Krenar Preza: “Mjekët e teprojnë me pacientët për ekzaminimet me rreze”
Përdorimi i rrezeve, shkak për sëmundje të tjera gjenetike apo biologjike. Flet shefi i Shërbimit Universitar të Imazherisë në QSUT
Emanuela Sako
Shpeshherë, mjekët e teprojnë me pacientët kur i drejtojnë për kryerjen e ekzaminimeve nëpërmjet rrezeve. Kjo bëhet shkak për marrjen e tepërt të rrezeve dhe shkaktimin e sëmundjeve të tjera gjenetike apo biologjike. Shefi i Shërbimit Universitar të Imazherisë në QSUT, prof. dr. Krenar Preza, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Mbrojtjes nga Rrezatimet në Ministrinë e Shëndetësisë, shpjegon se mjekët duhet të jenë më të përgjegjshëm kur i drejtojnë pacientët për kryerjen e ekzaminimeve nëpërmjet rrezatimeve. Në një intervistë për gazetën “Albania”, Preza tregon se ky është një ndër problemet më të diskutuara në mjekësinë botërore dhe që vazhdimisht është apeluar për të shmangur në maksimum ekspozimin e pacientëve ndaj rrezatimeve gjatë vizitave mjekësore. Sipas tij, rrezet rontgen janë të dëmshme për shëndetin e pacientëve dhe ato duhet të kryhen vetëm në rastet e domosdoshme, pasi në të kundërt do të bëhen shkak për probleme më madhore shëndetësore. Rrezatimet shmangen nëpërmjet elementëve mbrojtës, siç është përparësja e plumbit që nuk lejon depërtimin e rrezeve në pjesët e tjera të trupit, përveç pjesës ku duhet të veprohet. Por në shumicën e klinikave këto masa mbrojtëse nuk vihen në përdorim nga mjekët.
A janë të dëmshme rrezatimet gjatë punës suaj me rreze?
Gjatë punës sonë kemi të bëjmë me rrezet, si rrezet rontgen, ultratingujt, rezonancën manjetike etj. Rrezet rontgen ose radiologjia është rrezatim jonizues dhe këto rreze përdoren për të bërë radioskopi, grafi, fluoroskopi, skaner, për të bërë grafi dentare dhe mamografi. Meqenëse rrezatimi është jonizues, përveç vetive pozitive ka një veprim biologjik në indet e organizmit. Ky veprim është negativ sepse i dëmton. Pozitiv konsiderohet vetëm në ato raste kur përdoren në momentet e duhura dhe pa e tepruar. Sot bëhet një apel botëror që të ulet sa më shumë përdorimi i rrezeve rontgen të panevojshme. Ndërsa jashtë vendit përdoret një formulë që quhet “Alara” që do të thotë “të jetë sa më i efektshëm”, domethënë duhet të punohet me rrezatim sa më të ulët. Për këtë çështje kemi bërë seminare ndërkombëtare për përdorimin sa më të paktë të rrezeve kur nuk është e nevojshme. Kështu, ne u bëjmë apel mjekëve të rinj dhe studentëve të mjekësisë që rrezet rontgen janë të dëmshme dhe duhet të përdoren të gjitha mënyrat dhe mjetet mbrojtëse.
Cilat janë efektet negative ose biologjike që krijohen gjatë marrjes së rrezeve?
Efekti biologjik jep ndryshime somatike duke dëmtuar indet dhe jep dëmtime gjenetike. Gjithashtu, ka një ndjeshmëri individuale të rrezatimeve te çdo pacient. Rrezatimet përdoren në mjekësi sepse kanë efekte pozitive, por duke e tejkaluar masën apo duke bërë një vizitë kur nuk është e nevojshme nga e cila merren rreze, atëherë rrezatimet mund të shfaqin edhe efekte negative.
Cilat janë dëmet që shkaktojnë te pacientët?
Kur rrezatimet e marra nga pacientët janë të tepërta, ato mund të shkaktojnë kancer, shkaktojnë leukozë, shkaktojnë dëmtime gjenetike, shkaktojnë probleme në gjak. Këto raste shfaqen kur dozat e rrezatimeve janë përdorur jashtë kritereve. Prandaj dhe ne duhet të mbrojmë pacientin dhe veten.
A kemi të bëjmë me neglizhencë të mjekëve, të cilët i drejtojnë pacientët për të bërë të tilla ekzaminime të panevojshme?
Shpeshherë mjekët i dërgojnë pacientët për të bërë grafi apo ekzaminime të tjera pa qenë e nevojshme për të kryer një ekzaminim me rreze. Shpeshherë mjekët e radiologjisë e kryejnë vizitën, pasi kjo është dhënë nga mjeku përkatës që ka kryer vizitën te një pacient. Kështu, mjekët duhet të jenë më të përgjegjshëm kur e drejtojnë pacientin për kryerjen e një vizite me rreze. Ndërsa në rastet kur ekzaminimet janë të shpeshta, por që janë të domosdoshme, pasi luhet me jetën e pacientit, atëherë ekzaminimi do të kryhet medoemos.
Si duhet të mbrohen pacientët nga rrezatimet kur e kanë të nevojshme kryerjen e ekzaminimeve?
Pacientët duhet të bëjnë sa më pak ekzaminime edhe kur janë të nevojshme (jo në rastet kur problemet janë të mëdha). Kjo varet edhe nga mjekët, të cilët i drejtojnë pacientët për kryerjen e vizitave që kanë të bëjnë me rrezet. Para se ta nisin pacientin për një ekzaminim të tillë, duhet të merren parasysh të gjitha mundësitë për t’i dhënë përgjigje pacientit pa qenë nevoja që ai t’i nënshtrohet ekzaminimit me rreze. Së dyti, duhet të përdoren aparatura të mira që të japin sa më pak rreze. Për disa ekzaminime, duhet që të sëmurët të përdorin përparëse plumbi për t’u mbrojtur. Psh, kur shkon te dentisti për të bërë grafinë e një dhëmbi, dentisti duhet të vendosë te pacienti përparëse plumbi në mënyrë që të pengohet rrezatimi në pjesët e tjera të trupit.
Mjekët janë më të ekspozuar ndaj rrezatimeve për shkak të punës. Si mbrohen ata nga rrezet?
Të gjithë mjekët që merren me ekzaminime, që kanë të bëjnë me rrezet, përdorin elementë mbrojtës. Mjekët përdorin përparësen prej plumbi, dozimetër që të dish se sa rreze ke marrë. Po kështu bëjnë edhe një analizë biologjike çdo 6 muaj për të ditur nëse janë të rrezikuar nga rrezet e tepërta.
A janë të frikësuar nga marrja e rrezatimeve pacientët që vijnë në pavijonin tuaj?
Ne i bindim pacientët nëse duhet bërë një ekzaminim apo jo, duke ia shpjeguar nëse është e domosdoshme kryerja e ekzaminimeve, atëherë detyrimisht që duhet t’i nënshtrohet ekzaminimit me rreze. Ka raste që pacientët këmbëngulin ta bëjnë ekzaminimin sepse i ka nisur mjeku ku kanë kryer vizitën edhe kur nuk është e nevojshme.
A ka mungesë të aparaturave, apo mosfunksionimi i rregullt i tyre është një nga problemet e marrjes së tepërt të rrezatimeve?
Aparaturat i kemi të gjitha dhe janë brenda standardeve të përdorimit.
25 Shkurt 2008