjesshme është lënë e hapur. Kështu, të prekurit nga ky vendim i çuditshëm i ndërmarrë rishtazi, nuk do të mund të punojnë me kohë të plotë, por vetëm part time. Të vënë përballë kësaj situate, e cila mbetet ende mister për ta, për shkak se nuk u është argumentuar asnjë arsye që e ka çuar ministrinë të marrë këtë vendim, pedagogët ndihen jo vetëm të fyer, por të shqetësuar për xhepat e tyre. Zbatimi i këtij vendimi është rrënim total për ekonominë e tyre. Kjo, për shkak se me daljen në pension, paga e tyre përgjysmohet, madje reduktohet më pak se gjysma, çka e vështirëson jetesën e tyre të përditshme, ndonëse pedagogë me përvojë të mirëfilltë akademike mbi supe, kontributi i të cilëve është i vlefshëm sot e kësaj dite. Por, rëndësia e kësaj kategorie pedagogësh, jo vetëm që nuk vlerësohet nga qeveria, përkundrazi, diskriminohet mesa mundet, duke i kthyer ata nga pedagogë të nderuar, emrat e të cilëve përmenden ende në auditorët e fakulteteve tona, në persona që sot vuajnë për bukën e gojës. Punësimi i tyre në universitetet private ishte e vetmja shpresë për të jetuar, sepse kjo zgjedhje e tyre është më shumë për arsye ekonomike sesa sentimentale, por edhe kjo po u mohohet. Madje, më keq sesa kaq. Po largohen pa ditur arsyen se pse po shkarkohen nga puna, pa kuptuar se çfshihet pas urdhrit të papritur të firmosur nga vetë ministri i Arsimit.

Por, përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Arsimit mohojnë që ky institucion të ketë lëshuar një urdhër të tillë, duke ua kaluar kompetencat e plota rektorëve, të cilët, sipas tyre, janë ata që vendosin për përbërjen dhe numrin e stafeve akademike.

Nuk është e vërtetë që Ministria e Arsimit i ka urdhëruar universitetet private të mos punësojë më pedagogë të dalë në pension apo të pushojë nga puna ata që aktualisht kanë kontratë me ta. Të drejtën për të përzgjedhur stafin akademik, pra për të punësuar apo shkarkuar e ka rektori i universitetit, jo ministria. Aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së një database. U kemi kërkuar universiteteve publike dhe private të raportojnë për numrin e pedagogëve të brendshëm, të jashtëm, për gradat apo titujt që ka secili, të dhëna që do të grumbullohen së shpejti në një database të posaçëm në MASH, sqaron përfaqësuesi zyrtar i këtij institucioni.

MASH: Pedagogët pensionistë, të mos punojnë në privat burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›