Gruaja e dhunuar nga bashkëshorti merret në mbrojtje nga policia
Tiranë - Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 9969, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në familje”, forcat e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, në bashkëpunim me seksionin e posaçëm të krijuar në zbatim të këtij ligji, mbi bazën e kallëzimit të deponuar nga e dëmtuara M. H., 29 vjeçe, filluan procedimin penal për Arjan Hysën. 30 – vjeçari, njëkohësisht bashkëshorti i së dëmtuarës, ka goditur në banesë bashkëshorten e tij për motive të dobëta. Paralelisht me procedimin penal, për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit shtetases M. H., iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Urdhri i garanton 29-vjeçares mbrojtjen e jetës dhe shëndetit. U kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa i materialet i kaluan prokurorisë, për veprën penale të “dëmtimeve të tjera me dashje”, parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal.
Autovetura e vjedhur çon në qeli 38-vjeçarin
Tiranë – Vodhi autoveturën e një shtetasi, por policia e ka vënë shpejt në pranga. Burime të sigurta thanë për gazetën “Albania” se dje u realizua kapja dhe më pas arrestimi në flagrancë nga Seksioni Kundër Vjedhjeve të Automjete të shtetasit Alban Lika, 38 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Lika është proceduar më parë për “moskallëzim krimi”. Arrestimi i tij u krye sepse dyshohet të jetë autor i vjedhjes së një automjeti tip “Benz”, me targa TR 4471 B, në pronësi të një shtetasi, vjedhje kjo e realizuar ditën e djeshme. Në cilësinë e provës materiale në banesën e tij u sekuestrua mjeti i lartpërmendur dhe më pas u kryen veprimet procedurale. Materialet i kaluan prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes”.
Pranga 24-vjeçarit, goditi me grushte policin e Patrullës
Tiranë – Goditi policin e Patrullës, ndalohet nga policia. Burime të sigurta thanë për gazetën se është kryer arrestimi i shtetasit Besnik Rexhepaj, 24 vjeç, lindur në Himarë dhe banues në Tiranë, për konsumim të veprës penale: “Kundërshtimit të punonjësit të policisë rendit publik”, “Goditjes për shkak të detyrës” si dhe “Fyerjes për shkak të detyrës”. Arrestimi i tij u krye nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë sepse i lartpërmenduri dy ditë më parë, rreth në orës 01:30, te sheshi “Nënë Tereza”, ka kundërshtuar me dhunë dhe goditur me grushte punonjësin e policisë së Patrullës së Përgjithshme. Për të u kryen veprimet hetimore e procedurale, ndërsa materialet i kaluan prokurorisë.
25 Shkurt 2008