Tritol hyrjes së ish- gruas, në kërkim i shoqi 53-vjçar
Një sasi prej 200 gr tritoli shpërtheu në hyrjen e Anxhela Myrtajt në Vlorë. Dëme në apartamentet e tjera
Fqinjët: Problemet, pas ndarjes me bashkëshortin. Prej 3 vjetësh jetojmë me frikë. Policia: Në kërkim i dyshuari
Vlorë-Një sasi e konsiderueshme tritoli ka "tundur" dje një nga pallatet e njohur në Vlorë si Gjashtëkatëshi, i cili ndodhet në lagjen "Osman Haxhi", pranë bashkisë së qytetit. Sasia ishte vendosur në një nga apartamentet e katit të gjashtë, banesë ku jeton prej vitesh Anxhela Myrtaj, me dy vajzat e saj. Shpërthimi, që sipas banorëve që jetojnë në shkallën e pallatit, është dëgjuar rreth orës 04.10, duke u gdhirë dita e djeshme, është rast i përsëritur. Sipas dëshmisë së tyre, për të tretën herë, në këtë derë vendoset tritol, që dyshohet se është vepër e ish- bashkëshortit të 39-vjeçares, me të cilin është divorcuar që në vitin 1994. Ndërkohë që policia është ende në hetim për shkaqet e tritol vënies, fqinjët dëshmojnë se ish burri i Myrtajt, e bën këtë veprim, në shenjë kërcënimi për gruan, që të lërë shtëpinë. Ish- bashkëshortin ka denoncuar në polici edhe e dëmtuara, i cili është shpallur në kërkim nga blutë e Vlorës.
Ngjarja
Shpërthimi që ka dëmtuar jo vetëm banesën e 39-vjeçares, por edhe hyrjet pranë, është ndjerë në tërë zonën, duke përcjellë panik. Është e treta herë që pranë derës së banesës vendosen lëndë shpërthyese, ndërsa këtë herë pasojat kanë prekur gati gjithë hyrjen e pallatit. Vetë Myrtaj ka qenë e rezervuar me mediat, duke kërkuar vetëm qetësi. "Jam e sfilitur pas gjithë kësaj",- thotë ajo dhe mbyll derën, duke kërkuar ta lënë të qetë. Fqinjë të Myrtajt, shpjegojnë se kjo ishte e treta herë që shpërthimi prek hyrjen e tyre, duke pohuar se ndoshta është konflikti me ish- të shoqin, pasi ajo dihet që ka pasur probleme pas divorcit. Edhe herë të tjera, sipas tyre, ai ka kërcënuar të shoqen, madje duke i thënë se "ti nuk e gëzon dot ato shtëpi". "Ai ndodhet në Itali dhe herë pas here vjen. Nuk dimë më shumë se kaq, por jemi të shqetësuar, pasi na janë dëmtuar dhe banesat tona, madje pas kësaj jemi të frikësuar për të vijuar të jetojmë këtu",- thonë fqinjët.
Dëmet
Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar tërësisht shkallët para banesës, apartamenti përballë, i cili aktualisht nuk është i banuar, ndërsa forca e shpërthimit ka prishur dyert e tre kateve të poshtme. Po kështu në banesën ku jetojnë 39-vjeçarja Myrtaj dhe dy vajzat e saj, nxënëse në shkollat e mesme, ka dëmtime të dyerve, murit të jashtëm, dritareve, mureve të brendshme, si edhe orendive në shtëpi.
Për të shkuar te shtëpia, duhet te ecet me shumë kujdes, pasi janë dëmtuar shkallët që ngjitesh për në katin e gjashtë, një faqe e murit që ndan dhomat e ajrimit nuk është më fare, dhe po kështu edhe faqja përballë saj. Dera dyfish e blinduar, ku pas atyre të zakonshmeve, duket dhe një derë tjetër e hekurt, nuk ka mundur dot të eleminojë pasojat. Përballë apartamentit të Myrtajt, shtëpia e dytë që ndodhet në kat është po kaq e shkatërruar. Duke qenë se dera ka qenë e vjetër dhe jo e blinduar, fuqia e shpërthimit ka hedhur në shesh gjithçka. Në familjen e Anxhela Myrtaj kanë mbërritur njerëzit e saj si dhe fqinjë, ndërsa për tërë orët e mëngjesit sipas fqinjëve, gruaja dhe vajzat nuk kanë pushuar të qarat. Policia pasi ka marrë deklarimet, ende nuk ka një version zyrtar për shkaqet, duke pohuar se është në hetim e sipër.
