Kapshticë, gjatë një jave hynë 20 mijë emigrantë
Në 24 orët e fundit, sipas komandantit të pikës kufitare kanë hyrë mbi 3500 emigrantë
Kapshticë-Gjatë javës së fundit kanë hyrë plot 20 mijë emigrantë nëpërmjet Kapshticës në Shqipëri, ndërsa lëvizja e tyre megjithëse me vështirësi nuk ka munguar as gjatë ditës së djeshme. Pavarësisht nga i ftohti që ka pushtuar bashkë me Shqipërinë edhe zonën e Greqisë veriore, emigrantët shqiptarë nuk e kanë kursyer udhëtimin e tyre drejt atdheut për festat e fundvitit. Duke iu referuar burimeve zyrtare të pikës kufitare të kalimit në Kapshticë mësohet se bilanci i 24 orëve të fundit flet për rreth 3500 emigrantë që kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet kësaj pike kalimi dhe që kanë kryer të gjitha procedurat në të dy anët e kufirit. Nga numri i tyre janë rreth 700 automjete, ndërsa janë dhe mbi 15 autobusë të linjave të përditshme me shtetin fqinj, që kanë shtuar mjetet e tyre në dispozicion të kërkesave të shumta të emigrantëve shqiptarë. Sipas komandantit të pikës shqiptare të kalimit Dritan Shema në një prononcim për gazetën, pala shqiptare është duke punuar aktualisht me 3 sportele për hyrjet në Shqipëri dhe 2 të tjera për daljet prej saj. Në anën shqiptare janë në punë 5 sportele, po kaq sa ka dhe pala greke për momentin. Për fat të mirë emigrantët nuk kanë qëndruar gjatë në temperaturat disa gradë nën zero në Kapshticë, të cilat kanë arritur dje deri në -10 gradë celsius. Kjo, si thonë edhe vetë emigrantët, pasi pala greke ka përpunuar shpejt të dhënat e tyre, ashtu si ka ndodhur dhe me palën shqiptare. Sipas Shemës, ka momente kur krijohen radhë, pasi dhe dyndja është e konsiderueshme, ndërsa është synuar që të përshpejtohen procedurat, për të mos arritur në raste ekstreme, që do të kërcënonin deri dhe shëndetin e udhëtarëve shqiptarë që vijnë për festat e fundvitit në atdhe.