Tiranë, vdes në spital minatori 45-vjçar
Sami Doga, baba i tre fëmijëve, ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak, pas dy ditë lëngimesh nga plagët
Mjekët: Nuk mbijetoi dot nga dëmtimet. Babai: Ishte plagosur edhe para një viti dhe kërkoi punë të lehtë
Tiranë-Minatori i plagosur mesditën e së premtes, në minierën e Bulqizës ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak pas dy ditë lëngimesh. Sipas burimeve zyrtare nga Spitali Ushtarak, mësohet se megjithë ndërhyrjen e specializuar, 45-vjeçari, Sami Doga nuk mundi t'i mbijetonte dot plagëve të marra në trup, pas aksidentit të rëndë që pësoi teksa ishte duke punuar në minierë. Mjekët që e mbajtën nën kujdes kanë sqaruar se pas mbërritjes me helikopter në Tiranë ai iu nënshtrua në mënyrë urgjente ndërhyrjes kirurgjikale. Por, megjithë ndërhyrjen intensive të mjekëve ai nuk mundi të qëndrojë në jetë, si pasojë e dëmtimeve të shumta të marra në trup dhe organet e brendshme.
Ceremonia
Trupi i pajetë i Sami Dogës, mbërriti në Fushë Bulqizë rreth orës 15.30, ndërsa ceremonia mortore kishte orë që kishte filluar në shtëpinë e Rexhep Dodës, babait të viktimës. Shtëpia e tij, ndodhet afro 7 km larg nga Bulqiza. Ndërsa babai i viktimës, Rexhepi, ka gjetur forcë të falënderojë autoritetet shtetërore dhe mjekët e spitalit ushtarak në Tiranë që bënë të pamundur t'ia shpëtojnë djalin, njerëz të tjerë mallkonin këtë minierë që po ua merr djemtë një e nga një. Por duket se tashmë jeta kushton më pak se asgjë në këto anë me kaq halle, madje të 660 punëtorët e nëntokës së Bulqizës, nuk i rezistuan më tej ngritjes në protesta të vijueshme disamujore për kushte më të mira dhe siguri maksimale në punë, të përballur me vështirësi të mëdha të mbijetesës për vete dhe familjet e tyre.
Familja
"Sami Doga la 3 fëmijë jetimë, vajzën 15-vjeçe dhe dy djemtë më të vegjël"-.rrëfejnë të afërmit e tij, të cilët nuk e dinë sesi do të rriten tashme pa babanë e tyre për të përballuar vështirësitë e tejskajshme ekonomike në një zonë të tillë ekstremisht të varfër.
Babai i Samiut ka rrëfyer për Shekullin se djali i tij Samiu, që ishte dhe shpresa e vetme për të mbajtur familjen, ka pësuar dhe një aksident tjetër në minierë, para një viti kur u plagos rëndë nga shembja në një galeri të thellë. "Më pas, për muaj të tërë, nuk doli në punë, ndërsa pikërisht pas një viti pësoi aksidentin e dytë të cilit nuk i rezistoi për të shpëtuar jetën të paktën",- thotë ai.
Vetë minatorët rrëfejnë se Samiu kishte kërkuar punë të lehtë, pasi ndenji disa muaj në spitalin ushtarak dhe më pas në shtëpi i sëmurë rëndë nga pasojat e aksidentit të rëndë, por askush nuk ia afroi një punë të tillë, ndaj u detyrua të futej sërish në thellësitë e nëntokës. Dhe pikërisht kur kishte vetëm një muaj punë si armator në ballin e galerisë, ai pëson aksidentin tjetër duke u zënë nga një masiv shkëmbi, që i shkaktoj trauma të rënda në trup e kokë, çka solli dhe vdekjen e tij.
Ngjarja
Ishte ora 12.30 e 14 dhjetorit, kur miniera famëkeqe shënoi një tjetër aksident. Minatori 45-vjeçar, Sami Doga, baba i tre fëmijëve, mbeti brenda minierës, kur një sasi kromi e zuri poshtë, duke e dëmtuar rëndë. Në mëngjes kishte hyrë si zakonisht për të bërë punën e ditës, që këtë radhë ishte vendosja e armaturës së galerisë. Puna ka vijuar normalisht, deri në mesditë, kur ndodhi edhe aksidenti i rëndë. Sipas kolegëve të tij, ai u zu poshtë nga rënia e një masivi mineralesh, pa mundur dot të tërhiqej në kohë që të shpëtonte.