Dëshmitarët
Nënë Fiqiretja, 75-vjeç, e cila jeton një kat më poshtë banesës ku u vendos tritoli, tregon se ka qenë diku ora 04.00 e mëngjesit. "Do të ngrihesha të vija lavatriçen, por edhe ftohtë kisha. Pleqëri jemi dhe ngrihemi dhe shpejt",- thotë ajo, duke treguar se pikërisht në këtë kohë ka ndjerë hapat që zbritën shkallët. "Zbritën shumë shpejt, madje ishin hapat jo të një njeriu të vetëm, por kanë zbritur dy vetë nga shkallët dhe më pas u dëgjua shpërthimi. Ishte një tmerr i vërtetë. Na u tund shtëpia. U thyen xhama e qelqurina që kishim në shtëpi, ndërsa dera e jashtme, edhe pse e blinduar, ishte hedhur në shesh. U ngjitëm lart. Ishte më keq akoma"- tregon e moshuara, duke pranuar me keqardhje se në banesën objekt jeton vetëm një grua me dy vajza. Pas kësaj, 75-vjeçarja apelon për ndihmë. Ajo thotë se vetëm një vit më parë e rregulluan shtëpinë, pasi ndodhi e njëjta gjë dhe tani historia përsëritet. Nuk ka guxim tu tregojë fëmijëve që i ka jashtë, pasi ka merak t'i shqetësojë. "Ne jemi pensionistë dhe po mendohemi çfarë shpenzimesh do bënim për Vitin e Ri, ndërsa tani na dalin probleme të tjera. Duam ta shesim, por kush na e blen"- vijon e moshuara, e cila tregon se hyrja në të cilën ajo rri është e vitit 1968. Gjithsej në hyrjen ku ka ndodhur dëmtimi jetojnë 11 familje.
Fqinjët e familjes Myrtaj tregojnë se është i treti vit që riparojnë dëmet nga shpërthimet
"Nuk jemi të qetë në këtë pallat"
Fqinjët e familjes Myrtaj pranojnë se nuk jetojnë të qetë. "Kemi tre vjet që vit për vit rregullojmë dëmtimet, duke ndenjur me gjak të ngrirë". Kështu shprehet Argjil Likollari, një nga banorët e katit të tretë të pallatit ku ndodhi shpërthimi. "Si do të vejë ky hall, nuk e dimë. Të ikim nga ky pallat nuk na vjen keq. Ja sot unë jam me derë hapur. Jam dy kate më poshtë dhe dera është shtrembëruar plotësisht",- tregon hallin e tij ai, pa ditur saktësisht se kujt duhet t'i drejtohet për ndihmë. Kërkesën e parë ia adreson bashkisë. "I lutemi bashkisë të na ndihmojë të riparojmë shtëpitë tona, si dhe policisë të gjejë dhe vendosë para përgjegjësisë autorët, pasi kjo është hera e tretë që hyrja jonë po bëhet tabelë qitjeje",- thotë ai. Të tjerë fqinjë tregojnë se pas vitit 1994 Anxhela Myrtaj është divorcuar dhe që nga ajo kohë jeton me dy vajzat. Por, edhe pse kanë kaluar vite, ajo ende ka probleme me ish- bashkëshortin e saj, Ahmetin. Aktualisht ai ndodhet në Itali. "Vjen dhe ikën dhe shumë herë kanë pasur probleme, edhe për shkak të shtëpisë, në të cilën tani jetojnë gruaja dhe dy vajzat. Të paktën ne këtë konflikt dimë",- tregojnë fqinjët, duke lëvduar gruan dhe dy vajzat, që vazhdojnë shkollën e mesme.
A.Peçi
Dëshmia e gruas në polici: Konfliktin e vetëm e kam me ish- bashkëshortin
Policia, në kërkim ish- bashkëshorti
Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se vetë e dëmtuara, 39-vjeçarja
ka dëshmuar në polici se konfliktin e vetëm e ka pasur me ish- bashkëshortin e saj, divorcuar tashmë prej vitesh. "Gruaja e dëmtuar ka treguar emrin e ish- bashkëshortit të saj, Ahmet Lazaj, 53-vjeç, duke e paraqitur konfliktin me të si të vetmin që ajo ka pasur në tërë këta vjet",- thanë dje burimet policore. Sipas tyre, dëshmia është mbështetur edhe në kërcënimet e vazhdueshme që gruaja ka deklaruar të ketë pasur nga 53-vjeçari. Siç bën me dije policia, 39-vjeçarja është ndarë në vitin 1994 dhe pas divorcit ka marrë dy vajzat si dhe shtëpinë. Duke marrë gjithë deponimet e së dëmtuarës, e duke e vlerësuar si autor të mundshëm, të dyshuar për ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim Lazajn, duke nisur njëkohësisht edhe hetimet nga prokuroria e Vlorës për ngjarjen.
Ekspertiza
Në hyrje, 200 gram tritol
Si provë materiale para derës së apartamentit është gjetur fitil zjarr përcjellës, i cili është përdorur për plasjen. Ekspertë të policisë, pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe analizave të tjera rreth saj, kanë pohuar se sasia e përdorur është rreth 200 gr, por vendi shumë i izoluar, brenda katit të pallatit, ka bërë që dëmtimet të jenë të dukshme. Një vit më parë, me objektiv derën e 39-vjeçares, një sasi tjetër tritoli ka shpërthyer duke sjellë pasoja, por këtë herë, sasia ka qenë edhe më e madhe. Po një tjetër herë, dy vjet më parë, dera është dëmtuar me zjarr, ndërsa objektivi, sipas policisë ka qenë i njëjtë.