E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili Te mos humbet kohe per reformen zgjedhore palet te ulen ne bisedime

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) mbështet rekomandimet e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri, ndërsa i bën thirrje partive politike për fillimin sa më shpejt nga puna për përmirësimin e kodit zgjedhor.

LSI, përmes nënkryetarit Petrit Vasili, reagoi të martën ndaj këtij raporti duke nënvizuar se mbështet të gjitha rekomandimet e tij, të cilat, tha ai, kanë nevojë për një reflektim të shpejtë.

"Sot, pasi kemi në duar raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR ku kërkohet qartë kryerja e reformës zgjedhore para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, nuk ka më asnjë alternativë tjetër të përgjegjshme veç asaj të uljes së partive në tavolinën e bisedimeve për përmirësimin e kodit zgjedhor", tha nënkryetari i LSI-së.

Në emër të kësaj partie, Vasili bëri thirrje që forcat politike "pa asnjë kompleks, kusht dhe paragjykim të ulen në tavolinën e bisedimeve për ndryshimin e kodit, pasi rekomandimet e OSBE/ODHIR janë rruga ku duhet të ecet për përmbushjen e standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri".

Një ditë më parë OSBE/ODIHR pubikoi raportin përfundimtar për zgjedhjet lokale të 8 majit në Shqipëri, ku vlerësoi se zgjedhjet ishin transparte, ndonëse u zhvilluan në një mjedis politik që kishte arritur pikën e krizës pas ngjarjeve të 21 janarit.

Në reagimin e tij, kryeministri i vendit Sali Berisha, ndërsa e konsideroi raportin si objektiv dhe frymëzues për zgjedhjet e ardhshme, mirëpriti rekomandimet e OSBE/ODIHR-it duke ftuar opozitën që të ulen menjëherë për të nisur punën për reformën zgjedhore, mbi bazën e këtyre rekomandimeve .

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›