E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Benzave, të pandehurit akuzojnë njëri-tjetrin në gjyq

Tërhiqet nga dëshmia anëtari i bandës, Alfred Prenga. Kaos në sallën e gjyqit
TIRANË- Akuza dhe kundërakuza mes tre të pandehurve laçianë, të cilët ndodheshin dje brenda të njëjtit kafaz të hekurt të sallës së Gjykatës së Krimeve të Rënda. Pasditen e djeshme, togat e zeza të kësaj gjykate, me kërkesë të prokurorëve të çështjes lejuan të pandehurit t'u përgjigjen pyetjeve të prokurorëve në lidhje me akuzat që rëndonin mbi ta. Kanë qenë pyetjet e prokurorëve që i kanë provokuar tetë të pandehurit: Alfred Prenga, Preng Lleshaj, Mark Dyzeni, Miklovan Legisi, Mhill Ndreca, Yllson Dyzeni, Jetmir Noka dhe Djerin Preçi, të cilët kanë filluar të akuzojnë njëri -tjetrin për vjedhjen, çmontimin dhe me pas shitjen e makinave të vjedhura. Pyetjeve të prokurorëve u janë përgjigjur me mohim të akuzave, por duke drejtuar gishtin tek të pandehurit e tjerë, të cilët i akuzonin për vjedhjen dhe më pas shitjen e makinave. Ndërsa dëshmia që shkaktoi më shumë debat ishte ajo e Afred Prengës, i cili mohoi deklarimet e bëra në fazën hetimore, ku ka zbardhur të gjitha vjedhjet. "Nuk kam bërë asnjë vjedhje. Unë i kam blerë makinat dhe më pas prapë ua kam shitur personave të tretë",-tha dje ai.Kanë mjaftuar këto deklarime që të pandehurit e tjerë në proces të lëshojnë ndaj tij një lumë akuzash. "Ti ishe ai që vidhje makinat dhe pastaj na i shisje ne si të rregullta. Dëshmia jote është ajo që na ka sjellë këtu, ti je fajtor për këto vjedhje",-thanë të pandehurit e tjerë, duke akuzuar Prengën për vjedhjet. Sipas prokurorisë, 24- vjeçari Alfred Prenga është personi i vetëm që ka pranuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në fazën hetimore dhe ka dëshmuar për 15 vjedhjet e realizuara nga muaji mars deri në shtator të vitit 2006. Pas dëshmisë së tij, policia organizoi operacionin e koduar "Mercedes Benz", duke arrestuar tetë të pandehurit e dyshuar për vjedhje makinash në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›