E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH ben publik ne internet Librin e Transparences

Ministria e Arsimit ka bërë publike prej sot në internet Librin e Transparencës. Ky Libër plotëson kuadrin e informimit të saktë dhe të plotë të maturantëve, dukuri që përshkon të gjithë procesin e Maturës Shtetërore dhe të pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik.

Në Librin e Transparencës, çdo maturant gjen të gjithë elementet përbërës të rezultateve të përfundimit të shkollës së mesme; mesataren e përgjithshme të shkollës së mesme, rezultatin e provimit të Letërsisë, Matematikës dhe dy provimeve të lëndëve me zgjedhje, preferencat e përzgjedhura prej tij në Formularin A2, për programet e studimit që ofrojnë Universitetet Publike për vitin akademik 2011-2012.

Mbi bazën e elementeve të lartë përmendur në libër janë dhënë pikët e fituara nga secili maturant për çdo preferencë, të llogaritura në bazë të koeficienteve të përcaktuar nga MASH në bashkëpunim me universitetet.

Çdo maturant, pas konsultimit me librin e transparencës dhe leximit të pikëve të grumbulluara nga ana e tij në secilin program studimi të përzgjedhur prej tij si dhe pikëve të fituesve të fundit të publikuara tashmë në Web Site-in e MASH, arrin të gjykojë se në cilën degë ka më shumë shanse të fitojë.

Vëmë në dukje se për maturantët të cilët ndër preferencat e zgjedhura kanë dhe programe studimi që parashikojnë zhvillimin e konkurseve, pikët për këto programe do të dalin pas publikimit të rezultateve të konkurseve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›