Konflikti në Paskuqan, hetohen në gjendje të lirë dy persona
Tiranë – Policia e kryeqytetit sqaron konfliktin e ndodhur dy ditë më parë në Paskuqan. Sipas njoftimit për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, më 22 shkurt 2008, rreth orës 11:25 uniformat blu janë njoftuar se në banesën e Sefer Lokës, ka shkuar dhe është konfliktuar Korab Çekiçi. Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shkuan në vendin e ngjarjes shërbimet e kontrollit të territorit të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, nga ku rezultoi se shtetasi Korab Çekiçi, 31 vjeç, banues në Paskuqan, lagjja “Vresht”, ka shkuar në banesën e shtetasit Sefer Koka, aktualisht me detyrën e kryeplakut të lagjes “Paskuqan Nr. 2”, duke i kërkuar këtij të fundit një vërtetim për t’u pajisur me certifikatë, në interes të tërheqjes për t’u paraqitur pranë zyrës së Komunës Paskuqan. Po sipas njoftimit të policisë, Sefer Koka ka sqaruar fillimisht Korab Çekiçin se nuk mund ta përfitonte këtë të drejtë, pasi nuk ishte banor i lagjes. Policia njofton se kryeplak i lagjes “Vresht”, ku shtetasi K. Çekiçi është banor, është shtetasi Behar Kërdhaku. Të ndodhur përpara këtij fakti, dy personat kanë kaluar në fyerje reciproke dhe më pas kanë goditur me mjete rrethanore njëri-tjetrin. Pas këtij incidenti, të dy shtetasit e sipërpërmendur u dërguan në Spitalin Ushtarak Tiranë, për të marrë ndihmë mjekësore. Për këtë ngjarje është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, ku shtetasi Korab Çekiçi do të ndiqet në gjendje të lirë për “Goditje për shkak të detyrës”, ndërsa shtetasin Sefer Loka do të hetohet po në gjendje të lirë për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje”.
Gjendet e mitura, ishte përdorur nga tutorët për prostituim
Tiranë - E mitura me inicialet F. M., që prej tri ditësh ishte larguar nga banesa e saj pa dijeninë e prindërve, është gjetur në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, nën shoqërinë e dy shtetaseve të tjera. Burime policore bënë të ditur dje se gjatë deklarimit të marrë në prezencë të të afërmve dhe psikologut, e mitura ka treguar se është larguar me dëshirë nga banesa më datë 20 shkurt 2008, ku është mashtruar dhe përdorur nga dy shtetase me qëllim për ushtrim prostitucioni. Ndërsa nga thëniet e të afërmve të së miturës rezultoi se ajo herë pas here ka shfaqur shenja të sëmundjes psikike, ndaj edhe është përdorur lehtësisht nga dy shtetaset, të cilat ushtrojnë prostitucion në Tiranë, ndaj dhe janë shoqëruar për hetime të mëtejshme. E mitura iu dorëzua familjarëve të saj, ndërsa materialet hetimore për dy shtetaset i kaluan prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Tentuan të vrasin 40-vjeçaren, ndalohen pas 24 orësh
Tiranë – Tentuan të vrasin për motive të dobëta një grua, por janë vënë në pranga nga policia. Burime policore thanë për gazetën se u krye ekzekutimi i urdhrit të Prokurorisë së Tiranës për shtetasin Ilir Manan, 29 vjeç, lindur në Vorë dhe banues në Fushë Mezës. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Vath Ciku, 41 vjeç, i cili do të ndiqet në hetim të lirë pas konsultimit me prokurorinë, dy ditë më parë, rreth orës 14:00, në rrugën “4 Dëshmorët”, në Tiranë, kanë tentuar të vrasin me sende të forta Flareta Tartarajn, 40 vjeçe, pas një debati me fyerje për motive të dobëta, i cili ka denigruar me goditje dhe sende të forta. Materialet i kaluan prokurorisë për veprat penale të “vrasjes më dashje e mbetur në tentativë” në bashkëpunim.
25 Shkurt 2008