Parakaloi gabim, vdes 57-vjeçari
FIER - Një 57-vjeçar mbeti i vdekur dje në një aksident në aksin rrugor Vlorë-Fier. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:30 të mëngjesit kur viktima, Haki Zeka u përplas me makinën e tij me një automjet të tonazhit të rëndë. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në afërsi të fshatit Ferras. Drejtuesi i “Golf”-it Haki Zeka rezultoi se kishte kryer një parakalim të gabuar, që çoi edhe në aksidentin e rëndë, duke i marrë jetën. Policia bëri të ditur se viktima tentoi të parakalojë me shpejtësi një automjet me targë VL 5798 C, që udhëtonte para tij. Por nuk ka mundur të manovrojë në kohë pasi në momentin e fundit, përpara i ka dalë edhe një karrocë me kuaj. Sipas drejtuesit të furgonit me targë të Vlorës, viktima tentoi të ruajë karrocën e kuajve, por për pasojë është përplasur me mjetin e tonazhit të rëndë. Policia e Fierit mbërriti në vend pas sinjalizimit të dhënë dhe shoqëroi drejtuesin e mjetit me të cilin u përplas viktima. Mësohet se 57-vjeçari ishte një nga punëtorët e rrugës Levan-Tepelenë. m.r