Kolegët
Sipas dëshmitarëve okularë, minatori Sami Doga, 45-vjeç, u aksidentua në pusin numër dy në nivelin e 16-të, rreth 1000 metra poshtë nivelit të portës së galerisë. Ai ishte duke punuar së bashku me katër shokët e punës të tij. "Detyra e tyre ishte që të përgatisnin një furnel për kërkimin e kromit. Ata ishin duke vendosur kuadrate druri në mënyrë që të mbanin muret anësore të galerisë. Kur po i shikoja unë sapo kishin vendosur kuadratin e parë dhe po përpiqeshin që të vendosnin edhe kuadratin e dytë. Në një moment u dëgjua një zhurmë e madhe dhe galeria u mbulua nga tymi",- tha ditën e ngjarjes, një nga minatorët që ndodhej në galeri së bashku me Dogën. Sipas tij, një masiv minerali kromi është shkëputur nga galeria dhe e ka zëne Sami Dogën poshtë duke i shkaktuar fraktura të rënda në të dyja këmbët. Kanë qenë katër minatorët e tjerë që po punonin me 45- vjeçarin, që kanë dhënë edhe alarmin dhe më pas e kanë nxjerrë atë nga masivi i kromit.
Ndihma
Minatori 45- vjeçar u dërgua me urgjencë në sipërfaqen e minierës për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Më pas ai u nis në spitalin eBulqizës, por gjendja e tij kërkonte një kujdes më të specializuar. Për këtë arsye 45-vjeçari u transportua me helikopter në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Mjekët pas mbërritjes së tij, konstatuan menjëherë gjendjen kritike në të cilën ndodhej dhe bënë të pamundurën për ta rikthyer në jetë. Por duket se gjithçka ishte e kotë, pasi 45-vjeçari nuk mundi dot të mbijetonte dhe humbi jetën dje.
Precedentët
Shpella e vdekjes, 6 viktima në minierë
Aksidenti i pak ditëve më parë, shënon dhe vdekjen e gjashtë në këtë minierë brenda një viti. Më tragjikë kanë qenë aksidentet e ndodhura më 11 qershor, kur humbën jetën 40-vjeçari, Hysen Lezi dhe 49-vjeçari, Avni Durici. Ata ishin në përfundim të turnit të punës, që mbyllet me përgatitjen e frontit të avancimit dhe plasjen e minave. Ndërsa ka shpëtuar falë ndodhjes më larg në momentin e shpërthimit minatori i tretë i atij fronti. Aksidenti u pasua me greva e protesta, por sapo minatorët u rikthyen në punë, miniera e Bulqizës shënoi viktimën e saj të tretë brenda pak ditëve. Zaim Hysa, minator me përvojë prej 23 vitesh, hyri mëngjesin e asaj dite në galeritë e sektorit 14 të minierës, por nuk doli dot i gjallë. Ai dhe një minator tjetër po kryenin inspektimet e nevojshme kur krejt papritur u mbuluan nga një masiv i madh material kromi, i rënë nga tavani i galerisë ku punonin.
Sami Doga kishte pësuar aksident dhe para një viti
Gjergj Marku
Kreu i PS-së, ngushëllon familjen e minatorit Sami Doga, që humbi jetën në minierën e Bulqizës
Rama: Po vriten nga dora e shtetit
Tiranë-Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shprehu dje ngushëllimet familjes së minatorit, Sami Doga, i cili ndërroi jetë dje në spitalin ushtarak në Tiranë, pas plagëve të rënda të marra gjatë aksidentit në minierën e Bulqizës. Deklarata ka ardhur pas lajmit të hidhur, ndërkohë që edhe më parë PS-ja ka bërë apel të vazhdueshëm për kushtet e mjerueshme në të cilat punojnë minatorët dhe për jetën aspak të sigurt të tyre në tunelet e minierës që po vret njerëz dita-ditës. "Ndjejmë hidhërim për të gjithë jetët e humbura, që vriten nga dora e shtetit. Një dorë jo e shtrirë drejt njerëzve, por e shtrirë drejt korrupsionit",- ka thënë dje Rama. Sipas tij, partia që ai drejton shpreh edhe njëherë nevojën që ka aktualisht vendi për një politikë të re, që sheh nga njerëzit. "Një politikë të re për të bërë të mundur mbylljen e kësaj serie të frikshme tragjedish në minierën e Bulqizës, në këtë shpellë të vdekjes, ku ata që hynë nuk e kanë të sigurt daljen", - thuhet në njoftimin për shtyp. Më tej duke u bashkuar me dhimbjen e familjes së minatorit që humbi jetën në punë, Rama kujton, jo vetëm tre jetimët që ai la pas, por edhe fëmijët e minatorëve të tjerë, që kanë humbur jetën tragjikisht nëpër galeritë e minierës. Ai ka kujtuar se këtyre fëmijëve, të mbetur jetimë, edhepse iu premtua ndihmë ekonomike nga shteti, vazhdojnë të vuajnë mizerjen ku i ka zhytur humbja e kryefamiljarit të shtëpisë.