Gjobëvënësit në arrest shtëpie: Jemi penduar
Gjykata liron nga qelia Genci Harushën dhe Liridon Frrokun për shkak të moshës
TIRANË- "Jemi penduar që i vendosem gjobë komshiut. Gjithçka filloi si lojë dhe shkoi ashtu siç shkoi". Kështu janë mbrojtur para gjykatës dy adoleshentët Genci Harusha dhe Liridon Frroku, paraditen e djeshme, gjatë seancës së vlerësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë. Sipas burimeve zyrtare pranë kësaj gjykate, ndaj dy të rinjve Harusha dhe Frroku u vlerësua arresti i policisë i ligjshëm dhe më pas, për shkak të moshës, gjykata vendosi që dy të rinjtë të lirohen nga qelia dhe të qëndrojnë në "arrest shtëpie", deri në përfundim të hetimeve. Këtë kërkesë kishte edhe mbrojtësja ligjore e tyre, avokatja Vjollca Pustina, e cila në fjalën e saj kërkoi nga gjykata që të lihen të lirë dy të rinjtë, për shkak të moshës dhe gjatë kohës së hetimeve të qëndrojnë në arrest shtëpie. "Qëndrimi i tyre në qeli mund të sjellë kriminalizimin e të ardhmes së tyre. Kërkojmë nga gjykata, që për shkak të moshës së tyre te re, Genc Harusha 16 vjeç dhe Liridon Frroku 17 vjeç, të lirohen nga prangat dhe ndaj tyre të caktohet masa e sigurisë arrest në shtëpi",-ka thënë në gjykatë avokatja Pustina. Gjatë fjalës së tyre, adoleshentët u shprehën se: "jemi penduar për krimin e kryer.Deshëm t'i merrnim 500 lekë të reja, por më pas na pëlqeu idea e marrjes së më shumë lekëve, por jemi penduar. Unë jam personi që kam ideuar dhe organizuar atë "gjobëvënie" ndaj komshiut",-tha Liridon Frroku gjatë fjalës së tij. Ndërsa prokurori i çështjes, gjatë leximit të kërkesës kërkoi nga gjykata që dy të rinjtë të qëndrojnë në qeli nën masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve. Shkak për këtë kërkesë sipas tij, është vepra penale e kryer nga dy adoleshentët dhe rrezikshmëria e tyre për t'iu shmangur hetimit. Sipas prokurorisë, dy të rinjtë një muaj më parë i kanë kërkuar bashkëmoshatarit të tyre me inicialet Xhejnis Plasaqë brenda një muaji t'u sillte atyre 10 mijë lekë të reja, kundrejt kërcënimit për rrahje. Mësohet se i ati i viktimës së këtij kërcënimi është tregtar.